Profesori universitar dhe ish-kryetari i Gjykata Kushtetuese e Kosovës, Enver Hasani, ka paralajmëruar se çdo zgjedhje e presidentit të Kosovës pas datës 5 mars do të përbënte shkelje të drejtpërdrejtë të Kushtetutës. Hasani ka sqaruar se ndonëse vendi nuk shkon automatikisht në zgjedhje parlamentare nëse tejkalohet afati 30-ditor për zgjedhjen e presidentit, vetë zgjedhja e kreut të shtetit pas këtij afati mbetet kundërkushtetuese. Sipas tij, Kushtetuta e obligon Kuvendin që presidenti të zgjidhet 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentes aktuale, Vjosa Osmani. Ai theksoi se, nëse një vendim i tillë nuk sfidohet në Kushtetuese, presidenti i zgjedhur edhe pas këtij afati do ta merrte detyrën menjëherë pas përfundimit të mandatit ekzistues. Hasani shtoi se vendi shkon në zgjedhje vetëm në rast se asnjë kandidat nuk arrin të sigurojë 62 vota në Kuvend, me kusht që në proces votimi të kenë marrë pjesë të paktën 80 deputetë. Duke komentuar idenë e Lëvizja Vetëvendosje për pezullimin e procesit dhe kërkimin e masës së përkohshme në Gjykatën Kushtetuese, ai e cilësoi një qasje të tillë si abuzim me rendin kushtetues, duke pretenduar se synimi është krijimi i rrethanave që ministrja Albulena Haxhiu të bëhet ushtruese detyre e presidentes. “Afati ende nuk është shkelur. Duhet të zgjidhet presidenti dhe nuk ka nevojë për riinterpretime destruktive të Kushtetutës”, ka deklaruar Hasani.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
