Familja emblemë e kombit shqiptar, familja e ngushtë Jashari e Prekazit, luftës për çlirimin e Kosovës i dha 20 pjesëtarë të saj, në mesin e tyre komandantin legjendar të UÇK-së Adem Jashari, kryefamiljarin, Shaban Jashari, vëllain e komandantit, Hamëz Jashari dhe 17 anëtarë të tjerë të familjes.
Përveç Hamzait dhe bashkëshortes së tij, Feride Mecini, në altarin e lirisë ranë edhe bijtë e bijat e tyre: Selvetja, Afetja, Liria, Blerimi, Fatimja, Blerina dhe Besimi. Kanë mbijetuar Besarta dhe Bekimi.
Fatime Hamëz Jashari, lindi më 27 prill të vitit 1989, në Prekaz. Ishte fëmija e gjashtë e Hamëz dhe Feride Jasharit. Mësimet fillestare i mori në shkollën fillore të Skënderajt. Fatimja ishte edukuar me dashuri për prindërit, motrat, vëllezërit e të afërmit, ajo rritej tok dhe hareshëm me bijtë dhe bijat e xhaxhallarëve. E donte tejmase gjyshin, Shabanin, i cili ishte edhe edukator i pazëvendësueshëm për edukimin e të gjithë nipave e mbesave. Gjyshi i tij Shaban Jashari kishte qenë edhe mësues. Një mësues patriot, të cilit i frikësohej regjimi okupator titist, sepse nxënësit i kishte edukuar dhe frymëzuar me idealet e çlirimit dhe të bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Pikërisht për këtë organet e atëhershme të arsimit e kishin përjashtuar nga procesi i mësimit.
Edhe Fatimja sikurse e tërë familja Jashari kishte përjetuar sulmin kur më 30 dhjetor të vitit 1991, milicia serbe e mbështetur edhe nga forcat ushtarake, kishte rrethuar Kullën e familjes Jashari. Të patrembur e të vendosur kishin luftuar tërë ditën, të vendosur për flijim, tërë familja. Fatimja asokohe ishte vetëm 2 vjeçare.
Kur kishte ndodhur rrethimi i dytë i Kullës, që kishin bërë forcat policore dhe ushtarake serbe kundër Jasharëve në Prekaz më 22 janar të vitit 1998, edhe Fatimja e kishte përjetuar rrethimin nga forcat okupatore serbe.
Ashtu sikurse tërë brezi i bijve dhe bijave të Jasharëve, Fatimja ishte në dijeni të aktivitetit luftarak të prindërve dhe bashkëluftëtarëve të tyre. Ato përcillnin lëvizjet e policisë dhe për çdo lëvizje lajmëronin gjyshin, babain apo xhaxhallarët. Sa do që e re në moshë ishte e vetëdijshme se babai dhe xhaxhai po përgatitnin diçka të madhe, të rëndësishme. Shabani, Hamza dhe Ademi nuk i fshihnin armët nga anëtarët e familjes, për më tepër ua mësonin mënyrën e përdorimit dhe të mirëmbajtjes së tyre.
Më 5 mars të vitit 1998 ushtria okupatore serbe me forca të shumta të artilerisë dhe të këmbësorisë kishte ndërmarrë ofensivën kundër Jasharëve, të cilët ishin barrikaduar në Kullën e Qëndresës. Tri ditë të tëra nuk kishte ndaluar furia e lubisë serbe kundër Jasharëve. Tri ditë të tëra kishin qëndruar të pamposhtur Jasharët. Ata kishin dhënë besë-betimin për t u flijuar në altarin e atdhut. Më 7 mars të vitit 1998 ishte përjetësuar edhe Fatime Hamëz Jashari.
Familja Jashari e Prekazit ka marrë shumë mirënjohje, falënderime e dekorata nga të gjitha instancat shtetërore të Kosovës e të Shqipërisë administrative. Për aktin heroik të kësaj familjeje, kryeadministratori i parë i Kosovës, Bernard Kushner kishte deklaruar se po të kishte çmim Nobel për rezistencë, çmimi i tillë pa dyshim do t’i takonte familjes Jashari. (Redaksia)
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
