Fatmir Graiçevci

Fatmir Graiçevci: “Guri i Betimit”, një roman për botën shqiptare në momentet vendimtare

Janë të rralla romanet që lexohen me një frymë dhe që pas çdo faqe të lexuar mëson diçka të re dhe të nxitet kureshtja për atë që do të pason në faqen tjetër. Duke kaluar nga faqja në faqe, lexuesi ndjen se si po pasurohet me informata të  veçanta dhe ngadalë dal i hapen horizonte të reja për njeriun, shoqërinë, atdheun, besën, fenë, historinë, dashurinë… I tillë është romani  “Guri i Betimit” i autorit,  Ahmet Qeriqi. Romani është i shkruar me një stil të të rrëfyerit që të bën për vete posa lexon fjalitë e para dhe duke kaluar nga faqja në faqe, ndjen se si po begatohesh me njohuri të reja për botën shqiptare gjatë kohës së errësirës-mesjetës. Dhe kur e përfundon romanin, e kupton se sa të janë zgjeruar kufijtë e njohurive në fusha të shumta dhe je shumë më i pasur me dije dhe mendim kritik se më parë për një nga periudhat më interesante të historisë së kombit tonë, atë të shekullit të XIV.

Romani  “Guri i Betimit” trajton në mënyrë mbresëlënëse botën shqiptare me të gjitha karakteristikat e saj gjatë shekullit të XIV, përballjen e saj me rreziqe të shumta dhe ndjesinë e popullit të braktisur nga perëndimi kur po përballeshin me sllavët,  që kishin arritur kulmin e fuqisë së tyre gjatë mesjetës si dhe me një fuqi tjetër në rritje, Perandorinë Osmane por më pak e dëmshme krahasuar me Mbretërinë e Dushanit dhe Kishën Ortodokse Serbe, që kishte filluar fushatën perfide për tjetërsimin e kishave të Arbrit, tjetërsimin e emrave të vendbanimeve arbërore dhe modifikimin e tyre me emra sllav, dëbimin e gjuhës shqipe nga kisha dhe mallkimin e saj. Janë këto zezona që do ta preokupojnë botën shqiptare e cila na dëftohet nëpërmjet personazheve të shumta ku secili është botë në vete, i shquar tej mase në një aspekt të caktuar dhe që ndan shqetësimin me bashkëmendimtar e bashkëluftëtar të ndryshëm,  duke gjetur shkaqet e katandisje së botës shqiptare dhe sundimin e saj nga një pushtues barbar, shtypës e vrasës e mbi të gjitha asimilues i etnisë dhe kulturës arbërore. “Ne kemi mbetur si zogjtë e qyqes. Jemi në tokën tonë, të cilën e shkelën rashjanët, jo pse ata janë më trima por sepse ne jemi të përçarë e të ndarë,…Ishin prijësit tonë që i thirrën në ndihmë atyre për me luftuar kundër njëri tjetrit. Duhet ta pranojmë vëllezër se në këto luftëra morëm pjesë edhe ne por jo për ta ndihmuar njëri tjetrit por për ta shkatërruar”, konstaton mes tjerash me shumë keqardhje e mllef personazhi, Mëhill Shaljani, i respektuar nga të gjithë për mendje kthjellësinë, gjykimin dhe largpamësinë e tij.

 Autori i romanit “Guri i Betimit”, Ahmet Qeriqi vazhdon ta shpalos më tutje botën shqiptare nëpërmjet botëkuptimeve të personazheve tjera të cilët ballafaqohen me sfida të ndryshme dhe shfaqin brengat dhe shqetësimet e tyre me të ardhmen e trojeve të arbrit në përgjithësi dhe të Drenicës në veçanti, të cilës autori i referohet me emërtimin, Drenisa. Përderisa Mëhill Shaljani paraqet arbrin mendjendritur, Nikollë Danai paraqet luftëtarin e patrembur, të fuqishëm dhe besnik. Do të jenë këto tipare të tij,  që do ta bëjnë shumë të dëshirueshëm për mbretin Dushan i cili duke ndjerë furtunën që kishte nisur nga lindja drejt Ballkanit e për të bërë tutje drejt perëndimit, donte me doemos ta kishte pranë Nikollë Danain me qindra kalorës të tij sepse e ndjente se vetëm me luftëtar të tillë mund ta mbante fronin e tij i cili po i rrezikohej nga bashkëkombësit e tij, rashjanët në njërën anë, Kisha Ortodokse Serbe në anën tjetër si dhe Perandoria Osmane nga lindja.

I gjendur nën rrethana të tilla, Mbreti Dushan shpreh keqardhje për trajtimin që i kishte bërë kleri ortodoks klerit katolik arbër dhe zotohet se do të merr masa që të ndalet përjashtimi i gjuhës arbërore nga shërbesat fetare si dhe të lejohet që ushtarët dhe kalorësia arbërore të mund të komunikojnë në gjuhën e tyre.

I vetëdijshëm që kjo nuk mjafton dhe se është pak për kontributin që do jepte, kryetrimi i Drenisës, Nikollë Danai do t’i rikthehet sërish bashkëpunimit me mbretin Dushan, bashkëpunim i cili fillimisht do ta ndalonte asimilimin e arbërve me që do të lejohej përdorimi i gjuhës, dokeve e zakoneve të tyre si dhe ritualeve fetare romane për të vazhduar me fuqizimin e pozitës së tyre në të ardhmen. Por do të jetë hapi tjetër i mbretit Dushan i cili do ta acarojë dhe mobilizojë Kishën Ortodokse Serbe për të ndërmarr hapa tjerë kundër mbretit të tyre dhe Nikollë Danait, me vrasjen mbrapa shpine, në pabesi. Duke parë fuqizimin e jashtëzakonshëm të Perandorisë Osmane, mbreti Dushan, i cili ishte vet shpallë Perandor, synon që të ofrohet me Kishën Romane dhe ta pranoj vasalitetin ndaj saj në këmbim të ndihmës nga Papati duke lënë të kuptohet se në rast se i ofrohet ndihmë nga Selia e Shenjtë, ai do ta ndërroi edhe fenë. Për të dërguar sinjale se ai admiron Kishën Romane, në mesin e delegacionit që do t’ia bënë këtë ofertë Selisë së Shenjtë, anëtar të delegacionit që do ta takonin Papën në Avonjon është edhe Nikollë Danai dhe dy klerik tjerë arbëror që kishin ruajtur me shumë mund e sakrifica përkatësinë e tyre fetare katolike. Me ta kuptuar këtë plan. Kisha Ortodokse Serbe, me në krye popin Arsenije, fillojnë të veprojnë në prapaskenë duke ndërmarr fushata vrastare e masakruese ndaj banorëve të Drenisës në njërën anë, duke organizuar prita vrastare ndaj kryetrimit të Drenisës, Nikollë Danait dhe bashkëveprimtarëve të tij dhe ndaj mbretit Dushan i cili në rast se realizonte marrëveshjen me Selinë e Shenjtë, Kisha Ortodokse Serbe do të humbiste pushtetin dhe privilegjet e saj të pafundme mbi arbrit dhe tokat e tyre…

Vrasja e Nikollë Danait në rrethana misterioze, do të shqetësojë shumë bashkëveprimtarë të tij e mbi të gjithë, bashkëshorten e tij Janinën, e cila e kishte parandjerë se diçka ogurzezë do t’i ndodhte burrit të saj që fal trimërisë, fuqisë dhe autoritetet të jashtëzakonshëm të tij, banorët e Drenisës merrnin frymë më lirshëm pas represaljeve, vrasjeve dhunimeve të shumta nga rashjanët dhe klerikët e Kishës Ortodokse Serbe të cilët kishin një urrejtje të jashtëzakonshme ndaj dokeve, zakoneve, besëtytnive e çdo gjëje që manifestonte botën arbërore.

Autori, Ahmet Qeriqi, ndonëse nuk i jep ndonjë hapësirë të madhe dialogjeve të Janinës në këtë roman, ai ja ka dal që në një mënyre krejt tjetër të paraqes vlerat e femrës arbërore. Ndonëse mbetet pa burrë në fund të viteve të 20-ta dhe kishte tipare mahnitëse të bukurisë, ajo harron veten e saj dhe tërësisht i përkushtohet mirë edukimit të djemve te saj, Miroshit dhe Fitoshit.  Në atë do të kthehet edhe zografi i shquar në trojet e arbrit, nga Perandoria  Bizantine,  Benedikt Zografi, i njohur si Bdek Zografi. Ai ishte dërguar në rezidencën e Mbretit Dushan në Prizrend gjoja për ta zografisur pallatin e tij por e vërteta është se ai ishte dërguar atje me kërkesë të priftit Damjanus për t’i qëndruar pranë gruas dhe dy djemve të kryetrimit të Drenisës, Nikollë Danai.  Përkujdesja  e jashtëzakonshme e  Janinës, Damjanusit dhe Bdek Zografit do të bëjë që Miroshi e Fitoshi të edukohen në frymën e atdhedashurisë, besës e nderit dhe ashtu sikur edhe të tjerët, edhe ata dy një ditë do ta japin besa besën mbi Gurin e Betimit, ashtu sikur e kishin dhënë shumë të tjerë para tyre se liria e atdheut është mbi të gjitha. Me këtë betim do ta nisin etapën e burrërisë, bijtë e Nikoll Danajt e Janina Nikonit, Miroshi e Fitoshi, për edukimin dhe mirëqenien e të cilëve do të kujdesen veçanërisht, përveç gjyshit të tyre nga nëna, edhe Ati Damjanus e Bdek Zografi. Bdeku do t’i tregoi Miroshit se bota reale, e gjallë e plotë jetë gjendet në Perëndim ndërsa jeta që zhvillohet në Perandorinë Bizantine është vetëm hije e jetës dhe që edukon njeriun që të jetë servil, i dëgjueshëm, puthador dhe të jetoj i nënshkruar e jo sikur edukohet në perëndim për të qëndruar e jetuar vertikalisht….

Në bisedë e sipër, urtakët e Drenisës me keqardhje konstatojnë se princërit arbëror të viseve të bregdetit të Adriatikut banorët e Drenisës i njohin ashtu sikur ua kanë paraqitur mbretërit rashjanë! E mbreti dhe princat rashjan rezerva dhe përbuzje ndaj kryetrimit të Drenisës, Mirosh Danajt nga Korpiliani, të cilin e quajnë Milosh Kopiliq, shfaqin edhe një natë para fillimit të Betejës së Kosovës, natën e 14 qershorit të vitit 1389, të cilin e quajnë trim të pabesë dhe lënë të nënkuptohet se ai ia ka shitur shpirtin, sulltan Muratit. Të nesërmen, do të jetë pikërisht Mirosh Danaj që do e vras Sulltan Muratin. Pyetjes të tij gjatë përpëlitjes mes jetës e vdekjes se përse e ia bërë këtë!?, kryetrimi i betejes, Mirosh Danai i përgjigjet: Për shkak se si pasojë e fushatës së tij pushtuese, janë vrarë mijëra njerëz të pafajshëm përfshirë edhe mijëra arbër. Tani lajmi do të merr dhenë se Mirosh Danai vrau sulltan Muratin por ishte shumë vonë sepse aleanca e krishter ishte thyer keqas, mijëra ushtar kishin rënë në fushëbetejë, mijëra të plagosur të tjerë po përpëliteshin mes jetës e vdekjes, mijëra të tjerë nisin ta marrin arratinë ndërsa princi serb Vuk Brankoviq me ushtrinë e tij po bënte sehir! Tani të gjithë e kuptojnë se Mirosh Danai ishte edukuar që shpirtin e tij t’ia fal vetëm atdheut të tij dhe askujt tjetër ndërkohë që princi serb, Vuk Brankoviq, me bashkëluftëtar ngrisin flamurin e bardhë të dorëzimit dhe shkojnë e gjunjëzohet në shenjë vasaliteti ndaj Perandorisë Osmane. Në anën tjetër, princ të tjerë të Arbërisë, me plagë të shumta e të ndihmuar nga njësi elite arbërore e me humbje të shumta, ia dalin të largohen nga fusha e betejës dhe marrin rrugën drejt zonave malore të thella për t’iu shmangur për momentin hakmarrjes së ekspeditave ndëshkuese të Perandorisë Osmane.

Autori, Ahmet Qeriqi, romanin e tij e përmbyll me një dialog mbresëlënës në mes të Janinës dhe mbesave të saj, Blega e Shega, vajzat e kryetrimit të Betejës së Kosovës, Mirosh Danaj, të cilat e pyesin: Per ku jemi nisun oj gjyshe dhe pse po e lamë kit vend me gjitha t mirat qi i ka falun Zotynë!?

Kit vend e rrmeu turku, oj bilë!

E pse e rrmeu turku!?

E mori sepse gjindja jonë isht’ prishun, ish ndamun e per[çamun. Sepse prijat po ia hanin kryet njani tjetrit, sepse rashjanet e nxinë dhe e prishen ket vend, dhe Zotynë qi ansh ndë qiellt na dënoi t’gjithëve.

Po a do të kthehemi ne ndonja her ne kto tonat troje!? Vazhdon Shega me pyetjet e saj.

Pas një ofshame të thellë, Janina përgjigjet: Zotyn ka me na kthymun, oj bilë, kur prishet turku ashtu si ishin prishun rashjanët e djallit…

Gjatë leximit të romanit, Guri i Betimit do të njohim edhe shumë doke, zakone e besëtytni, fenomenin e burrneshave shqiptare, dasmat e botën e larmishme arbërore të mesjetës dhe suksese të jashtëzakonshme të burrave të arbërit në fusha të ndryshme, art, religjion, diplomaci, rrjetin e fshehtë të informatorëve, artin e luftës dhe shumë të arritura tjera por që nuk jepnin rezultate për shkak të përçarjes së botës shqiptare dhe ndarjes së tyre nëpër feude. Mbase autori ka lënë të nënkuptohet se përderisa gjatë mesjetës, arbrit ishin të ndarë e përçarë nëpër feude e principata, sot janë të përçarë nëpër parti e shoqata! Përderisa në mesjetë bashkëpunonin me rashjanët për ta sunduar njëri tjetrin, nuk duhet shumë imagjinatë se me kënd bashkëpunojnë sot për ta dominuar njëri tjetrin. Dhe autori nëpërmjet dialogjeve në mes të personazheve mbresëlënëse e unike dëfton se bashkimi bënë fuçinë dhe na lenë të nënkuptojnë se përçarja sjell dobësinë e robërinë.

 

Fatmir Graiçevci: "Guri i Betimit", një roman për botën shqiptare në momentet vendimtare

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxha

ISA FERIZAJ: RRON E DREJTA, E VËRTETA

ENVERIZMI ATDHETAR! Erdhi serish prilli, në vendin tim; Gjetur, i ka shqipet, në fluturim. Gjet …