Parlamenti Europian ka konfirmuar mbështetjen e gjerë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke miratuar me 502 vota pro raportin mbi ecurinë e progresit të vendit për vitet 2023 dhe 2024. Ky dokument vlerëson arritjet e Shqipërisë në reforma dhe thekson nevojën për përshpejtimin e disa procesve, si demokracia, shteti i së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe forcimi i administratës publike dhe medias së lirë. Ish-ministrja Elisa Spiropali, duke falënderuar eurodeputetët dhe raportuesin Andreas Scheider, theksoi se raporti është një mesazh i rëndësishëm politik dhe pasqyrim i aspiratave të qytetarëve shqiptarë për integrim europian. Ajo riafirmoi përkushtimin e Shqipërisë për reformat dhe bashkëpunimin me institucionet e Bashkimit Europian në këtë proces rigoroz dhe transformues.
