Brickos

Fatmir Graiçevci: Rrëfime për Çetën e Salih Rexhë Ribarit dhe trimave të tij II

Fatmir Graiçevci: Rrëfime për Çetën e Salih Rexhë Ribarit dhe trimave të tij II

Beteja në Lypovicë në  dimrin e  të vitit 1947

   Sali Rexhaj, përveç zhdërvjelltësisë, ishte I shquar edhe në taktizim dhe blerje të kohës. Gjatë dimrit të ashpër të vitit 1947, ai rrethohet në bunkerin që kishin sajuar në brendësi të kompleksit Blinaja. Sulmi kundër vend qëndrimit të tij kishte filluar me të aguar dita. Katër luftëtarët:  Salihu, Rexhepi djali i tij, Nezir Buja, dhe Zekë Luma, fillojnë rezistencën e armatosur. Me kohë e vërejnë se ishin rrethuar nga tre rrathë të partizaneve.

Sali Rexha urdhëron bashkëluftëtarët që rezistencë ta fillojnë nga bunkeri por të largohen nga aty pasi e dinte se vend qëndrimi i tyre ishte zbuluar dhe kishte vënë re se kundër tyre po bëheshin gati për t’u përdorur edhe minahedhësit.

Plani kishte fuknsionur shumë mirë. Pas një rezistence të fuqishme nga bunkeri, pushkët pushojnë dhe te eprorët e forcave partizane krijohet iluzioni se i kanë vrarë Sali Rexhën dhe bashkëluftëtarët e tij. Kjo kishte bërë që të ecin lirshëm dhe shpengueshëm drejt bunkerit dhe në çast, dëgjohet jehona e krismave të armëve të Sali Rexhës dhe bashkëluftëtarëve të tij. Në këtë kundër sulm, mbesin të vrarë e të plagosur disa  partizanë dhe të lemeritur ikin prej nga ishin nisur pak minuta më herët. Ndërkohë vihen në veprim minahedhësit duke bombarduar rreth e përqark bunkerit. Sali Rexha merr në shenjë minahedhësit por në vend të tërheqjes së qarkut, përshkon një mllef i papërshkueshëm dhe dhembshuri. Bashkëluftëtarët e pyesin se çfarë po ndodhë!?, pse nuk po gjuan!?

Dhe trimi, Sali Rxha, ua kthen:   Janë shqiptarë, janë nga gjaku ynë dhe më dhimbsen sepse janë të detyruar të luftojnë kundër nesh. Ata nuk do t’i vrasë por do godisë pajisjen e minahedhësit dhe do ta paaftësoj për të gjuajtur në shenjë. Dhe pas pak sekondave, vërehet një rrëmujë pranë minahedhësit dhe shënjestruesit e tij duke u qortuar dhe goditur nga eprorët – urdhër dhënësit*. Për pak minuta pushojnë sulmet ndaj tyre ndërkohë Sali Rexha rioganizon mbrojtjen. Ai kërkon nga bashkëluftëtarët që t’i ndërrojnë pozicionet pasi tashmë janë identifikuar pozitat e tyre mbrojtëse. Dhe nuk kalon shumë kohë, dhe forca të shumta mësyjnë furishëm drejt tyre duke qëlluar me breshëri të shumta armësh ndaj vend qëndrimeve të tyre të mëparshëm.

Nuk kishte mbetur pëllëmbë e tokës pa u goditur nga predhat, degët e lisave këputeshin nga trungu sikur pemët gjatë shkundjes prej trupave të tyre. Për një çast, sërish ndalojnë armët dhe në momentin kur forcat partizane krijojnë iluzionin se kësaj radhe I kanë vrarë armiqtë e tyre, Sali Rexha ju jep shenjë bashkëluftëtarëve që të shtinë me armë pas kundër sulmit të filluar prej tij. Kësaj radhe, ai lë anash pushkën dhe hidhet në kundërsulm me bredën italiane duke u shfaqur sheshazi, ndërsa bashkëluftëtarët  e tij kundërsulmojnë në drejtime të tjera, ashtu sikur i kishte porositur, strategu, Sali Rexha.

Në fushën e betejës mbesin të vrarë e të plagosur shumë partizan. Ndërkohë, vijnë forca të reja partizane të pajisur me më shumë minahedhës dhe fillojnë sulmin kundër bunkerit derisa e shkatërrojnë tërësisht. Por më nuk mësyjnë tutje por fillojnë ta joshin Sali Rexhen që të dorëzohet sepse nuk mund t’ia dal mban pasi është i rrethuar me tre rrathë. Sali Rexha jep sinjale që do të dorëzohet dhe kërkon ndërmjetës për kushtet e dorëzimit. Të gjithë habiten dhe marrin frymë lirshëm. Ndërkohë, Sali Rexha sajonin planin tjetër për rezistencë në orët në vazhdim. Rimbushin karikatorët, mbushin rrathët e bredës, vendosin bombat tjera në brez dhe bëhen gati për mësymje tjera.

Ai taktizon për të marrë kohë pasi e vëren se me atë intensitet të luftimeve, nuk kanë municion të mjaftueshëm për të rezistuar deri në mbrëmje. Ai fton ndërmjetësues besnik dhe në vend se të bisedoj me ta për kushtet e ndërmjetësimit, merr informata për vendndodhjen e komandës së sulmit, vend pozicionimin e trupave partizane, mundësitë për ndihmë nga bashkëluftëtarët që kishin mbetur jashtë rrethimit dhe në fund ju thoshte: Kam ndryshuar mendje, nuk dorëzohem sepse nuk pajtohem me kushtet e dorëzimit.

Dhe sërish fillonte beteja.

Sulme të dështuara e kundërsulme të suksesshme. Mandej sërish simulonte sikur do të dorëzohej por kërkonte ndërmjetësues tjerë, më bindës dhe përzgjidhte ndërmjetësues që kishin shtëpitë larg Blinajës me qëllim që të merrte kohë dhe të ofronte nata. Municionet po ju mbaronin por fal artit të marrjes së kohës nëpërmjet aktrimit të dorëzimit, kishin kaluar shumë orë dhe kishte filluar të errësohej.

Tani Sali Rexha, fal ndërmjetësuesve të shumtë, kishte shumë informata për pozicionimin e forcave armike, dinte pikat e tyre të forta dhe të dobëta, shtigjet ku kishte forca të shtuara dhe shtigje me forca të pakta në numër. Kishte edhe të dhëna mbi përqëndimin e forcave elitare të ushtrisë Jugosllave dhe forcave të rëndomta. Ndërkohë, lëshon edhe një dezinformatë. Ndërmjetësuesit të fundit i thotë se ka ndarë përfundimisht mendjen të dorëzohet por ngaqë po errësohej, nata është e pabesë kështu që do të dorëzohet posa të zbardhë dita. Pas nisjes së ndërmjetësuesit të fundit drejt forcave partizane, ai urdhëron tre bashkëluftëtarët e paepur që t’mos marrin asgjë me vete veq armëve dhe municionit dhe të përgaditen për luftime nga afërsia sepse do ta qajnë rrethimin. Derisa sajojnë planin e qarjes së rrethimit, fillon një shtrëngatë e jashtëzakonshme me borë.

Stuhia ishte aq e madhe sa krahas rënies së dendur të borës, era e fuqishme bartte borën dhjathtas e majtas, lartë e poshtë. Kjo bënte që të ngatërroheshin dhe me raste edhe të mbuloheshin gjurmët e tyre. Përveç kësaj, çeta e Sali Rexhes bëjnë edhe një manovër tjetër. Ata kthejnë opingat e tyre mbrapshtë, rrotullojnë opingat! Nën thembra vendosin anën e përparme të tyre për të shkaktuar konfuzion te përgjuesit e tyre që në rast se vërejnë gjurmët e tyre, ata të pandehin se çeta e Sali Rexhes por lëviz drejt veriut, ndërsa ata ishin duke lëvizur drejt jugut, për në Zborc, ku e lënë të plagosurin Zekë Luma te miku i tij.

Plani funksionon për mrekulli. Luftëtarët qajnë rrethimin dhe vendosen në Zborc dhe kurojnë plagët nëpër familje liridashëse. Ndërkohë, miti se trupin e Sali Rexheës nuk e merr plumbi, përforcohet edhe më shumë!!! Askush nuk mund ta shpjegonte se si është e mundur një çetë prej katër personave, e prirë nga Sali Rexha, të luftonte gjatë gjithë ditës, të vriste shumë ushtar dhe epror të Ushtrisë Jugosllave dhe të zhdukej pa shenjë e pa nishan!? Dhe në popull fillojnë të thuren tregime nga më të ndryshmet se si është e mundur që një njeri të luftoj mbi gjysmë shekulli dhe të mos marr asnjë plagë ndonëse i ishin bërë me dhjetëra prita dhe kishte marrë pjesë në dhjetëra beteja, që nga fillimi i shekullit të 20, deri në mesin e tij!? Dikush pandehte se ka diçka misterioze që mbronë trupin e tij!?, disa të tjerë se ai kishte një hajmali mistike ndërsa Sali Rexha kishte vetëm një shpjegim: Jam duke luftuar për të drejtën tonë dhe Zoti është me ne dhe kur nuk don Ai, askush asgjë nuk mund të bën.

   Vitet kalojnë, e trimi I paepur do të vazhdoj rezistencën e armatosur. Mendjet e liga të pushtuesve, do të hartojnë një plane djallëzor kundër familjeve Bebaj e Rexhaj. Pasi ua burgosin 11 djem të familjes, nga 15 – 16 vjeç deri në 70, I paralajmërojnë se në betejat e ardhshme, do tua vënë përpara ata si mburojë e gjallë deri në dorëzimin e Kadri Bebës e Sali Rexhës ose vrasjen e anëtarëve të familjarëve të tyre gjatë luftimeve mes tyre. Kadri Beda e Sali Rexha, ishin vënë para një sprove të jashtëzakonshme. Kishin harruar djegien e kullave të tyre, torturimin çnjerëzor të djemve para fëmijëve, grave e pleqve dhe konfiskimin e krejt pasurisë së tundshme dhe lënin e familjarëve të tyre nën qiellin e hapur të dimrit të acart, pasi kullat e odat ua kishin bërë shkrumb e hi.

Salihu dhe Kadriu  vendosin të mos dorëzohen por të vazhdojnë rezistencën e armatosur dhe ta mbajnë ndezur flakadanin e lirisë. Nga informatorët e tyre njoftohen se janë shtuar radhët e shqipfolësve dhe denoncuesve të tyre. Mësojnë se Shërbimi Sekret Serb, mes tjerëve ka angazhuar edhe barinjtë për të kontrolluar lëvizjet e tyre duke hulumtuar me të aguar nëpër rrugët e ndryshme, duke kontrolluar nëpër pluhur, borë e baltë se në cilat rrugë ka gjurmë të opingave!!! Përveç kësaj, spiunët kishin treguar pa dashje se janë duke vëzhguar edhe lëvizjet e familjarëve të tjerë dhe hyrje daljet e mysafirëve të ndryshëm. Nuk ishin mjaftuar me kaq por kishte filluar edhe vëzhgimi  i familjeve për të cilat me arsye dyshonin se ishin jatak të luftëtarëve të NDSH-së. Hafijet kishin pyetur të rinjtë e familjes se përse vite më parë, gjithë plehun e bagëtive e hidhnin në ara brenda pak ditëve të vitit ndërsa tani në çdo javë dërgojnë një qerre pleh në ara, mandej në çdo javë marrin një kerr dru e jo si më parë kur për disa ditë siguronin drutë e dimrit për gjithë vitin dhe më nuk shkonin në mal!?

 Familjarët ishin përgjigjur se burgosja e meshkujve ua ka çrregulluar ritmin e jetës dhe se tani kishin filluar secili të punonte kokë më vete prandaj punët nuk kryheshin sikur më parë. Familjarët e kishin kuptuar se janë të mbikëqyrur dhe njoftojnë Kadri Bebën e Sali Rexhën edhe më shumë të dhëna tjera. Të dy e kuptojnë se tani e tutje dërgimi i ushqimit të tyre duke futur në brendi të kerrit për tua dërguar në ara, livadhe apo mal, mund të dekonspirohet dhe rezistenca e armatosur nëpër vende ku kishte prani të civilëve, mund të kishte pasoja fatale për civilët që punonin në ara, male e livadhe! Për të pamundësuar gjurmimin e tyre, Kadri Beba e Sali Rexha fillojnë të strehohen në familje që kishin bagëti të ima, dele e dhi.

Jatakët e tyre, që ndanin kafshatën e gojës për luftëtarët e lirisë, tani po jepnin edhe një kontribut tjetër, në shkatërrimin e gjurmëve të çetave të çlirimtarëve. Posa luftëtarët e lirisë, dilnin nga shtëpitë e tyre, ata lëshonin delet e dhit që të mos vërehej asnjë gjurmë e tyre. Jo rrallë here kishin vepruar kështu vëllezërit, Tahir e Muharrem Qeriqi nga Krojmiri ( nipa të Kadri Bebës e Sali Rexhës ) mandej familjet e Tahir, Beqir e Hazir Bajramit nga Pjetërshtica e familje të tjera.

Kadri Beba me djalin e tij Mustafën disa herë janë strehuar te miku i tyre Mulla Emin Miftari i Krojmirit, ku Kadriu e  kishte  dhënë bijën e tij, Xhevahiren, për djalin e Eminit, Aliun .

 Këto familje kishin edhe bij të tyre të rreshtuar në formacionet ushtarake të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare.

 Përkundër vështirësive të shumta, Sali Rexha me çetën e tij, vazhdonte rezistencën e armatosur. Për të krijuar përshtypjen se numri I luftëtarëve të NDSH-së është i madh dhe se nuk është zvogëluar, ai aksionet i shtrinë në fshatra e krahina të shumta. Por kjo edhe e kishte dërmuar. Përveç kësaj, jeta e gjatë nëpër male, sidomos dimrave të acartë dhe jeta nën qiellin e hapur, ju kishin shkaktuar shumë plagë në këmbë.

 Mandej keq ushqyerja, vitet e rënda si tunxhi nën robëri, ofrimi I pleqërisë, kishin bërë të veten. Kjo ia kishte pamundësuar të qëndroj për kohë të gjatë nëpër male e vendstrehime në natyrë dhe rritur nevojën për të kaluar më shumë net nëpër familjet që ju ofronin strehim dhe të ngrohnin gjymtyrët e tyre, thuaja të ngrira nga acari.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Vazhdojnë bombardimet e NATO-s kundër caqeve serbe. Lufime të ashpra po zhvillohen edhe në brezin kufitar sidomos në Koshare. (E premte 30 prill 1999)

Ahmet Qeriqi: Vazhdojnë bombardimet e NATO-s kundër caqeve serbe. Lufime të ashpra po zhvillohen edhe në brezin kufitar sidomos në Koshare. (E premte 30 prill 1999)

Moti ka filluar të përmirësohet dukshëm. Edhe gjelbërimi sa vjen e pi i vishet tërë …