Deputeti i Partisë Demokratike e Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit politike duke deklaruar se Kosova po hyn në një moment vendimtar për mbrojtjen e demokracisë. Megjithatë, deklaratat e tij po shihen nga shumë analistë politikë si pjesë e retorikës së zakonshme opozitare, në një kohë kur kriza institucionale kërkon më shumë përgjegjësi dhe më pak akuza politike. Hoxhaj ka thënë se vendi nuk po kalon nëpër një proces normal politik dhe zgjedhor, por në një betejë vendimtare për të ardhmen e demokracisë në Kosovë. Ai ka akuzuar institucionet aktuale për dobësimin e demokracisë dhe ka kritikuar koalicionin e vitit 2021 të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani, duke pretenduar se veprimet e tyre kanë synuar, sipas tij, “çmontimin e demokracisë dhe vendosjen e autoritarizmit”. Megjithatë, kritikët e këtyre deklaratave theksojnë se krizat institucionale në Kosovë nuk janë të reja dhe se edhe vetë partitë që sot janë në opozitë kanë qenë për vite me radhë pjesë e pushtetit, gjatë të cilit janë përballur me akuza për kapje të institucioneve, korrupsion dhe dobësim të mekanizmave demokratikë. Hoxhaj ka pretenduar gjithashtu se dështimi për zgjedhjen e presidentit nuk ishte rastësor, por i planifikuar, duke thënë se vendi ka mbetur pa president që nga 5 marsi dhe pa një Kuvend funksional që nga 9 shkurti 2025. Kjo deklaratë, sipas vëzhguesve politikë, është pjesë e përplasjes së ashpër politike që po karakterizon skenën politike në vend. Në fund të reagimit të tij, Hoxhaj u ka bërë thirrje qytetarëve që të mbrojnë institucionet dhe Kushtetutën, duke paralajmëruar se dobësimi i demokracisë mund të rrezikojë edhe vetë shtetin dhe liritë e qytetarëve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
