FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u përshëndet me baba e nënë, me gjithë familjen e tij. Merrte rrugën e mërgimit, jo nga kureshtja për të parë Perëndimin, e as nga aventurat për të shëtitur metropoleve të mëdha të qyteteve të mëdha, por, si mijëra të tjerë, për të siguruar kafshatën e bukës. Dhe me lot në sy bashkë me të, ishte gjithë familja e tij. Nëpër mendjen e këtij mërgimtari të ri gjithçka kalonte, kujtime të mira e parandjenja të tmerrshme.

Pasi u përshëndet me të gjithë, hipi në veturë e cila filloi të ecë rrugëve me gropa të fshatit. Në çdo pëllëmbë të kësaj rruge, një mendim, një kujtim, vaj. Vetura kaloi kufijtë e fshatit dhe mori drejtimin e qytetit. Rruga dukej si e shkretë me ndonjë kalimtar të rrallë, e me plotë qenë endacak që hulumtonin në mbeturina. Edhe në qytet zymtësi, kalimtar të rrallë, ndërsa plotë milicë të armatosur të strukur nën kulmet e shtëpive, që më shumë ju ngjanin bishave se sa njerëzve.

Vetura kaloi edhe qytetin dhe mori rrugën përmes fushës. Shikueshmëri e dobët për një udhëtar të zakontë, por jo për një njeri që largohej nga vendi i tij. Çdo shikim, çdo vend, një kujtim për këtë mërgimtar, një histori. Ajo rrugë të qonte në shtëpi të dajës, kjo në shtëpi të shokut. Këtu kishte qenë me një shok, këndej kishte shëtitur me një dajë, aty kishte pushuar me një kushëri, aty, në at breg është varri i dëshmorit, mbi at majë kishte marrë pjesë në grumbullin e dhjetëmijëra njerëzve, që morën pjesë në varrosjen e ushtarit të vrarë pabesisht. Çdo kënd i rrugës, çdo breg, çdo gur, çdo dru, i lidhur me një kujtim, një mall, vaj. Pas vetes po linte vendin e tij, vendlindjen e tij.

Pasi u vendos në mërgim, për një kohë jetoi me kuriozitetet. I bënin përshtypje njerëzit, karakteret e tyre, jeta e tyre, ambienti që e rrethonte, e gjithë çka tjetër. Por, më vonë të gjitha këto i kaloi. Dhe tash, pas disa muajve, i vendosur në një fshat, me mijëra kilometra larg familjes, jeton e punon me mendje zemër në vendlindje. Punon në shi e diell, punon gjer në pesëmbëdhjetë orë në ditë dhe një gëzim në vete ndjen kur kujton momente në familjen e tij, nga puna në token e tij, te vizitat te të afërmit, apo te shëtitjet me shokë. Të gjitha ndjenjat e tij i ndrydh nevoja për disa marka, të cilat me vështirësi fitohen e që lehtë dalin nga duart. Të gjitha dëshirat e tij i ndrydh vetëm një gjë: fundi i javës me pagën javore. Në fillim i pëlqenin lulet, trotuaret, shtëpitë, rrugët, parqet, njerëzit, malet, ndërsa tash është indiferent para të gjithave! Njerëzit edhepse e përshëndesin, i duken si krijesa artificiale, artificiale i duken edhe kopshtet me trëndafile, lulet në ballkone, kënga e zogjve e çdo gjë tjetër me jetë. Çdo gjë i duket pa jetë, monotone, e mërzitshme. Kohë pas kohe sheh në ëndërr familjen, shëtit fushave të vendlindjes për të kaluar disa ditë me ato ndjenja gëzimi, për t’ju kthyer më vonë prapë monotonisë së përditshme. Ndërsa ëndërr që i sjell gëzim, është ndjenja e tij, që një ditë t’i kthehet familjes së tij, Atdheut të tij.

KTHIMI NË VENDLINDJE

Ishte natë e ftohtë e vjeshtës së vonë. Fushë e male i kishte mbuluar bora. Kthimi në vendlindje aq shumë e kishte emocionuar këtë mërgimtar, sa asgjë nuk fliste me bashkudhëtarët e tij. Shikonte nga dy anët, gjatë gjithë rrugës, edhepse në orët e vona të natës përmes dritës së zbehtë të hënës, shumë pak dalloheshin gjërat. Dukej, se natyra e vendlindjes, e kishte bërë me krah, e bënte që të mos ngopej me ajër. I pëlqente të ecte, të vraponte, por edhe të qëndronte e të shikonte. Disa herë i kishte mbushur grushtet me borë dhe për çudi, në vend të të ftohtit, kishte ndjerë ëmbëlsi! Vendbanimet pa drita në mungesë të rrymës elektrike, nuk i ngjallnin trishtim, por përkundrazi, një ndjenjë dashurie! As kontrollimet e malltretimet nuk i kishin zbehur këto emocione. Nuk i pritej sa të arrinte në shtëpi, por në të njëjtën kohë, kishte dëshirë të prehej, në at ambient, që kurrë nuk e kishte çmuar sa në at natë. Diku afër mesnatës, hyri në shtëpinë e tij, ku baba e nënë të plakur dhe gjithë anëtarët tjerë të familjes së tij i kishte zënë gjumi ulur në pritje. Bashkë me përqafimet, edhe emocione të reja, i përshkuan gjithë familjen, në at mesnatë vjeshte.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Nëpër shekuj kënga e popullit: Shaqir Cërvadiku, këngëtar i lindur në akordin e çiftelisë

Këngëtari, Shaqir Cërvadiku, ka kënduar e këndon  me tërë qenien, këndon me shpirt e zemër, …