Zyrtari i Policisë së Kosovës, Fahri Shala, ka dhënë dëshminë e tij në gjykatë lidhur me sulmin e armatosur të ndodhur më 24 shtator 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagosën disa pjesëtarë të tjerë të Policisë. Në dëshminë e tij, Shala përshkroi momentet dramatike të sulmit, duke thënë se pasi morën informacion për një bllokadë rruge në hyrje të fshatit, ai dhe kolegët e tij u nisën drejt vendit të ngjarjes. Ai vërejti se, ndryshe nga netët e mëparshme, shtëpitë në fshat ishin të errëta, çka sipas tij ishte një tregues i qartë se diçka e pazakontë po ndodhte. “Pasi mbërritëm afër kamionëve që bllokonin rrugën, dëgjuam një shpërthim të fuqishëm. Menjëherë pas kësaj filluan të shtënat e armëve nga më shumë se 20 pozicione të ndryshme,” tha Shala. Ai shtoi se pas shpërthimit, nuk i pa më kolegët e tij dhe vetëm pas disa çastesh zbuloi trupin e pajetë të rreshterit Afrim Bunjaku. Shala theksoi se grupi që kreu sulmin ishte i mirëorganizuar, i pajisur me armatim të sofistikuar dhe me njohuri të qarta taktike. Sipas tij, vendosja e sulmit pikërisht në Banjskë nuk ishte rastësi, por dëshmi e planifikimit të kujdesshëm nga një strukturë me mbështetje të fuqishme.
