Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka ngritur shqetësim publik lidhur me kostot që po i shkakton buxhetit të shtetit moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës. Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në “Facebook”, Cakolli bëri të ditur se pavarësisht dështimeve të njëpasnjëshme për të konstituar Kuvendin, deputetët janë kompensuar me nga 2,600 euro secili, të cilat u janë transferuar në xhirollogaritë e tyre për pjesëmarrje në seancat pa rezultat. “Kuvendi i bllokuar qe një muaj e gjysmë. Por për deputetët, kjo nuk është problem. Sepse sot erdhën në seancë me nga 2,600 euro më shumë në xhirollogari. Si kompensim për… 24 dështime radhazi”, ka shkruar ai. Sipas Cakollit, kjo përkthen një barrë prej mbi 300 mijë euro në muaj për taksapaguesit, ndërkohë që Kuvendi nuk ka marrë asnjë vendim dhe nuk ka funksionuar në mënyrë efektive. KDI vazhdimisht ka kërkuar llogaridhënie dhe efikasitet më të lartë institucional, veçanërisht në kontekste ku qytetarët e paguajnë faturën e ngecjeve politike.
