leoni

Emil LAFE: Duke përkujtuar prof. Kostaq Cipon (1892–1952) në 130-vjetorin e lindjes dhe 70-vjetorin e ndarjes nga jeta

Emil LAFE: Duke përkujtuar prof. Kostaq Cipon (1892–1952) në 130-vjetorin e lindjes dhe 70-vjetorin e ndarjes nga jeta

PROF. KOSTAQ CIPO VIZIONAR I PROCESIT TË FORMIMIT TË SHQIPES LETRARE TË PËRBASHKËT

Në korrik 1949, kur kishte dorëzuar në Institut dorëshkrimin e veprës “Gramatika”, K. Cipoja botoi në shtyp skicën “Gjuhë dhe gramatikë”, në të cilën njofton lexuesit paraprakisht për përmbajtjen e veprës dhe shpreh idetë e tij për gjuhën letrare dhe për atë që quhet sot planifikim gjuhësor. Këto ide është mirë të dihen e të mbahen parasysh jo vetëm për hir të historisë së mendimit tonë gjuhësor, por edhe për të gjykuar më kthjellët edhe në diskutimet e sotme, pasi janë mendime e ide që i ka bluar e përbluar në mendje një gjuhëtar si K. Cipoja, i cili ndërtoi veprat themelore normative (ose preceptive, siç e përdor ai) të gjuhës sonë në mesin e shekullit të kaluar dhe i dha një drejtim të mbarë në përgjithësi punës në këtë fushë. Le ta dëgjojmë: 

“Kur thomi “gjuhë letrare” kuptojmë me këto dy fjalë gjuhën e literatyrës dhe të kulturës, një tip gjuhe që ka qenë dialekt në krye, po erth e u bë me kohë kombëtar për hir të proçesit të çkrahinarizimit dhe të përgjithësimit. Pa një proçes të tillë s’ka të folur që t’arrinjë tipin e një idiome letrare. Po a kemi ne sot një kësi dialekti të xhveshur nga krahinarizmat dhe të pajisur me tiparet fonetike dhe morfologjike të përbashkëta me tërë krahinat e mëmëdheut? …. Në valë të këtyre mendimeve isha, kur u ftuash nga Instituti i Shkencave të punoja një gramatikë (fonetik’ e morfologji) që t’ish e përshtatur për arsimtarin, për studentin e Institutit Pedagogjik, për studjozin e gjuhës … Me të pranuar ftesën, pyetjen e parë që i bëra vetes sime ka qënë kjo: “e në ç’dialekt do ta punoj unë gramatikën?” Duke shkuar në rivistë dialektet e ndryshme dhe prodhimet e tyre, m’u duk se e gjeta një, që ka qenë, në mos u gabofsha, idioma e traditës sonë kombëtare, gjuha e rilindjes sonë letrare dhe që premton të bëhet edhe e kulturës sonë popullore.

S’ka kush të mohojë sot që Frashëri, i marrë me kuptim shumë të gjerë të kësaj fjale, ka qenë djep i shkrimevet letrare. Lënda e punuar n’atë dialekt sjell mblatën e një këngëtari të dashur, lëftimet e një zemre së madhe që rrahu për një Shqipëri të lirë, për një popull të xmbryer nga zgjedha, të veshur me mësime dhe të lumtur – Naimi. Po ka edhe më: librat shkollore, gazetat e revistat, botimet e Instituteve, këngët e rilindjes sonë, këngët revolucionare të luftës së popullit, fjalimet e ndezura të udhëheqësve të Luftës Nacional Çlirimtare, të gjitha këto janë shkruar toskërisht. Ahere edhe shkronjësi i këtyre radhëve vendosi ta punojë brumin në bazë t’atij dialekti që e ka sot qendrën më të madhe të zhvillimit në Tiranë, ku është udha-kryq e dialekteve të shqipes. Edhe nga pikëpamja gjuhësore po të vështrohet, toskërishtja që po zhvillohet në kryeqytet, do të fitojë tërë ç’i duhet për të çkrirë në njësi harmonike divergjencat që lindin nga zhvillimet gjuhësore, ajo do të bëhet instrumenti politik, shoqëror dhe artistik i mëmëdheut.”

Pra toskërishtja letrare e asaj kohe në sytë e K. Cipos i kishte të gjitha të dhënat për t’u zhvilluar më tej nëpërmjet çkrahinarizimit dhe përgjithësimit, duke arritur të fitojë cilësitë e gjuhës letrare kombëtare (atëherë termi gjuhë standarde nuk kishte dalë ende). Por që kjo lëndë gjuhësore të arrinte shkallën e gjuhës letrare kombëtare nuk mjaftonin cilësitë e saj në vetvete. Toskërishtja letrare u bë baza e shqipes standarde të sotme, sepse “pushtoi” Tiranën, kryeqytetin, ku ishte dhe është qendra politike e administrative e vendit dhe qendra kryesore arsimore e kulturore. Në Tiranë kishte nisur çkrahinarizimi dhe përgjithësimi i domosdoshëm për të kaluar nga një dialekt letrar në një gjuhë letrare të përgjithshme. Për të kuptuar si ndodhi kjo le të hedhim një vështrim të shkurtër mbi Tiranën që kur u caktua kryeqytet në Kongresin e Lushnjës në janar 1920. Sipas regjistrimit të administratës austriake, më 1918 ajo kishte 10.200 banorë; sipas regjistrimit të vitit 1923 popullsia e qytetit të Tiranës kishte mbetur thuajse po aq: 10.845 banorë; më 1938 Tirana kishte 25.097 banorë, më 1945 – 59.950 banorë, më 1955 – 108.083 banorë, më 1960 – 137.664 banorë, më 1965 – 161.300 banorë, më 1970 – 171.000 banorë, më 1975 – 189.000 banorë, më 1980 – 194.000 banorë, më 1985 – 215.000 banorë, më 1990 – 243.000 banorë dhe më 2003 – 518.000 banorë. Shtimi mekanik i popullsisë së Tiranës për periudhën 1923–1938 ka qenë rreth 65%, për periudhën 1938–1945 mbi 75%, për periudhën 1945–1960 rreth 52%. Popullsia e vendosur në Tiranë deri më 1990 ka qenë përgjithësisht me prejardhje qytetare dhe e shkolluar, në pjesën më të madhe nga krahinat e jugut (në periudhën 1950–1990 u lejohej pasaportizimi në Tiranë kryesisht specialistëve dhe punëtorëve të kualifikuar); popullsia e ardhur në vitet 1992–2003 (në një masë të madhe nga krahina fshatare të pjesës verilindore të Shqipërisë) përbën rreth 47% të popullsisë së sotme të kryeqytetit. Nga këto të dhëna kuptohet se popullsia rrënjëse e Tiranës mbeti ndjeshëm në pakicë dhe e folmja vendore e Tiranës (gegërishte jugore), për më tepër duke mos pasur ndonjë traditë letrare, nuk mund të kishte ndonjë rol të dukshëm në procesin e mbrujtjes së gjuhës letrare në kryeqytet. 

Në të vërtetë ndodhi ajo që kishte parashikuar Sami Frashëri më 1899, d.m.th. gjuha letrare e përgjithshme e shqiptarëve nuk do të ishte ndonjëri prej dialekteve letrare të kohës, por do të formohej në kryeqytetin e ardhshëm të Shqipërisë, ku banorët “do të jenë të mbledhurë nga gjithë anët’ e Shqipërisë, edhe gjuha që të flitetë atje, do të jet’ e përzjerë, që të muntnjë të quhetë gjuh’ e përgjithçime e gjuhë letrarishte e gjithë Shqipërisë.” Unë nuk besoj se me gjuhë të përzjerë Samiu ka parasysh një përzierje mekanike, sepse as atëherë, as tani nuk dihet ndonjë rast që një gjuhë letrare të jetë formuar në mënyrë të tillë. Përcaktori e përzjerë në formulimin e Samiut për mua ka pa dyshim kuptimin ‘jo e pastër’, d.m.th. një gjuhë që do të ketë përthithur elemente prej burimesh të ndryshme dialektore. Por këto elemente do t’i bashkohen një forme të caktuar ligjërimore që është mbizotëruese në përdorimin letrar (si e shkruar dhe e folur). Dhe kjo ishte, ta themi me fjalët e K. Cipos, ”toskërishtja që po zhvillohet në kryeqytet”. Këtë K. Cipoja e ndjeu me shqisën e tij të pagabuar të vrojtuesit të gjuhës, që më 1948, kur u ul të hartonte “Gramatikën” e tij, e cila shërbeu gjatë si gramatikë normative. 

Le të përpiqemi të kuptojmë më shkoqur procesin e çkrahinarizimit e të përgjithësimit që përmend K. Cipoja. Çkrahinarizim ad litteram do të ishte “humbja e veçorive të ngushta dalluese krahinore, duke përgjithësuar format gjuhësore më të përbashkëta”, ose, po ta themi me një terminologji tjetër, krijimi i një forme gjuhësore mbidialektore, e cila me kohë merr shtrirje kombëtare, bëhet formë e përbashkët, në fillim e gjuhës së shkruar e më pas edhe të folur të një vendi. Ndërsa me përgjithësim unë besoj se duhet kuptuar përhapja shkallë-shkallë e kësaj forme gjuhësore si te folësit e vetë kryeqytetit, ashtu edhe në qytetet e krahinat e tjera. Të dyja këto procese ndodhën këtu në Tiranë dhe unë i kam jetuar si banor i Tiranës që nga viti 1955. Këtu eci përpara ai procesi i “çkrahinarizimit” dhe i përgjithësimit të toskërishtes, që e vuri atë në themel të gjuhës standarde shqipe.

Me këto arsyetime K. Cipoja përzgjodhi toskërishten si bazë dialektore për gramatikën e tij. Intuita nuk e gaboi dhe me të vërtetë sot pranohet se dhe vatra ku u farkua dhe kudhra ku u rrah standardi i sotëm ka qenë dhe mbetet Tirana. Në këtë kuptim K. Cipoja është pa dyshim një vizionar i procesit të formimit të shqipes letrare të përbashkët dhe me veprat e tij “Gramatika” dhe “Sintaksa”, si edhe me “Fjalorin e gjuhës shqipe” (si kryetar i komisionit hartues) vuri bazat e punës së mëtejshme për kodifikimin e normës gramatikore të gjuhës shqipe, e cila rrodhi natyrshëm dhe mori një përcaktim më të përpiktë me “Gramatikën e gjuhës shqipe” të hartuar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë. 

Pas kësaj që u parashtrua, dua të shtoj pak fjalë edhe për çështjen aq shumë të diskutuar a është shqipja e sotme standarde e imponuar nga regjimi komunist. Gjuhëtarja amerikane Janet Byron në studimin e saj të njohur për formimin e shqipes standarde ka vënë në dukje se pjesa më e madhe e klasës politike shqiptare pas luftës vinte nga krahinat e jugut dhe kjo pati rolin e vetë përcaktues në ecurinë e procesit gjuhësor. Natyrisht kjo është e vërtetë, por jo krejt e vërteta. Le të kihet parasysh se edhe në organizatën politike të Ballit Kombëtar shumica dërrmuese, madje figurat më të shquara ishin nga krahinat e jugut (Mithat Frashëri, Abaz Ermenji, Ali Këlcyra, Bahri Omari, Hysni Lepenica, Isuf Luzaj, Kadri Cakrani, Koço Muka, Nuredin Vlora, Safet Butka, Skënder Muço, Thoma Orollogaj, ndërsa nga krahinat e veriut: Faik Quku, Fuat Dibra, Vasil Andoni, Xhafer Deva, Zef Pali). Dhe kjo nuk ka qenë e rastit, por lidhet me shpërpjesëtimin e madh ndërmjet Jugut dhe Veriut të vendit në pikëpamje të gjendjes kulturore e arsimore. Më 1927 popullsia e Shqipërisë numëronte gjithsej 828.593 banorë. nga këta vetëm 62.889 ishin të shkolluar (me shkollë fillore 59.882, me shkollë të mesme 1773, me universitet 447 dhe 785 ishin për studime jashtë). Prej kësaj shume të përgjithshme 49.350 ose 78% ishin nga prefekturat e Jugut (Vlorë, Gjirokastër, Berat, Korçë) dhe vetëm 13.539 nga prefekturat e Veriut. Nga kjo statistikë kuptohet vetiu se udhëheqja komuniste e kohës nuk kishte nevojë të ndërhynte në ecurinë e formimit të gjuhës letrare. Edhe në rast se do të vinte në pushtet Balli Kombëtar, nuk ka dyshim se do të kishte ndodhur ndryshe. Të dyja këto forca politike përdorën gjatë viteve të luftës kryesisht toskërishten letrare dhe e shpërfillën dialektin zyrtar të shtetit. E reja që solli periudha e pasluftës në fushë të gjuhës, ishte mënjanimi i vetvetishëm i gegërishtes nga veprimtaria e shtetit. Gegërishtja letrare e shkruar u përdor në letërsi e në përkthime letrare, në publicistikë dhe në botime shkencore.

Kontrolloni gjithashtu

Mehmet Bislimi: Avni Rrustemi (1895- 1924)

AVNI RRUSTEMI (1895 – 1924 )

Kushtrimi i krismave të kobures së Avniut, ishte kushtrim për bashkimin e të gjithë atyre …