Analisti i KDI-së, Eugen Cakolli, ka hedhur ujë të ftohtë mbi përpjekjet e Lëvizjes Vetëvendosje për të mbledhur nënshkrime dhe thirrur një tjetër seancë të jashtëzakonshme për formimin e qeverisë së re. Ai ka theksuar se një veprim i tillë nuk mund të ndodhë pa u dëshmuar më parë para Presidentes se ekzistojnë 61 vota të sigurta në Kuvend. Sipas Cakollit, rruga kushtetuese është e qartë: shumica nuk ndërtohet në sallën e Kuvendit me shpresë e improvizim, por në zyrën e Presidentes me garanci politike të plotë. Ky reagim e vendos Vetëvendosjen para një realiteti jo të rehatshëm. Tentativa për ta shtyrë procesin nëpërmjet një seance të re me kalkulime të paqarta duket më shumë si zvarritje politike sesa si zgjidhje. Deri tani, asnjë partner potencial nuk ka dhënë shenja për t’i siguruar VV-së votat e nevojshme. Në një skenë të bllokuar, mes deklaratave që lëkunden nga optimizmi tek ngërçi, mesazhi i Cakollit ngjan me një rikthim në tokë: pa 61, s’ka qeveri, s’ka seancë dhe nuk ka hile procedurale që e kalon pranë Presidentes. Kosova është prapë në pikën zero, dhe loja me numra po vërtetohet si humbje kohe për vendin.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
