Flet regjisorja dhe aktorja, Eliona Thomaraj:
Në Shqipërinë plot halle, komedia është si ushqimi i shëndetshëm, nuk është kurrë i tepërt.
– Komedia, të bën të harrosh hallet e tua dhe të qeshësh me hallet e botës.
– Në një kohë kur arsyet për të qenë i lumtur janë minimale, komedia është ilaçi i shpirtit.
– Dramaturgët në Shqipëri janë si pikat e ujit në shkretëtirë, që shterojnë sapo bien në tokë.
– Një qytet pa teatër është një fshat i madh, një qytet pa trupën e vet teatrale permanente do të kthehet së shpejti në një sallë gjumi.
– Mosha e tretë, pothuajse nuk është prekur pothuajse aspak nga dramaturgjia shqiptare megjithëse është një pjesë e konsiderueshme e popullatës
Albert Z. ZHOLI
“Pleqëri me kusure”, një komedi, që sjell përmes humorit jetën e përditshme të moshës së tretë. Minuta të tëra që do të ngacmojnë spektatorin me ndodhitë brenda shtëpisë së Margaritës dhe Viktorit dhe komshiut të tyre, Lefterit. Shqetësime, gëzime, xhelozi në moshë të vonë, të fshehta, intriga, dyshime dhe më në fund një enigmë që zgjidhet. Të moshuar, por me dëshirën e bukur për të pasur një jetë të lumtur dhe të qetë.
-“Pleqëri me kusure”, përse zgjodhët këtë komedi për të vënë në skenë dhe jo një dramë?
Pleqëri me kusure më tërhoqi pikërisht prej thelbit të saj, mosha e tretë, që pothuajse nuk është prekur pothuajse aspak nga dramaturgjia shqiptare megjithëse është një pjesë e konsiderueshme e popullatës, që për më shumë, është brezi i parë që pleqtë mbeten vetëm. Brenda pleqërisë ka jetë, ata nuk janë njerëz që kanë hequr dorë, përkundrazi ata e duan jetën, e duan njeri tjetrin dhe bashkëveprojnë midis tyre. Në komedinë tonë kemi dy shtresa të ndryshme shoqërore siç janë Viktori dhe Margarita që i përkasin shtresës se mesme, por kanë edhe komshiun e tyre ngjitur, që jeton vetëm pasi është i ve dhe pensioni nuk i mjafton të shtyjë muajin, por ata kanë njeri tjetrin dhe kjo harmoni do sjelli edhe reflektimin se si po jetojnë sot pleqërinë prindërit tanë.
– Ku qëndron vështirësia nga ana regjisoriale për të vënë në skenë këtë komedi?
Vështirësia qëndronte në faktin se kjo shtëpi, apo ky pallat i ka muret aq të hollë sa çdo muhabet që bëjnë Viktori me Margaritën shkojnë drejt e tek dhoma e Lefterit, madje pikërisht ky është dhe shkaku i konflikteve, apo komedisë. Duke qenë se Lefteri është vetëm, është kthyer në përgjues së jetës së tyre. Këtë mungesë privatësie e kam shprehur nëpërmjet skenografisë ku vizualisht kemi një shtëpi pa mure, në transparencë të plotë, madje edhe dyert janë ndarë vetëm me tuba për ta konceptuar se çfarë ka sjellë ndërtimi masiv dhe jashtë standardeve teknike. Një jetë e tërë, një qytet i tërë i përgjuar i vëzhguar, por i pakonsideruar. Muret që u ndërtuan për të na ndarë tani na bashkojnë shtëpia ku duhet të ishte vendi më i sigurt është kthyer në burim sherri. Personazhet janë paralelisht në skenë duke bërë jetën e tyre nëpër shtëpitë përkatëse, por siç thamë kjo shfaqje nuk ka mure, ka bashkëveprim, ka komunikim, ka gjendje ku duhet ta krijojmë murin me sikur edhe pse muri nuk është ai si konvencion është gjithmonë prezent.
– Aktorët që keni në dispozicion çfarë të veçantash kanë në karrierën, apo në aktivitetin e tyre për të sjellë një sukses në skenë?
Aktorët Astrit Hasani, Miola Sitaj dhe Klajd Marku janë aktorët e trupës së teatrit Bylis, të cilët vazhdojnë ta mbushin jetën artistike të qytetit prej dekadash. Astrit Hasani figura e tij përfaqëson denjësisht moshën e tretë dhe Viktorin mund ta përcjelli mjaft organikisht. Ai na demostron çdo të thotë më mirë pleqëri me kusure, ai shprehet gjithmonë në prova “edhe pa sëmundje pleqëria është kusur më vete”. Klajdi Marku është karakteri më i spikatur i komedisë tonë, ai jeton duke dhënë e marrë me komshinjtë, pavarësisht përgjimeve, ai nuk do i përgojonte kurrë ata, madje shqetësohet dhe lutet për komshinjtë, mirëqenia e tyre ndërsjellë mbarëvajtjen e Lefterit. Miola Sitaj në rolin e Margaritës sjell figurën emblematike të gruas shqiptare. Ajo është vetëmohuese dhe e dashur, preokupohet për gjithçka vet pa shqetësuar të shoqin, madje ajo çdo ditë i çon një racion për drekë edhe komshiut që jeton i vetmuar.
-Kush është mesazhi i kësaj komedie?
Mesazhi i veprës është mjaft i qartë. Të hedhim sytë nga mosha e tretë për t’i shërbyer e jo për t’u ndier të braktisur, apo të tepërt. Ata i kanë dhënë jetë vendit, shoqërisë, brezave dhe kanë përcjellë kulturën, dashurinë, përkujdesin, ëndrrat e tyre. Detyra e shoqërisë është t’u kthejë pleqërisë dinjitetin që i takon.
– Ku qëndron dallimi mes dramës dhe komedisë në aspektin e përgatitjes dhe vënies në skenë? A ka dallime në vështirësi?
Komedia ka tjetër tempo-ritëm ajo realizohet në hedhjen e batutës pingpong, në zmadhimin e hallit dhe situatës mizanskenale, ndërsa në dramë ky proces është krejt i kundërt. Tempi më shtrirë, ritmi më i lartë, më i tensionuar pra dy gjendje të kundërta trajtohen në mënyra të ndryshme.
– A mendoni se sot komedia i mungon shumë skenës shqiptare dhe pse? Pse ka kaq pak komedi nga autorë shqiptarë mos ndoshta shteti nuk i mbështet në vlerësimin e kësaj gjinie?
Komedia është si ushqimi i shëndetshëm, nuk është kurrë i tepërt. Në një kohë kur arsyet për të qenë i lumtur janë minimal, komedia është ilaçi i shpirtit. Duke qeshur njerëzit mbushen me endrofin, ata përjetojnë një gjendje kënaqësie kur përballen me komedinë. Të krijosh një turmë të lumtur, të arrish ekstazën kolektive ku një grup i konsiderueshëm njerëzish çlirohen nga tensionet dhe largohen nga stresi i përditshmërisë dhe shijojnë kënaqësinë që ofron komedia, të harrosh hallet e tua dhe të qeshësh me hallet e botës. Ky është edhe qëllimi i komedisë në fund të fundit, të përball me elegancë dhe finesë që Ti nuk je vetëm, nuk je i vetmi që ke probleme ndaj dëfreu dhe qesh.
– Këtë radhë zgjodhët Fierin për të vënë në skenë një komedi, pse pikërisht këtë qytet?
Zgjodhëm pikërisht teatrin Bylis pasi është teatri i vetëm në Shqipëri me 2 aktor dhe drejtori që aktivizohet si aktor pasi në të kundërt një teatër me traditë 70 vjeçare rrezikon të vdes. Njësoj si komedia Pleqëri me kusure edhe teatri Bylis meriton vëmendje dhe dashuri. Ai sot më shumë se kurrë duhet marrë në mbrojtje dhe unë e përgëzoj Bashkinë e Fierit për rigjallërimin që po i sjell teatrit, por teatri ka lëndë bazë, aktorët, pa aktorë teatri vdes dhe një qytet si Fieri nuk mund ta lejojë që kjo gjë të ndodh. Një qytet pa teatër është një fshat i madh, një qytet pa trupën e vet teatrale permanente do të kthehet së shpejti në një sallë, e nëse përdorim një batutë nga shfaqja “kjo do të thotë të vijë një i huaj e të bëhet zot në shtëpinë tënde. Jeta kulturore e një qyteti e sidomos teatri janë fytyra dhe prezenca e vet qytetit. Unë jam e lumtur që po kontribuoj t’i dhurojë jo vetëm qytetit të Fierit një premierë absolute, por edhe teatrit Bylis t’i shtohet një vepër në repertor për të patur mundësinë të prezantohet dhe konkurrojë në festivale mbarëkombëtarë që zhvillohen në vendin tonë, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Për të mbajtur në jetë dhe për ta trashëguar më tej, emrin Teatri Bylis paraqet…
– Pak teatro në Shqipëri, a mendon se ka shumë aktorë dhe pak hapësira për të plotësuar kërkesat e shumta të aktorëve?
Unë mendoj se ç’do qytet në Shqipëri meriton dhe e ka domosdoshmëri një teatër, kjo jo vetëm do të rris jetën artistike në vend, por do të nxisë të rinjtë të investojnë mbi formimin e tyre psiko-emocional dhe do të shtojë lirshmërinë dhe variacionin kulturor te ç’do qyteti në Shqipëri. Është për të ardhur keq që edhe artistët nuk gjejnë hapësira edhe qytetet në vend janë izoluar nga jeta artistike kulturore. Kujt i shërben ky keq menaxhim i kulturës kombëtare?!