Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar në prag të protestës që do të mbahet më 17 tetor, në orën 17:00, në sheshin “Skënderbej” të Tiranës, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në një deklaratë të fortë, Spiropali tha se “në këtë shekull të shqiptarëve, liria nuk mund të jetë e plotë me pranga në duart e çlirimtarëve”, duke iu referuar ish-presidentit Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë.
“Me Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin në qeli, ndërgjegjja kombëtare nuk mund të jetë e qetë dhe padrejtësia do të ketë ende hise në hakun e shqiptarit”, u shpreh ajo.
Spiropali kritikoi ashpër “alkiminë djallëzore” që, sipas saj, po tenton të shndërrojë heronjtë e luftës në fajtorë, duke e quajtur këtë “shpërblim të agresorit dhe rivrasje të viktimës”.
“Ajo që nisi si gjykatë speciale nuk mund të mbetet sinonim i padrejtësisë dhe turp i drejtësisë ndërkombëtare”, shtoi ministrja.
Ajo theksoi se në 17 tetor “zemra e shqiptarëve, kudo që janë”, do të rrahë në sheshin “Skënderbej”, në një protestë kundër padrejtësisë dhe në mbështetje të çlirimtarëve të Kosovës.
“Nën hijen e Heroit Kombëtar, ne do të protestojmë kundër padrejtësisë që prek të gjithë shqiptarët. Do ta çojmë zërin tonë në Hagë, duke kërkuar kthimin në liri të çlirimtarëve”, përfundoi Spiropali.
Sipas saj, Shqipëria do të mbetet një zë i fortë dhe i pandashëm në përkrahje të Republikës së Kosovës dhe në kërkim të drejtësisë për luftëtarët e saj.