Ish-ministri i Ekonomisë Ethem Çeku ka kritikuar ashpër mënyrën se si Kosova po përjeton një boshllëk vizionar. Qeverisja e sotme është e ngujuar në inate dhe interesa të ngushta partiake, duke paralizuar sektorë jetikë si energjia, arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura. Në vend të vizionit që bashkon, sundon autoritarizmi që ndan. Shembujt global tregojnë se lidershipi mund të ndryshojë fatin e kombeve: Adenauer ringriti Gjermaninë pas luftës, De Gaulle e fuqizoi Francën, Estonia dhe Irlanda investuan në teknologji dhe diasporë, Japonia u ngrit nga hiçi pas Luftës së Dytë Botërore. Kosova ende nuk ka lider të këtij kalibri. Politikanë të vegjël mendojnë për partinë, jo për Republikën. Ligje bllokohen, kapja institucionale lulëzon, dhe vendi mbetet spektator në proceset globale. Një lider i madh mund ta kthejë vendin në histori suksesi; deri atëherë Republika jonë do të vuajë peng e udhëheqësve që shterojnë energjinë shoqërore, në vend se ta frymëzojnë atë.
