Fabrika e parë e municioneve në Kosovë pritet të ndërtohet në Jahoc të Gjakovës, me prodhimin e parë të planifikuar të nisë në fund të vitit 2026. Ky projekt strategjik shënon hapin më të rëndësishëm të vendit drejt zhvillimit të industrisë së mbrojtjes dhe rritjes së kapaciteteve të veta ushtarake. Ekspertët amerikanë e vlerësojnë këtë nismë si vendimtare për forcimin e sigurisë kombëtare dhe për konsolidimin e rolit të Kosovës brenda arkitekturës euroatlantike. Koloneli në pension i Ushtrisë amerikane, Ray Wojck, thekson se Kosova gëzon një avantazh të madh falë bashkëpunimit të ngushtë shumëvjeçar me NATO-n dhe, veçanërisht, pranisë së KFOR-it. “Kosova e ka diskutuar këtë nismë veçanërisht me SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, dy nga aleatët e saj më të afërt të cilët janë shumë mbështetës për të”, deklaroi ai, duke theksuar se partneriteti strategjik mbetet çelësi i suksesit të këtij projekti. Por krahas vlerësimeve pozitive, ngriten edhe pikëpyetje të rëndësishme. Argyro Kartsonaki nga Instituti për Kërkime të Paqes dhe Politikat e Sigurisë paralajmëron se, megjithëse është logjike që një shtet i vogël të synojë forcimin e sigurisë së tij, iniciativa mund të prodhojë tensione perceptuese në rajon. Kjo nuk do t’i ndryshojë dinamikat e sigurisë në Ballkan. Ajo që mund të bëjë është të ushqejë narrativat dhe propagandën populiste të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, tha ajo.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
