Enver Hasani: Kryetarja e shkeli Kushtetutën, por mos dekretimi i Blerim Isufajt nuk mund të rrëzohet

Enver Hasani: Politika dhe Drejtësia

Pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, ku konstatohet se seancat e udhëhequra nga deputeti Avni Dehari përbëjnë shkelje kushtetuese, kanë pasuar reagime të ashpra nga Lëvizja Vetëvendosje. Megjithatë, juristi dhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka dhënë një përgjigje të prerë ndaj kritikave – veçanërisht atyre nga ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Në një intervistë për Televizionin T7, Hasani u shpreh: “Po i dëgjoj që po thonë ‘kërkun n’botë s’ka kështu’. Por kur nuk lexon asnjë libër, të duket që kërkun në botë s’ka kështu.” Sipas profesorit Hasani, është praktikë e zakonshme në sistemet demokratike që gjykatat kushtetuese të japin konstatime të reja, edhe nëse ato nuk përmenden shprehimisht në kushtetutë. Vendimi i publikuar të premten nga Gjykata Kushtetuese u kërkon deputetëve të zgjedhin kryetarin e Kuvendit me votim të hapur brenda 30 ditëve. Po ashtu, një kandidat nuk mund të propozohet më shumë se tri herë. Albulena Haxhiu, e cila është propozuar disa herë pa sukses, sipas Hasanit, e ka konsumuar këtë të drejtë. Në të njëjtën intervistë, Hasani theksoi: “Me rregull, gjykuar sipas këtij dispozitivi, unë besoj që ajo e ka konsumuar të drejtën e saj.” Ai shtoi se, po të ishte pjesë e gjykatës, do ta përmendte këtë edhe në arsyetimin e aktgjykimit dhe do të votonte për të. Profesori Hasani tha gjithashtu se është vështirë që gjykata të arrijë në një interpretim tjetër për këtë çështje.

 

Kontrolloni gjithashtu

“Liria ka emër” bubullin në Hagë, motoristët shqiptarë kërkojnë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së

Katër ditë pas nisjes nga trojet shqiptare, zhurma e motorëve me mbishkrimin “Liria ka emër” …