leoni

Emrush Bislim Buzhala (1.5.1968 - 1.5.1999)

Emrush Bislim Buzhala (1.5.1968 – 1.5.1999)

Në popull me shekuj është ruajtur besimi sipas të cilit gomari, në frymën e fundit, para ngordhjes shqelmon duke shpurdhur dhe shkelmat e këtilla i ka shumë të fuqishme, prandaj doli edhe thënia: ruaju gomarit në të ngordhur”!. E Gomari i Beogradit, i bekuar në të gjitha kishat prej Kalemegdani deri në Gazimestan e i mallkuar anembanë Shqipërisë etnike, u plagos rëndë në Pranverën e vitit 1999, sepse “Shigjeta” e Komandantit Legjendar Adem Jashari e shpërtheu “Patkonin” e gjeneralëve Pavkoviq, Milintijeviq e Marçetiq.

Këtë shpërthim të “Pranverës së Kuqe” e bënë: Fetah Gega, Bekim Kadolli e Xhavit Bajraktari me sulmet – stuhi, Agron e Luan Krasniqi në luftimet e Nagacit të Anadrinit, Elez Geci e Maxhun Berisha, te “Ura e Pozharit”, Artan Mehmetaj në thyerjet e Ratishit, Blerim Kelmendi në Betejën e Dobrushës, në Grejkoc Avdyl Beqiraj, te “Kryqi i Rakocit”, Bajrush e Arben Mehmetaj me Islam Ademin e Fitim Rexhën e Shqiponjës, Fehmi Rama, Xhevat e Bedri Demaku me Imer Shalën në Abrinë e Drenicës, sepse në mëngjesin e 9 prillit, gjashtëdhjetedy luftëtarë të Agim Ramadanit i marrin pozicionet serbe në Koshare, ndërsa në Tomocin e Podgurit luftëtarët e Bujar Visoqit shpërthejnë rrethimin për ta evakuar popullatën e sulmuar civile, e në Zhegoc forcat serbe ikin para breshërive të Ibrahim Oruçit, Bahtir Jahirit, Gazmend Marocës, Musli Imerit~ Tefik e Hanëmshahe Zyberajt e në Zhebel dragojt e Shkëlzen Haradinajt: Hasim Halilaj, Fatmir e Luan Nimanaj sulmojnë si vetëtima, në Gallak sokolat e Adem Shehut shkatërrojnë kolonën serbe për ta mbrojtur Zllashin, në “Qafën e Hajles” luftohet fytazi, prin Besnik Lajçi, krismat e të cilit dëgjoheshin atë fund prilli nga “Qafa e Hajles” deri në “Qafën e Dules” e Bjeshkët e Budakovës së Kadri Kokollarit, të cilat i skuqi më 1 maj, Emrush Bislim Buzhala, dëshmor i kombit, duke marrë shumëfish hakun për Azem Behlulin e mbetur në luftimet përreth Maçitevës së Besim Ndrecajt, këngën e të cilit e këndonte edhe në luftë Emrush Bislimi:

“S’t’i jep armët Besim Ndreca,

Për pa u kall flakë Suhareka”

Dëshmori i kombit Emrush Buzhala i xha Bislimit e i nenes Hamide, bijë e Krasniqëve të Bukoshit, është i lindur më 1 maj të vitit 1968 në lagjen e Buzhalëve të Budakovës. U lind e u rrit në një familje të varfër malësore por shpirtërisht të begatshme, ku fëmijët edukoheshin në frymën e traditës luftarake të budakovasve e të maçitevasve të njohur në historinë dhe në rapsoditë e këtyre trojeve. Emrushi kishte shumë vëllezër e motra, por mbijetuan gjashtë; tre vëllezër e tri motra.

Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje për ta vazhduar të mesmen teknike në Therandë, madje në kushte shumë të vështira; vijonte mësimet duke punuar edhe si punëtor krahu në atë moshë të njomë, vetëm e vetëm që të mos e ngarkonte me shpenzime t’anë edhe ashtu të lodhur e të ndrydhur nga skamja e nga plagët që gjatë tërë jetës i kullonin gjak, sepse ishte plagosur disa herë në Masakrën e Tivarit. Qershori i vitit 1998 u bë vendimtar për jetën e Emrush Buzhalës; Krismat e Komandantit Legjendar Adem Jashari, Kushtrimi i Gllogjanit, Beteja në Sukën e Cermjanit, luftimet e Balincës, luftimet te “Përroni i Keq”, Beteja e Bardhatinit, Luftimet e Gardhishtit” Lufta e Drinasit, Beteja në Grykën e Llapushnikut dhe amaneti i Besim Ndrecës, ndikuan në nxjerjen e vendimit definitiv dhe kështu Emrush Buzhala, më 20 qershor të vitit 1998 radhitet në plejadën e “Djemve të Budakovës”, flamurin e të cilëve e mbajti Kadri Kokollari, simbol me të cilin sot mburret shqiptaria. Këto janë ditët kur Fehmi Lladrovci shkëlqente në Hamidi e Bardh të Madh, kur deklerata e Tij i frymëzonte luftëtarët e lirisë, prej Prapashtice e deri në Sylbicë të Junikut, e kur Mujë Krasniqi qëndronte në Qëndresë duke këputur akse magjistrale e rajonale, e kur te “Ura e Sahitit” në Grykën e Caralevës shkatërrohet eshaloni mobil serboçetnik, e kur në Bllacën heroike të Bislim Zekollit përjetësohet luani i Malishevës, Ymer Ramë Krasniqi, e kur Ismet Jashari – Kumanova, kall tmerr e trishtim mbi shkijët në Grykën e Lluzhnicës.

Pika e parë e Emrush Bislimit, luftëtar i përbetuar ishte te Palushët, me detyrë që t’i ruajë derivatet, e më vonë pozicionohet te Buzhalët, sepse pajisja me armë dhe stërvitjet në Stërvitore n e Budakovës reflektonin luftëtarin në kuptimin më të plotë të fjalës: vepronte në togun për roje e vëzhgim, më vonë, Kompania II, Batalioni i Budakovës, Brigada 123, Zona Operative e Pashtrikut. Në këtë formacion, Emrushi luftonte gjatë tërë Ofanisivës së Shtatorit dhe në luftimet në Bukosh, Vraniq, Krushicë, Buzhalë e Budakovë, ku u përjetësuan: Kadri Kokollari, Ismajl Bytyçi, Safet Kicaj, Zenel Curraj, Sabit Lushaj, Xhemshir Xhemshiri, Azem Behluli, Valdet Gashi, Bahti Shala, Hazir Selimaj, Xhemajl Rexhaj, Zenel Morina, Naser Tafaj, Zaim Muça, Zymer Kepa, Murat Kokollari, Sherif Buça, Xhemajli Rama, Smajl Ahmetaj, Emin Muslija, Murat Kadrijaj, Riza Kadolli, Selim Veselaj, Mentar Krasniqi, Fadil Kabashi, Man Sallauka, Gazmend Alijaj e Bujar Buzhala me vetëm tetëmbëdhjetë pranvera, ashtu siç shkëlqejnë sot në Lapidarin te porta e Shkollës Fillore “Lidhja e Prizrenit” në Budakovë, e në rapsodinë e Behxhet Karpuzit.

Lufta e Emrush Buzhalës kishte shumëçka të veçantë; depërtimi me mjeshtëri “deri te hunda e shkaut”, aftësia për bashkëveprim, shpejtësia për zbulim dhe vendosmëria për t’u prirë aksioneve më të guximshme, e gatishmëria për të sulmuar e për të mos u ndalur deri në pikën e fundit të gjakut, sepse ishte betuar se shkijët nuk mund të shkelin në Buzhalë e Budakovë, pa kaluar mbi trupin e tij. Por, më 30 prill 1999, popullata serbe ende gjendej në afërsi të fshatit Popolan, ndërsa pjesëtarët e forcave serboçetnike kamuflohen me uniforma e madje edhe me shenja të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të kamufluar, më l maj, në ditën kur Emrushi planifikonte që me bashkëluftëtarët ta kremtonte ditëlindjen e tridhjetenjëtë, në fshatin Vraniq, te “Gurishta”, plagoset rëndë ndërsa vepronte me Buzhalët: Skënderin, Mentorin, Nexhatin, Besimin dhe Mujën. Plumbi e qëllon Bislimin në gjoks dhe bjen me shpinë përdhe, por qëndroi i fortë luftëtari i lirisë. Bashkëluftëtarët arrijnë për ta tërhequr luanin e plagosur dhe e bartin deri në Buzhalë, ku e kontrollon mejku i luftës, dr. Ibish Ahmeti. Pas ndihmës së parë, nëpër breshëri të armikut, Emrushin për në spitalin ushtarak të Mollapolcit e transportojnë: Shukri Kokollari me Besimin dhe Naserin e Buzhalëve, madje i tërë automjeti bëhet shoshë prej plumbave të armikut dhe me shtënie nga afërsia, por të gjithë shpëtojnë sërish deri në spitalin ushtarak të Mollopolcit, ku vendoset për kurim të mëtejshëm luftëtari i lirisë Emrush Buzhala. Për të plagosurin rëndë kujdeset dr. Vezir Bajrami, por përpjekjet ishin të kota. Emrush Buzhala përjetësohet në ditën e lindjes duke e porositur të vëllanë e plagosur që ta vazhdojë luftën, së bashku me shokët dhe të mos ndalen deri në realizimin e idealit të të gjithë luftëtarëve të lirisë.

Më 2 maj të vitit 1999, në orët e hershme të mëngjesit, përcillet për në përjetësi “Luani i Budakovës”, i cili sipas eprorit Izet Buzhala, në fëmijëri e rini nuk pati fat, por “vdekja për liri është kapak i fatit të çdo burri”.

Përcjellja iu bë në kushte shumë të vështira në një cep të Lagjes “Palushi”, ndërsa vizitat për ndarjen e dhembjes e të krenarisë u bënë në një lugshtajë buz – lumit, ose në një prozhme që ia shtonte madhështinë shtëpisë së amshueshme të Emrush Buzhalës, për të cilin jeta në robëri e me trojet e copëtuara atërore ishte një pelim, ndërsa vdekja për idealin e lirisë së këtyre trojeve ishte e madhërishme, – kështu e kishte dëgjuar të thoshte, F ehmi Lladrovcin.

Pas ndërprerjes së aktiviteteve luftarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Therandë mbahet ceremoniali i bashkimit të dëshmorëve në “Kopshtin e Dëshmorëve” të qytetit të Besim Ndrecës, prandaj edhe trupi i Emrush Buzhalës përcillet me nderime të larta ushtarake, por në fshatin e lindjes i mbetën bonjakët, Kujtimi e Blerimi, pasi që Xheneta nuk e kishte parë të anë, dhe i vëllai i plagosur në ofansivat e shtatorit të vitit 1998. U mbeti krenaria, por e mbështjellur me një vello të varfërisë ekstreme, që vetëm mund të merret me mend se si duket në Bjeshkët e Budakovës legjendare të Hasan Hysenit e të Kadri Kokollarit, shtyllë e rezistencës së armatosur, sot dëshmori i kombit, burrëria dhe trimëria e të cilit mbetet kujtim për rrëfimet e gjeneratave që do të vijnë. (S. c.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …