Ernest Koliqi

Ernest Koliqi: MIKU

(Novelë e Ernest Koliqit, version i shkurtuar, përpunuar dhe përshtatur)

Uc Lleshi nga brezi kufitar i Malësisë ishte pensionuar me gradën e togerit të xhandarmerisë. Si njeri i besueshëm i pushtetit [në z0nën e kufirit) gëzonte gjysmën e rrogës së togerit dhe i kishin lënë armë dhe uniformë. Uca ishte njeri me influencë n’atë pjesë të Malësisë dhe kishte krijuar një rreth të njerëzve të vet të besueshëm, të cilët sa herë i thërriste për ndonjë aksion, i përgjigjeshin sikur t’ishin xhandarë të vërtetë në komandën e tij, pa kurrnjë shpërblim, e që rrezikonin të vriteshin. N’atë anë s’guxonte komitë me u endë, sepse askush ma mirë se Uca nuk i dinte shtigjet që qojnë në kufi

Një viit përpara kësaj ngjarje në vijim, Uc Lleshit ia kishin vrarë vëllain dhe Uca akoma s’e kishte nxjerrë gjakun.

Një pikë dite me vapë, i kishte ardhur sekretari i krahinarisë dhe pa zbritur prej kalit, prej poshtë e thërret: “O zoti toger, o zoti toger”! Uca, pasi e njohu, e fton: “Hajde, bujrun”, por lajmëtari vetëm i tregon se “mbramë ka ikur nga Shkodra një gazetar, një asi i shkolluar që shkruajnë kundra qeverisë e duket se a nisë me kapërcye kufinin këndej kah ana jonë. Qeveria kërkon të vesh roje gjithkah për të mos e lënë me kalue kurrsesi”. Uca i thotë: “veç në fluturoftë për hava se n’ectë për toke i gjallë kufinin këtej pari ai s’do ta kapërcen”.

Sapo i lajmëroi njerëzit e vet, erdhën të armatosur n’oborr të kullës.Uca iu tregoi për rastin dhe i caktoi dy nga dy në vende të cakuara të zinin pritat,ndërsa vvet me dy djemtë e tij (Dodën e Nikollën) dolën në një pritë tjetër më strategjike. Djemëve iu tha: “Ju të dy bëni rojë te Shtegu i Barijve, se jam i sigurt se malësorët që e përcjellin atë shkodranin, kanë me kalue nëpër këtë grykë. Ju, po patët mundësi, kapnje të gjallë, përndryshe, gjallë mos e leni me kalue”. Pasi u bëri një kontrollë rojeve të caktuara, vet u kthye në shtëpi ,për të pushua e pastaj me dalë përsëri në roje me Mirashin, djalin e vëllait të vrarë. Ecte duke menduar vetmevete:

-“Të kishem m’e zanë këtë dreq shkollari, kishem m’e përcjell un vetë në Shkodër, m’e dorëzue atje edhe me thanë në hyqymet qi i ka ardhë koha me më ba kapidan”.

Kur hyn n’oborr, përmes dritës nëpër dritare sheh dy pushkë të vjerruna n’odë. Në çast del gruaja prej ode dhe Uca e pyet:

-“Kush a n’odë të miqve”?

-Gjokë Vata, me një shkodran”, i përgjigjet grueja.

Uci u pre…gjaksi i vllaut në shtëpi të tij?! Mblodhi forcën e hyni brenda, ku miqt po rrijshin me Mirashin.

-“Mbramja e mirë burra, e mirë se u ka pru Zoti”. Mysafirët u çuen në këmbë, u përshëndet ngryk më parë me Gjokë Vatën, që ishte në moshë, pastaj me Shkodranin, që ishte më i ri. Uca u qiti duhan, pyeti njerëzit e vet :

-“A keni pru kafe”?

-“Kena pi, kena pi” ,tha Gjokë Vata.

‘”Bini edhe ka nji tjetër, porositi Uci.

Uci mendonte vetmevete: gjaksin që e kërkoj një vit nepër bjeshkë, për ta vrar pushkë në lule të ballit, qe, e kishte përpara, e zakoni e detyronte me e pritë e me bisedue me te si me ma të shtrejtin dashamirë, mbasi i kishe ra mik tu shpija! Ishte kurreshtar të dinte, përse vallë Gjoka kishte bërë këtë hap aq të vështirë edhe për te? Miqtë pushkët i kishin vjerrë, por armët e shokës i kishin në brez. Uca u tha:

-Lirojuni, burra.

Miqtë i hoqën armët, ia dorëzuan Mirashit (të cilit ia kishin vrarë t’atin para një viti). Uca porositi Mirashin të bjer raki. Biseduan gjatë , por gjithnjë duke ndejtë larg çështjeve që mund t’ia prishin qejfin njani-trerit. Shkodrani rrinte i heshtur. Gjokë Vata, duke çua gotën e vet i thotë Shkodranit:

-“Për të mirë zotni, qoje një gotë, e hiç s’ke pse rri në mendim tash qi gjindesh n’dorë të Uc Lleshit.

– Priç të mirë, Gjokë Vata, tha Shkodrani Po më kanda me ndëgjue kuvendin tuaj, sesa për mendime më kanë lodhë vetëm deri sa mujt me mbërri tu dera e jote dhe në këtë shtëpi”. Ukë Lleshi e kuptoi se ky ishte gazetri i arratisur, njeriu për të cilin i kishte zënë të gjitha pritat në shtigjet kah kufini. Në vetvete mendonte: “I mençëm ky Gjoka, he e shitoftë Zana! Mirë e ka gjetë mënyrën si me shpëtue mikun shkodran. .

.Shtëpija e Uc Lleshit s’kishte njohur kurrë kori. Kushdo që e kish mësy, kish qenë i sigurt se gëzon proje deri në fikjen e plotë të saj. Nderi i shtëpis dhe zakonet e vendit ishin për Ucin mbi çdo interes, mbi çdo urdhër qeverije e përmbi çdo ndjesi e arsye tjetër.

-Ça kjoftë, lum Gjoka, e hejrit kjoftë, për këtë mik që as emnin s’po ia di.

– Shefqet Kadija, tha Shkodrani.

– Kjofsh shëndosh! Sa për mue, nuk do të kursehem me la borxhin qi na kanë lënë të parët për mikun, mandej fundi le të dalë ku të dalë!. Pas këtyre fjalëve, Gjokë Vata tha:

-Zoti të rritët oxhakun, Uc Lleshi. Ky zotnija kurr ma ngusht se sot nuk a gjetë në jetë të vet. Qeverija e kërkon e me ba m’e zanë, vaj halli i tij. M’a ka mësy shtëpinë e më ka ra në besë. Unë t’a kam pru me m’a marrë me ndore e me qitë shëndosh andej kufinit, sepse e dij mirë qi, pa ndihmën t’ande kufinin në këtë anën tonë s’ka burrë qi e kalon.

Vonë mbas darke, u çuen të gjithë, ngjeshën armët e duelën. Te dera e oborrit Gjkokë Vata tha:

-T’ardhshim për të mirë,Uc Lleshi.Unë po çaj kah shpija. Zoti të rritët jetën për ça po i ban këtij zotnis. Uci ia ktheu:

-Kjof me jetë e e mira të gjetët .Por ti vetëm nuk po shkon. Mirash – përcille.

U përqafuan të gjithë. Gjokë Vata ecte nëpër terr, i përcjellun prej të birit t’atij që ia kishin vra t’jatin një vit më parë.

Mbas një orë udhëtimi nëpër terr, në shtegun ku i kishte vu në pritë djemtë e vet, Dodën e Nikollën, Uca i thirri ata t’i bashkohen. Kur iu afruan kufirit, Uci i tha të arratisurit:

-Tashti je i shpëtuem, lum zotnija. Përtej prronit a toka e huej. Kam mendue se prej kësaj gryke do të delshëm kapidan e shum druej qi këtu mbrendë do të la ndoshta edhe togerllëkun. Por, ani, s’ka gajle: pa besë e pa miq s’ka ça na duhet as jeta në këto malet tona. Udhambar’!

-Paç të mbarë e Zoti të ruejtë, Uc Lleshi, – bani gazetari. Këtë nderë s’kam për t’a harrue sa të jem gjallë. U përqafuan të gjithë një nga një me te. Ai zdathi këpucë e çarapë dhe kapërcei përronin.

* * *

Me këtë novelë, Koliqi spikatë besën dhe mikpritjen,,të cilat shkojnë bashkë me burrninë, urtinë, trimërinë dhe nderin, si vlera morale autoktone shqiptare, veçmas në zonat e Malësisë, ku mysafirin e presin si të deleguar nga Zoti, i clili gëzon mbrojtje nga çdo rrezik apo çdo çnderim. (Sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit:“Po të hyri miku në shpi, gjak me të pas, do t’i thuejsh:”Mirë se erdhe, e zakoni e lypë me e pritë e me bisedue me te si me ma të shtejtin dashamir”). Këtë mentalitet ,këto vlera e këto virtyte të malësorëve Koliqi ,si dheas (vendas) i asaj treve ,i ka njohur dhe spikatur më mirë se kushdo tjetër.

Adil Fetahu

Kontrolloni gjithashtu

Tefta Çami: Vizita në Theth të Dukagjinit, më ka lënë shumë mbresa

Tefta Cami: Vizita në Theth të Dukagjinit, më ka lënë shumë mbresa

Me 26-27 tetor të këtij viti shkova e vizitova me vajzën time, Alma dhe me …