Fatmir Graiqevci

Fatmir Graiçevci: Teoria e Teodor Adornos për personalitetin autoritar dhe shoqëria jonë

Janë tejet interesante disa mendime të teoricienëve të shquar, të cilët derisa i lexon, të bëhet sikur kanë shkruar për kohën dhe vendin ku jeton lexuesi. Një ndër ta është edhe filozofi, psikologu, politologu, sociologu e muzikologu gjerman, Teodor Adorno (1903 – 1969). Në mesin e veprave të shumta të tij është edhe libri “Personaliteti autoritar”. Konstatimet që bënë ai në këtë vepër, hedhin dritë edhe mbi realitetin tonë të sotëm. Mbase kjo karakteristikë, i bënë shkencëtarët të admirueshëm dhe të lexueshëm nga njerëz të kombeve, feve e racave të ndryshme, në kohëra e hapësira të ndryshme. 

  Në librin “Personaliteti autoritar” ( 1950 ), studiuesi i fushave të ndryshme, Teodor Adorno, kryesisht trajton marrëdhëniet në mes personalitetit autoritar dhe shfaqjes së pushteteve autoritare, me theks të veçantë -fashizmit. Adorno konstaton se një nga shkaqet e shfaqjes së fashizmit është dominimi i personalitetit autoritar te shumica e njerëzve të një kombi a shoqërie. Këto konstatime të tij, bëhen edhe më të besueshme kur merret parasysh fakti se ai jetoi dhe studioi në Gjermaninë e kohës së mbëltimit dhe fuqizimit të fashizmit. Se cilat ishin pasojat e tij, dihen – rreth 50 milionë njerëz të vrarë, dhjetëra miliona të tjerë të plagosur e internuar si dhe shtete e shoqëri të shumta thuaja të rrënuara tërësisht nga Lufta e Dytë Botërore. Studiuesi i shumëanshëm, Teodor Adorno mendonte se një nga faktorët më të rëndësishëm që mundësuan shfaqjen dhe fuqizimin e fashizmit, ishte personaliteti autoritar i shumicës dërmuese të kombit gjerman, gjatë dekadave të para të shekullit 20. Psikologët e shpjegojnë me faktorë të ndryshëm psikologjik krijimin e personaliteti autoritar. Ata besojnë se ky personalitet fillon nga faza e fëmijërisë së hershme, nga beteja mes egos dhe superegos dhe debaklit që pëson e para ( ego ) nga e dyta  ( superego ). Kjo bënë që njeriu me personalitet të tillë, të jetë tejet i dëgjueshëm në raport me eprorët e tij por shumë arrogant në raport me vartësit.

Janë të shumta rastet e tilla në shoqërinë tonë por çka është më e keqja, kemi të bëjmë me njerëz që janë ekstremisht autoritarë dhe është neveritëse kur sheh të tillët se si ju servilosen eprorëve të tyre, duke miratuar me buzëqeshje çdo pohim të shefit, edhe nëse ai flet marrëzira e pa asnjë grimë logjike, ose se si ua marrin çantat dhe ecin pas tyre, me një përulje ekstreme.

Kur sheh njeriu të tillët, nuk ka se si të mos neveritet kur sheh se deri ku është në gjendje të vet poshtërohet njeriu duke shfaq gatishmërinë për të zbatuar urdhrat e eprorit por edhe t’i vjen keq edhe nga fakti se ku është katandisur ky soj i njeriut. Por posa të tillë puthador e sahan lëpirës janë përball vartësve të tyre, të bëhet se ke të bësh me tjetër njeri, me ata me personalitet të shumëfisht.

Ngrit tonin pa pikë arsye, urdhëron me prepotencë e arrogancë, me raste di edhe të kërcënojë apo edhe të ju sulet të tjerëve fizikisht por posa merr vesh se i sulmuari është familjar i ndonjë të pushtetshmi, ndalon në çast, stepet, heq dorë nga roli i urdhërdhënësit dhe merr rolin tjetër, atë të puthadorit, sahanlëpirësit dhe ndryshon tonin e komunikimit, nga një tonë i lart e urdhërdhënës, në një tonë pëshpëritës, ashtu sikur e mësojnë religjionet njeriun se si duhet lutur perëndinë. Dhe tani njeriu nuk arrin më ta kupton se kujt po i drejtohet ky soj puthadori neveritës: njeriut aspo Perëndisë!?

Ndonëse psikologët krijimin e këtij personaliteti e shpjegojnë me raportin konfliktual mes EGO-s dhe SUPEREGO-s, kam përshtypjen se në botën shqiptare janë edhe faktorët tjerë që kanë ndikuar në krijimin e këtij karakteri neveritës të njeriut. Dhe duket se një rol vendimtar e ka historia jonë dy mijë vjeçare.

Jeta nën robëri për një periudhë kaq të gjatë kohore, duket se në mesin tonë ka krijuar një njeri me personalitet të tillë, pra autoritar. Të qenurit njeri me personalitet autoritar nën robëri, ka sjellë përfitime të shumta, qoftë në të ardhura materiale, privilegje, ngritje në hierarki, e me raste edhe pushtet mbi njerëzit e gjakut, fisit e kombit.

Kjo ka bërë, që ky soj i njerëzve, të jenë tejet të dëgjueshëm në raport me eprorët, sa që kanë shfaqur gatishmëri maksimale për të zbatuar urdhrat e tyre, edhe nëse ata ishin antihuman e të paarsyeshëm. Janë të shumta tregimet e të burgosurve politikë që tregojnë se më shumë na torturonin bashkëkombësit tonë se sa ata serb! Dhe përderisa ndaj të burgosurve duarlidhur shqiptar bënin ujkun, kur ishin përball eprorëve të tyre, që zakonisht ishin serb, ishin si lepuj. Kishte të tillë që për ta dëshmuar besnikërinë dhe gatishmërinë për të ju shërbyer eprorëve me një përkushtim dhe besnikëri që do t’ua kishte zili edhe qeni, njerëzit duarlidhur apo edhe të pa pushtet, i trajtonin në mënyrën më mizore, pa asnjë grimë keqardhje apo mëshirë, duke i torturuar deri në alivanosje e me raste edhe deri në frymën e fundit –mbytjen e tyre! Por sot është mirë, që ky soj i njerëzve nuk shkojnë deri në këtë masë, jo për shkak të humanizmit të tyre por sepse eprorët e tyre nuk kanë guxim për t’i këshilluar për të bërë gjëra të tilla por ja që gjejnë mundësi tjera, ky llum i shoqërisë, për ta shfaqur karakterin e tyre neveritës.

Sa herë përballen me vartës të tyre, gjatë gjithë kohës krekosen, manifestojnë pushtet, guxim, ngritin tonin gjatë komunikimit, derisa ju has sharra në gozhdë dhe mandej në çast nisin ta luajnë për mrekulli rolin e puthadorit, sahanlëpirësit, të qenit që ecën me bisht nën shalë pas zotërisë, duke pritur ndonjë kockë për ta lëpirë në këmbim të shërbimit të dhënë me shumë zell e përkushtim, zell e përkushtim që të tjerëve, njerëzve me dinjitet, ju shkakton neveri! Por a do të çrrënjoset ky soj njeriu me karakter neveritës!? Vështirë, shumë vështirë. Mbase ky ves i pështirë, për ta bërë trimoshin përball vartësitë, dhe puthadorin ndaj eprorit, ka kaluar në gjene.

Fundja e fundit, a nuk na mëson kështu edhe teoria e evolucionit, që ato shprehi apo sjellje që na mundësojnë të mbijetojmë, lëshojnë rrënjë e përforcohen, sa më shumë që i përdorim. Dhe fatkeqësisht, për dy mijë vite me radhë, për këtë soj të njerëzve, kjo ka qenë mënyra më e lehtë për të mbijetuar, anipse e pa dinjitetshme. Po sot e kemi njerëz të tillë!? Fatkeqësisht mjaftë! Mjafton të gërmosh pak në të kaluarën e tyre, sidomos te ata me aktivitet të dendur nëpër parti politike. Janë të shumtë, që sot hedhin vrer kundër partive pa pushtet apo edhe ndaj atyre që janë prapa grilave, duarlidhur. Ama është interesant nëse gërmon në të kaluarën e tyre, kur partia, militant të së cilës janë, ishte në opozitë, pa pushtet, ndërsa partitë opozitare, ishin në pushtet. Atëherë tjera preferenca kishin dhe për të tjerë njerëz bënin tifo, e me raste edhe t’i nxirrnin sytë!!! Atëherë, ta ngritnin zërin, nëse ua kritikoje partitë në pushte ( që sot janë në opozitë ), të cilave me një zell e përkushtim të pashoq, ua bënin argatin e avokatin, edhe kur një shërbim i tillë nuk ju kërkohej nga padronët e partive apo eprorët e tyre. Përse!? Sepse të tillë janë njerëzit me pushtet autoritar, të dëgjueshëm deri në pështirosje ndaj të pushtetshmëve, kushdo qofshin ata, edhe djaj po të jenë, dhe arrogant, mizorë e ndëshkues ndaj atyre që janë të pa pushtetshëm, edhe engjëj po të jenë!

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Kjo teori e vjetër, që po serviret sot, se Kosova është komb tjetër, është absolutisht tradhtare

Është e vërtetë që ju dhe të gjithë shqiptarët e ndershëm indinjoheni dhe e hidhni …