Familja Ismajli: Letër falënderimi dhe zhgënjimi publik

Familja Ismajli: “Një lamtumirë që nuk e meritonte heshtjen”, letër falënderimi dhe zhgënjimi publik

Me zemër të copëtuar nga dhimbja për humbjen e vëllait tonë të dashur, Besnik Ismajli – Klaiqi, por edhe me një plagë të re që u hap në momentin më të ndjeshëm të jetës sonë – ndjejmë nevojën të ndajmë me ju falënderimin tonë të thellë, por edhe zhgënjimin që s’mund të heshtet.

Faleminderit nga zemra të gjithë atyre që na qëndruan pranë, që e nderuan me prezencë, me lot, me përqafim, me fjalë e me heshtje, një burrë që e dha gjithë jetën për lirinë e kombit.

Një falënderim i veçantë dhe i përjetshëm i takon komunitetit shqiptar në Finlandë, që i qëndroi pranë Besnikut në momentet më të vështira. Ju që u kujdesët për gjithçka, që e shoqëruat në frymën e fundit, që organizuat kthimin e trupit në Kosovë me nder e përkushtim – ishit shembulli më i pastër i solidaritetit kombëtar dhe dashurisë vëllazërore.

Faleminderit që nuk e latë vetëm.

Por sot, ne u lënduam thellë.

Vëllai ynë – ish i burgosur politik, bashkëvuajtës me Ukshin Hotin, ushtar i UÇK-së, luftëtar i UÇPMB-së, që mbeti besnik ndaj idealeve të kombit deri në frymën e fundit – nuk u përcoll ashtu siç u premtua.

Na u tha se do të ishte nderuar nga ushtarët dhe përfaqësuesit e UÇK-së në ceremoninë e varrimit. Na u dha fjala se do të vinin, se do ta bënin me dinjitet. Por kur erdhi momenti, askush nuk erdhi, dhe më e dhimbshmja: as një përgjigje nuk morëm.

Më vonë na u tha se, sipas autoriteteve shtetërore, ushtria nuk kishte marrë leje të marrë pjesë në përcjellje me nderime, për shkak se kinse emri i tij nuk gjendej në ndonjë listë zyrtare të UÇK-së.

Por kjo justifikatë nuk qëndron, sepse në varrimin e tij morën pjesë shumë ish të burgosur politik, ish-ushtarë dhe komandantë të UÇK-së që erdhën si civilë, dhe që dëshmuan se kontributi i Besnikut ishte i vërtetë dhe i njohur.

Kjo heshtje na theu shpirtin.

Jo vetëm neve si familje, por kujtimit të vetë Besnikut, i cili në vend të mbrëmjes së maturës, e kaloi rininë në burgjet e Serbisë, që zgjodhi uniformën në vend të rehatisë, që në mërgim nuk pushoi së mbrojturi idealin për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare.

Më shumë se vdekja, na dhemb mungesa e atyre që duhej të ishin aty, për ta përkulur kokën para një njeriu që nuk kërkoi asnjëherë privilegje – vetëm dinjitet për komb dhe për shokët e vet.

Sot, po e ndajmë këtë dhimbje me ju jo për të akuzuar, por për të kujtuar një të vërtetë:

Të mos harroni kurrë ata që sakrifikuan, sepse harresa vret më shumë se plumbi.

Lavdi përjetë jetës dhe veprës së Besnik Ismajlit – Klaiqi.

Turp për ata që harruan vlerën e tij në çastin kur duhej t’ia jepnin lamtumirën e fundit.

Me nder dhe dhimbje,

Familja Ismajli

Kontrolloni gjithashtu

Prof. Dr. Jeton Kelmendi: Poshtërimi i Kosovës nga Gjykata Speciale, një akt i turpshëm dhe kundër njeriut

Prof. Jeton Kelmendi PhD: KUR LIDERI DËSHIRON TË JASHTMEN TA FSHEH BRENDA VETËS

Në fushën e politikës, veçanërisht në demokracitë në zhvillim, lidershipi shpesh ngatërrohet me figurën e …