Fatmir Graiçevci

Fatmir Graiçevci: Rrëfime për Çetën e Salih Rexhë Ribarit dhe trimave të tij I

 Janë të shumtë heronjtë e kombit e atdheut që gjithë jetën vepruan me vetë mohim për çlirim e bashkim kombëtar por shumë pak dihet për ta! Në mesin e tyre është edhe Sali Rexhë Ribari-Graiçevci.

Një nga të veçantat e tij ishte edhe mbajtja e armës gjithmonë pranë trupit. Bashkëluftëtarë të tij tregojnë se ai armën e mbante pranë edhe kur ushqehej. Kishte zakon që kur ulej këmbëkryq, pushkën ta mbante sipër ose anash trupit e jo varur në muri, sikur e mbanin bashkëluftëtarët e tij.

Mbase jeta e rëndë nëpër male e prita, tradhtia mbrapa shpine, kishte bërë që vetëm armës së tij t’i besonte sepse ajo nuk e kishte tradhtuar asnjëherë, as kur kishte goditur për të marrë hak sipas zakonit, mbi vetull. Fliste tepër pak por kur merrte fjalën, dëgjohej me vëmendje maksimale, nga të gjithë. Nuk fliste për asnjë plan që nuk mund ta realizonte. Në mendime ishte konciz dhe nuk negocionte aspak.

 

    I lindur në fshatin Ribar i Madh të komunës së Lypjanit, në vitin 1883  dhe i  rritur gjatë luftës për çlirim nga Perandoria Osmane, Sali Rexha duket se është frymëzuar me heroizmat e luftëtarëve që luftonin me vetë mohim për çlirim dhe bashkim kombëtar, sikur ishte heroizmi i Mic Sokolit, Sefë Koshares, Ali Ibrës, Sylejman Vokshit, Isa Boletinit,.. e qindra e mijëra liridashësve tjerë shembullor.

Sali Rexha, qysh i ri  kishte nisur ta përdor armën. Pushkën në krahë e kishte vënë rreth moshës 16 vjeçare, kur së bashku me djalin e axhës, Kadri Beba ( rreth 18 vjeç ) kishte marr hak për vrasjen e babait të tij, Rexhë Ribarit.

Jeta e rëndë në robëri dhe vrasja e prindërve të tyre, fillimisht Bebë Ribarit,( baba i Kadri Bebës ) në rrethana tragjike në fshatin Terpezë të Vitisë dhe pak vite më vonë, vëllaut të Bebës, Rexhë Ribarit ( prindi i Sali Rexhës ), dhe djalit të Bebës, Halil Bebë Ribarit, të vrarë të dytë në Ribar të Madh, kishte bërë që kushërinjtë e parë, Kadri Beba dhe Sali Rexha të pjekën para kohe dhe të ballafaqohen me vështirësitë  të shumta dhe kishin marrë hak shumë fish për vrasjet në pabesi, mbrapa shpine, të prindërve e vëllezrëve të tyre, që ishin vrarë në Ribar të Madh.

Kadriu e Salihu, qysh gjatë moshës së njomë ishin vënë para shumë sprovave, vështirësi nga të cilat nuk ishin thyer por ishin kalitur dhe përgatitur për t’u përballur me sfida edhe më të mëdha, përball të cilave i vuri jeta e rëndë nën robëri. Përballja me pushtuesit e kohës në njërën anë, dhe hakmarrjen, që buronte nga mendësia e kohës dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit, nga ana tjetër, kishte bërë që djemtë e axhës, kushërinjtë e parë, Kadri Bebë Ribari e Sali Rexhë Ribari të jenë syçelë gjatë gjithë kohës dhe mos ndalonin asnjëherë së angazhuari për komb e atdhe dhe në rimëkëmbjen ekonomike, e cila disa here iu ishte rrënuar me themel nga pushtuesit e kohës. Por kjo nuk i kishte ligështuar, përkundrazi, i kishte motivuar edhe më shumë për t’u angazhuar për çlirim e bashkim kombëtar, deri në rënien heroike, në krye të detyrës, për bërjen e Shqipërisë etnike, një dhe të vetme, anekënd kah shtrihej kombi shqiptar.

 Për shkak të rezistencës kundër   regjimit despotik dhe antishqiptar të Mbretërisë Serbo – Kroato – Sllovene, ata ishin shpallur armiq të regjimit serb. Pas keqtrajtimeve  të shumta, Kadri Beba arrestohet nga  njerëzit e pushtetit, të cilët e dënojnë me burg të rëndë për pjesëmarrje në rezistencë dhe një pjesë të konsiderueshme të dënimit e kalon në burgun e Pozharevcit. Sali Rexha vazhdon jetën ilegale, nëpër malet anekënd Kosovës duke bashkëpunuar me luftëtar të shumtë që po bënin rezistencë të armatosur.

Ishin vite të rënda me dimra të acartë e vera të thata që lenin hambarët bosh. Sikur të mos mjaftonin këto, pushteti i kohës ( MSKS ), Kadri Bebës e Sali Rexhës ia konfiskon dhjetëra hektar tokë ( male, ara e livadhe ) dhe në to vendosin kolonë malazezë. Por kishin kaluar vite dhe këta dy atdhetar e nacionalist të përkushtuar, kishin krijuar një kulturë pune në familjen e tyre të gjerë dhe kjo kishte bërë që kjo familje shumë shpejt ta rimerr veten dhe të konsolidohet sërish ekonomikisht dhe t’i riblejnë një pjesë të pronave të veta nga kolonët malazezë si dhe të blejnë prona tjera nga banorë vendas. Krahas punës së përkushtuar në bujqësi, nuk mungon për asnjë moment angazhimi në aspekte tjera për komb e atdhe. Tanimë familjet Rexhaj e Bebaj, numëronin dhjetëra anëtar dhe secili kryente detyrat e veta me përkushtim dhe seriozitet të jashtëzakonshëm. Kush në ara, kush në mal e livadhe, më të vegjlit me bagëti ndërsa më të pjekurit kujdesseshin që Salih Rexhës, që shumicën e kohës jetonte ilegalisht maleve, të mos i mungonte asgjë. Me raste ndihmonin edhe bashkëluftëtarët e tij, me ushqime e veshëmbatje apo me informata të ndryshme, që me raste ishin qenësore për ta shmangur rënien në prita.

 

Janë të shumta pritat e betejat me të cilat ishte ballafaquar Sali Rexha. Ndonëse nuk kishte përgatitje shkollore në artin e luftës, jeta me dekada nëpër male e pjesëmarrje në beteja të shumta, kishin ndikuar që ai të bëhej një luftëtar i pashembullt. Bashkëluftëtarët e tij tregojnë se ai kishte një besim të patundur se trupin e tij nuk do ta prekin as edhe njëherë plumbat e armikut, sepse nuk bënte luftë pushtuese por mbrojtëse, se nuk vriste për të poshtëruar askënd por luftonte për kthimin e dinjitetit dhe vënien e drejtësisë në vendin e saj. Janë të shumtë bashkëluftëtarët e tij që kanë rrëfyer se pas çdo beteje, rrobat e tij ishin të përshkuara tej e përtej nga plumbat por as edhe një gërvishtje nuk kishte në trupin e tij!

 

Kjo kishte bërë të ndërtohej edhe një mit se trupin e Sali Rexhë Ribarit nuk e merr plumbi. Se ka diçka misterioze që shmangë plumbat e zbrazur drejt tij!!! Kishte edhe spjegime se ai kishte një hajmali që shmangte plumbat nga trupi I tij! Janë interesante edhe disa rrëfime të bashkëkombësve të tij, të angazhuar në radhët partizane.

Janë të shumtë ata që kanë treguar se me të marrë vesh se në krye të trimave është Sali Rexha, të gjithë i kaplonte paniku dhe luteshin që të mos ndesheshin me ta. Shumë herë edhe kishin devijuar rrugën, me të shfaqur të dyshimeve se Sali Rexha ndodhej aty me bashkëluftëtarët e tij të sprovuar. Ishte ndërtuar një botëkuptim se askush nuk mund t’i shmangej plumbave që shkrep pushka e tij pasi ai ishte edhe një shenjëtar i jashtëzakonshëm. Janë të shumta tregimet që dëshmojnë se si ai asnjëherë nuk kishte huqur në goditjen e shenjës, në garat që bëheshin gjatë dasmave, kur krushqit merrnin në shenjë për të treguar se cili është më i shkathtë në goditjen e shenjës. Sali Rexha, përveç që godiste shenjën gjithmonë, ai karakterizhej edhe me shpejtësinë e jashtëzakonshme në marrjen e shenjës. I mjaftonin dy tre sekonda koncentrim për të marrë në shenjë dhe goditur sakt në vendin që ia kërkonin. Ishte edhe një e dhënë tjetër që kishte bërë që atij t’ia kenë shumë frikën – të gjithë ata që i dilnin përball. Ishin të shumta rastet që kishin pësuar prej tij – të gjithë ishin goditur mbi vetull, asnjë mbrapa shpine!!!

     E kaluara e tij nëpër male e prita, lufta kundër pushtuesve në njërën anë dhe bashkëpunëtorëve të tyre në anën tjetër, dhe kujdesi nga hakmarrja e familjeve ndaj të cilëve kishte marr hak për shkak të vrasjeve në pabesi, kishte bërë që Salih Rexhë Ribarit, t’i besohen detyra delikate dhe që kërkonin zhdërvjelltësi të jashtëzakonshme. Një ndër to ishte edhe sigurimi i kompleksit pyjor Blinaja, ku do të mbahej Kongresi i Lipovicës, detyrë të cilën e kryen me përgjegjësi të jashtëzakonshme, së bashku me Azem Bellaqevcin dhe trimat e përzgjedhur të tyre.

   Janë të shumta betejat në të cilat Sali Rexha kishte treguar një heroizëm të pashoq, si në Kosovën Lindore, Blinajë, fshatin Hoqë mbi Prizren dhe vende tjera. Duke rikujtuar këto beteja, bashkëluftëtarët e tij tregojnë se Sali Rexha nëpër beteja, zakonisht  luftonte në këmbë dhe nuk preferonte të shtrihej asnjëherë barkazi apo në gjunjë. Mustafë Kadri Beba, shpesh tregonte se kishte raste që numri i madh i partizanëve dhe teknika luftarake bënte që tek ne luftëtarët e rinj të NDSH-së të shfaqej një dozë frike dhe pasigurie por mixha Sali, me mjeshtrinë e tij, bënte që të rivendosej siguria dhe besimi në fitore. Me zhdërvjelltësinë e tij të jashtëzakonshme, ai bënte që radhët partizane të ndalonin hapërimin drejt tyre nesh dhe të zmbrapseshin nga ishin nisur. Ishin të shumta rastet kur Sali Rexha ju thoshte bashkëluftëtarëve se ai mund të vras edhe shumë më shumë por nuk do sepse në mesin e partizanëve ka edhe bashkëkombës shqiptarë që janë rekrutuar dhunshëm e ka edhe ushtar të rinj të kombeve tjera që janë të pafajshëm dhe të detyruar të luftojnë.

Prandaj nuk vras të tillët por vetëm urdhërdhënësit e tyre, eprorët që jepnin urdhër për sulm. Ishin të shumta rastet që gjatë betejave, Sali Rexha ju drejtohej atyre që komandonin që mos të urdhërojnë ushtarët e rinjë për mësymje në betejë e të fshihen pas tyre por nëse janë burra e trima, le të ju prijnë atyre! Kjo na jepte zemër dhe na bënte të besojmë se jemi të pamposhtur ndërsa në anën tjetër, ua zvogëlonte vullnetin për luftë ushtarëve e eprorëve të dushmanit, rrëfente Mustafë Kadri Beba, luftëtar I NDSH-s-,nga mosha 18 vjeçare. Ai shtonte më tutje se kur mixha Sali me zërin e tij të fuçishëm, ju drejtohej kundërshtarëve që të mos urdhërojnë ushtarët e ri për sulm por të ju prijnë atyre, kjo i irritonte pa masë forcat kundërshtare dhe demaskonte trimërinë e shtirur të eprorëve të radhëve partizane përballë ushtarëve të tyre. Pas çdo beteje, rrobat e mixhës Salih ishin të shpuara tej përtej nga plumbat e me raste dukeshin sikur lecka por për çudi, në trupin e tij nuk kishte as edhe një gërvishtje të shkaktuar nga plumbat.

Ai shpesh na drejtohej me fjalët: Kur do të bindeni se trupin tim nuk do ta prekin kurrë plumbat e dushmanit, as të mbretit, e as të Titos e partizanit!? Prandaj unë nuk kam pse të qëndroj mbrapa lisave apo në istikame kur luftoj sepse e ndjej se është Zoti ai që na ka fal shpirtin dhe nuk ka kush që mund të na e marr pa lejen e tij. Dhe unë e dij që nuk kanë për t’ma marrë jetën plumbat e dushmanit! Pas përfundimit të këtyre fjalëve, kujdesej për armët e tij, i fshinte, i pastronte mirë e mirë dhe i vendoste në prehër ose anash trupit ndërsa bashkëluftëtarët e vështronin me habi.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një ditë pushim në Grykën e Shpëtimit (E enjte 22 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Një ditë pushim në Grykën e Shpëtimit (E enjte 22 prill, 1999)

Sot kam vendosur të qëndroj në Grykë për të mësuar se si po gjallohet këtu …