HAKI HOXHA – PATRIOTI E VEPRIMTARI I PALODHUR PËR LIRI

HAKI HOXHA – PATRIOTI E VEPRIMTARI I PALODHUR PËR LIRI

Haki Hoxha i burgosur politik;

aktivist i Lëvizjeve Popullore;

i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës

i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës;

i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare;

i Ushtrië Çlirimtare për Peshevë Bujanovc e Medvegjë.

 

Skurtazi, fëmijëria dhe rinia

Edhe në kohët më të vështira robërie, gjenocidesh e luftërash shfarosëse, popujt mbijetuan e vazhduan ekzistencën. Luftuan, lindën e rritën breza të tërë. Këso kushte ekzistencë mbijetese e luftërash, e përcollën edhe popullin shqiptar.

Në këso rrethanash, në mes dy luftërash botërore, më 1930, u lind në Bllacë të Suharekës, atdhetari, veprimtari e luftëtari për liri, Haki Pajazit Hoxha.

Edhe brezi i Haki Hoxhës po rritej, në kushte të rënda robërie. Pushtuesi, po mbillte uri, po digjte me zjarr e hekur treva të tëra, duke arritur shpërngulje masive të popullsisë shqiptare për në Turqi. Në këto kushte e rrethana, do të kalonte fëmijërinë Haki Hoxha.

Lufta e Dytë Botërore, e ndërpreu përkohësisht këtë gjenocidit dhe këtë shpërngulje masive të shqiptarëve. Haki Hoxha kishte prindërit edhe një vëlla më të vogël, Sejdiun. Edhe pse shumë i ri, i bie edhe atij barra, e punë për ekzistencë. Do të merrej me ato pak bagëti e tokë që kishin e punë të ndryshme, që sigurohej me vështirësi të mëdha ekzistenca minimale.

Në këtë periudhë, arriti të bënte disa klasë mësimi në gjuhën serbe dhe disa tjera në gjuhën shqip, në periudhën e Luftës së Dytë Botërore.

Mbarimi i Lufës së Dytë Botërore, Haki Hoxhën do ta gjente 14 – 15 vjeç.

Si i ri dhe tutje, nëpër ndeja odash; në dasma e ahengje të tjera familjare, do të ndiqte me shumë interesim bisedat, për Tahir Berishës, Sadik Ramës e burrave tjerë të mençur. Ishte shtatë vjeç, kur të nxitur nga pushtuesi, vritet Ramë Bllaca, bashkëfshatari i tij.

Si i rritur nëpër oda, do të mësonte për ngjarje të ndryshme historike, për personalitete si Shabn Polluzhën, Mehmet Gradicen me shokë, për Ibrahim Lutfiun, Gjon Sereçin, Rifat Berishën, Zenun Kepen. Mandej, do të dëgjonte edhe mësonte për Hasan Remnikun, Ferat e Nexhip Dragën, për Mulla Idriz Gjilanin etj. Frymëzohet dhe edukohet nga rapsodët popullor si Riza Bllac etj. me këngët për Ramë Bllacën, më vonë edhe për Isa Boletinin, Bajram Currin, Azem Bejtën, Avni Rrustemin, Hasan Prishtinën, Ahmet Delinë etj.

Këto figura patriotësh, udhëheqësish e luftëtarësh, do të ndikonin në formimin e karakterit të Hakiut. Ishte tepër human, por edhe rebelues e i papajtueshëm me të keqen, me padrejtësitë.

Siç dihet tanimë, ne mbarim të Luftës së Dytë Botërore, do të vazhdonte golgota shqiptare. Shpërngulen mbi 500 mijë shqiptarë, që ishte vazhdimi i përzënies masive, midis dy luftërave botërore.

Haki Hoxhën, gjendja e rëndë ekonomike e detyron të shkonte në kurbet, për të siguruar mbijetësën për familjen. Atje do të kryente punë të rënda krahu. Pas disa vitesh kthehet në vendlndje.

Pushteti lokal, duke i njohur cilësitë e aftësit tij, e ftojnë të punojë si milic.

Ndonëse dukej zbutje e pushtetit ndaj shqiptarëve, por në fakt vazhdonte e maskuar ndjekja, burgosja e persekutimi i tyre.

Kështu, sa ishte në këtë punë, Haki Hoxha do të dëgjojë për burgosjen dhe dënimin e mjaft të rinjve, si të Adem Demaçit me shokë dhe të Fazli Greiçevcit; më vonë do ta mësonte se ky i ri, që u vra në burg, ishte Fazli Greiçevci – mësue e poet.

Haki Hoxha më pas, shpesh do të fliste për këtë të ri, po dhe për të tjerët, me dashuri, nderim e respekt të madh. Afërsisht, në këtë periudhë të arrestimeve e vrasjeve, Haki Hoxha vednosi të largohej nga puna si milc. Elementet e pushtetit, siç u tha, e njhnin mirë personin e tij, prandaj bënë shumë përpjekje, që ta mbanin në radhët e veta.

 

Shërbimi ushtarak dhe arratisja

Ndërkohë, e thërrasin në shërbim ushtarak jugosllav. Nuk dëshiron të shërbejë në këtë ushtri. Pas shtatë muajsh, në janar të viti 1958, arratiset nga kazerma. Arrin në Kosovë, në rrethin e Ferizajt, duke jetuar i fshehur, për një muaj. Nga spiunazhi, hetohet dhe kapet, dhe dënohet me 18 muaj duke e dërguar në Zenicë të Bosnjës. Aty keqtrajtohet, si I burgosur shqiptar. Duke modifikuar një si tip arme prej brumi buke, dhe me shkathëtësinë e trimërinë që e dallonte, arrin t’i çarmatosë rojet dhe përsëri arratiset, por tashmë nga burgu. Por duke mos e njohur mirë terrenin e vendet nga lëvizte, zihet dhe arrestohet, dhe e prapë e dërgojnë në burg për ta vazhduar dënimin.

Pas mbarimit të burgut, menjëhërë e thërrasin përseri në shërbim ushtarak, duke e dërguar në Sarajevë. Do të qëndrojë vetëm një muaj, pasi nuk donte t’i shërbente armatës jugosllave. Do të arratisej për të tretën herë. Për t’i humbur gjurmët, së bashkë me shokun e tij, u larguan në rrugë të kundërt, pra drejt Kroacisë. Prej andej, pas një udhëtimi të vështirë, arrijnë në Kosovë.

Brenda pak dite, së bashku më vëllain Sejdiun, nisen fshehtas nga Kosova për në Maqedoni, me qëllim, kalimin në Shqipëri. Arratisjet prej kazermave e burgut, e kishin kalitur dhe krijuar përvojë. Përsëri do të udhëtonin nëpër shtigjet më të vështira, duke arritur në territorin e shtetit shqiptar. Fshatarët i strehonin, ushqenin dhe ua tregonin rrugën nga duhet të shkonin. Por më vonë, siç tregonte Haki Hoxha, sigurimi shtetëror i kishte përcjellë të gjithë rrugëtimit e tyre, pa ndërhyrë.

Dorëzohen dhe organet përkatëse, do t’i merrnin në pyetje. Informacionet për ta shërbimi shqiptar do t’i siguronte, me rrugë operative. Sipas informacioneve nga Kosova dilte se ata ishin të pastër e pa paramendime.

Organet e shërbimit shqiptar, duke parë aftësitë e Haki Hoxhës, i ofrojnë mundësinë e bashkëpunimit. Këtë Haki Hoxha, pasi mendohet pak kohë, me sa kemi kuptuar, e kishte pranuar këtë bashkëpunim. Fillimisht, do të dërgohej në kampet e të burgosurve. Një periudhë, do të kalonte e punonte së bashku me ta. Sigurimi, pas ca kohe, Haki Hoxhën do të paraqiste si të dyshimtë. Nuk do të shihej më në kampe pune. Do të shpallej si i burgosur. Ky ishte një mashtrim dhe maskim i zgjuar, për veprimtarinë në shërbim të shtetit shqiptar, që do të zhvillonte më pas Haki Hoxha.

Një element që do të ketë ndikuar është edhe fakti se Haki Hoxha, Idriz Ibrahim Hoxhën, e kishte kushëri të tij të afërt. Idrizi ishte partizan i Brigadës së 5 -të, dëshmor, i varrosur në varrezat e dëshmorëve të kombit në Tiranë

Gjatë periudhës së maskimit, gjoja si i burgosur, do të ndiqte kurse speciale. Veprimtaria e tij ishte Shqipëri – Maqedoni dhe Shqipëri – Kosovë. Në jetën e tij, Haki Hoxha ka mbajtur fshehtësi të thellë për aktivitetin, në kuadër të shërbimit sekret shqiptar. Aspak, ose fare pak ka lë të kuptohet për këtë që u tha më lartë.

Pas pesë vitesh qëndrimi në Shqipëri, Haki Hoxha, do të kthehej në Kosovë. Filloi ta hulumtojë terrenin, krijimin e lidhjeve të reja e rivendosjen e të vjetrave. Segmente të UDB – së, do të ndërhynin në familjen e tij, me qëllim, që ta poshtëronte e thyente. Për këtë do të hakmerrej, me eliminimin e zbatuesit të këtij akti. Për këtë, do të dënohej me dymbëdhjetë vjet burg. Një pjesë do ta mbajë në burgun e Idrizovës dhe në ato të Serbisë. Të burgosurit nën nxitjen e Haki Hoxhës, Ziadin Kera, inxhinier nga Struga, do ta hartonte peticionin kundër dërgimit të shqiptarëve, për vuajtje të dënimit në Serbi. Ata do ta merrni përsipër peticionin. Për këtë, do të maltretoheshin e torturoheshin, duke i dënuar të dytë me nga një vit vetemi në qeli. Në burg, Haki Hoxha do të ishte shumë aktiv. Gjen shumë shokë të mirë e të vendosur. Formon një shoqëri të bashkuar e të lidhur fort. Shembull i këtij bashkimi e bashkëpunimi ishte akti I Salih Kumanovës, i cili ishte përgjegjës i lidhjeve me të jashtë burgu. Vdiq në tortura dhe nuk dha asnjë emër të shokëve. Por kjo Haki Hoxhën nuk e ligështoi, por do t’i rritej revolta e indinjata, për të kundërshtuar. Lidhjet e krijuara aty, do t’i ruajë e do t’i forcojë edhe pas lirimit nga burgu.

Zhvendosja në Maqedoni

Pas mbarimit të burgut, do të kalojë me familjen në Shkup, përkatësisht në Hasanbeg. Demonstratat e studentëve të vitit 1968, Hak Hoxha do t’i përcillte me gëzim. Kjo periudhë, duket si më e relaksuar për shqiptarët në Kosovë, pasi filluna shkollat, institucione, disa të drejta, u lejua flamurin kombëtar etj. Ky lloj liberalizimi, por për shqiptarët në Maqedoni do të ndjehej shumë më pak.

Në vendbanimin e ri, Haki Hoxha do të bëjë shumë miq. Udhëtonte shpesh për në Kosovë. Këtej kishte vëllezërit e nënës (dajtë). Do të vazhdojë të zinte shokë e miq, po edhe mjaft të rinj. Kishte kontakt dhe miqësi me Kadri Halimin, Bedri Qollakun, Ali Aliun, Zeqir Gërdellën, më vonë do ta takonte edhe me Fadil Cukajn etj. Në Shkup do të mbetej mik i ngushtë me Mulla Vesel Gutën, Haxhi Nazif Hamitin, Misinin Buqin etj. Për autoritetin, që kishte, për rrethin e gjerë, për aktivitetin e veprimtarinë, do ta njihnin e kontaktonin, diskutonin e merrnin mendime edhe disa aktivistë të Lëvizjes Popullor të Kosovës.

Ndonëse nuk dimë për aktivitetin e tij në këtë periudhë, por sipas disa shokëve të tij, nuk i ndalte takimet me miqte e të rinjtë. Punonte dhe i mbante afër. Por vazhdonin ta përcjellin vështirësitë ekonomike familjare. Vëllai Sejdiu do t’ia linte tre fëmijët: Afërditën, Çelebinë dhe Lejlanë. Do të kujdesej shumë për mirërritje dhe edukim e tyre.

Ishte autodidakt. Lexonte gazeta shqip e serbokroatisht. Ndiqte radiostacione të huaja në sebokroatisht dhe në shqip, si dhe Radio Tiranën. Do ta përjetonte me gëzim e entuziazëm shpërthimin e demonstrative të vitit 1981. Kontaktonte me shumë veprimtarë dhe lidhjet i mbante vazhdimisht, po kështu edhe me Ukshin Hotin, Anton Çettën, Kadri Halimin etj., por në këtë periudhë, gjithnjë me kujdes të shtuar.

Kuvendi i Kaçanikur dhe partitë legale

Më 7 shator 1990, siç dihet, delegatët e Kuvendit të Krahinës së Kosovës, shpallën Kosovën Republikë, sipas Kuvendit të Kaçanikut. Shumicën e delegatëve, pushtuesi serb do t’i ndiqte. Haki Hoxha, një numër të mirë prej tyre, do t’i strehonte, duke përfshirë edhe ish-kryetarin e Kuvendit të Kaçanikut, Ilaz Ramajlin, e shumë delegatë të tjerë.

Ndër partitë legale u themelua edhe UNIKOMB – i, më 6 maj 1991, prej dy nga intelektualëve e patriot të mëdhenjë, Ukshin Hoti e Halil Alidema.

Haki Hoxha do ta takonte që më përpara, përveç Anton Çettës, edhe Adem Demaçin, që nga lirimi i tij, por shumë herë edhe pas burgut. Gjithashtu do t’i takojë edhe Halil Alidemin e Ukshin Hotin, e do të bëhej edhe anëtar i UNIKOB – it. E tërhoqi programi, por më shumë dy nga themeluesit, Ukshin Hoti e Hali Alidema. Kështu, nga ata do të merret udhëzime e angazhime, në kuadër të kësaj partie, për Maqedoni.

Haki Hoxha po i klaonte të 60 – tat. Sëmundjet e pasojat e burgut kishin ndikuar në shëndetin e tij. Por nuk ndalonte aktivitetin në terren. Ishte në gjendje të vështirë ekonomike. Po kurrë nuk do të ankohej, as dorëzohej. Do ta ndihmonte vajza e tij Nazlija, e inkuadruar me punë në Perëndim dhe miq e shokë të tij në Maqedoni e në Kosovë.

Siç dihet, më pas, Ukshin Hoti e Adem Demaçi, do të shprehenin rezerva të theksuara, për rezistencën paqësore. Kërkonin rrugë tjetër, drejtë lirisë. Kjo do ta përfshinte edhe Haki Hoxhën, që ishte shprehur hapur edhe në biseda me shokë e miq të ngushtë.

Do t’i përcillte me intersim të jashtëzkonshëm zhvillimet në Kosovë. Do të gëzohej e entuziazmohej, prej aksioneve të armatosura të viteve ’90 të gueriles edh më pas të UÇK-së, që aso kohe Haki Hoxha nuk i dinte që ishte Adem Hzmëz e Shaban Jashari.

Në prill 1998, me Haki Hoxhën, do të bie në kontakt kusheriri i tij ngushtë në Kosovë, Ibrahim Qamil Hoxha, nga Bllaca, me banim në Suharekë, i cili ishte aktivist dhe anëtar i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK – së) dhe më pas edhe i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – së. Pas këtij takimi, brenda dy – tri ditësh, Haki Hoxha, do të vijë në Kosovë.

Pranohet anëtar i Lëvizejes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK). Do të marrë angazhime konkrete, për ngritje bazash, afrim forcash të reja, grumbullim armësh. Hidhet menjherë në Shqipëri. Atje do të lidhet me njerëz. Do t’i sigurojë 4 ton armatim. Arrin t’i sjellë në kohë të shkurtër, deri në shtëpi të tij në Hasanbeg. Me shpejtësi, përmes aktivistëve të oragnizuar, shpërndahen në baza të sigurta. Pas spiunimit, policia maqedone arrin t’ia konfiskojë vetëm armën e tij, që kishte ndarë nga ky kontigjent armësh prej 4 tonësh. Për armën e zënë, do t’i mbajë 3 vjet burg në Idrizovë të Shkupit. Do të trajtohej e torturohej rënd. Vizita do t’i lejohej vetëm bashkëshortes, po edhe atë nuk do ta lëshonin rregullisht (tregonte bashkëshortja). Por Haki Hoxha, qëndronte I fortë dhe nuk dorëzohej.

Çlirimi i Kosovës do ta gjejë në burg. Pas disa kohe do të lirohej. Në këtë periudhë, do të vijë shpesh në Kosovë. I viziton shokët e miqtë e tij të vjetër e të rinjë e mjaft bashkëfamiljarë. Merr shpesh pjesë në aktivitet përkujtimore e homazhe të dëshmorëve në Kosovë. Po ashtu vijoi t’i rivendoste kontaktet me djemtë e shumtë që kishte në lidhej në Maqedoni.

Lufta në Maqedoni

Ai do të punont pa u ndalur në përgatitjen e luftës çlirimtare edhe në Maqedoni. Armatimi që nuk arriti ta zbulojë sigurimi maqedon, ishte në duart e rretheve të organizuara nga Haki Hoxha. Disa krerë të Lëvizjes Popullore në Maqedoni, e njhnin dhe e kontaktonin vazhdimisht. Do të konsultoheshin e kërkonin ndihmë prej tij.

Haki Hoxha do të jepte ndihmë konkrete edhe për aksionet në Preshevë e Bujanovc. Ndihmon përmes miqve të ndryshem të Kumanovës, Shkupit, Strugës e Preshevës si dhe me këshilla e udhëzime, nga përvoja e tij.

Në Kosovë do të vijë përsëri, por jo aq shpesh si në kohët përpara. Do të vazhdonte ta takonte dhe bisedonte me Adem Demaçin. Ia kishte shprehur atij shqetësimnin e thellë për Ukshin Hotin. Do të takonte shokët e ilegalës, shokë tjerë si Fadil Cukajn, Bedri Çollakun, Ali Aliun, Kadri Halimin ish-të burgosur politik të viteve ’60, pastaj një numër të madh të delgatëve të Kushtetutës së Kaçanikut, ashtu si edhe ata do ta vizitonin herë pas here në shpinë e tij në Hasanbeg të Shkupit.

Në mbarim të viti 2003, i shfaqet me të madhe kriza shëndetësore. Pavarësisht kurës, gjendja nuk ishte e mirë. Në mbarim të shkurtit 2004, pavarësisht kujdesit të mjekëve, shëndeti u përkeqësua edhe më shumë. Kështu, më 4 mars 2004, u nda fizikisht, veprimtari i palodhur e luftëtari i çështjes kombëtare dhe i lirisë, Haki Hoxha. Ai u varros në Hasanbeg, me nderime. Morën pjesë, fqinj, miq e dashamirë, shumë djem të organizuar prej tij, ish-luftëtarë, disa ish-delegatët të Kaçanikut, disa të Lëvizjes Popullor të Kosovës dhe të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës.

Kujtimi, nderimi dhe respekti, do të mbetet gjatë në kujtesën e njerëzve, miqve e shokëve të tij.

MSc. Abedin Balaj

Prizren, 24.02.2022

Kontrolloni gjithashtu

Bajram Dërgut Bajraktari, 1908 - 1945

Bajram Dërgut Bajraktari, 1908 – 1945

Familja Bajraktari e Drenasit, (ish-Gllogovc) i takon fisit të Elshanëve, njëri ndër fiset antike të …