Me qëllim të rritjes dhe avancimit të bashkëpunimit, sot në objektin e QTA-së, u nënshkrua memorandum bashkëpunimi për mësimin dual në mes të Drejtorisë Komunale të Arsimit, ShMLP “Anton Çetta” në Skenderaj dhe QTA në Skenderaj. Ky memorandum bashkëpunimi u nënshkrua nga, Pronari i kompanisë së QTA, z. Afrim Durmishi, drejtori i DKA-së, z. Kastriot Duraku dhe drejtori i shkollës, z. Agron Istogu. Nxënësit e ShMLP “Anton Çetta” në Skenderaj, do të bëhen pjesë e Programit të Edukimit dhe Aftësimit Profesional, duke realizuar praktikë profesionale dhe mundësi punësimi nga QTA në Skenderaj. Pronari i kompanisë së QTA, z. Afrim Durmishi, potencoi se QTA do të mbështesë implementimin e pikave të marrëveshjes, me theks të veçantë mundësinë e kryerjes së praktikave në kuadër të kurrikulave mësimore, praktikave pas përfundimit të shkollimit si dhe punësimin e tyre. Kjo marrëveshje, synon të krijojë një bashkëpunim të ndërsjellë duke promovuar vlerat e përbashkëta dhe duke ofruar mundësi për zhvillimin profesional të nxënësve të lëndëve: Ekonomi dhe Teknologji ushqimore.