Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bashkorganizator i protestës në Hagë, Fatmir Koci, para mijëra qytetarëve nga Kosova dhe diaspora shqiptare, theksoi se kjo tubim madhështor është ngritja e zërit kundër padrejtësive që po u bëhen çlirimtarëve.
Sipas tij, proceset gjyqësore në Gjykatën Speciale janë të padrejta dhe të pafalshme, duke theksuar se ato po shkatërrojnë jetën e njerëzve që dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës.
“Sot jemi mbledhur për të thënë mjaft më me padrejtësi. Po ju pyes para gjithë Evropës, para gjithë botës: A ishim ne agresori? A e sulmuam ne në tokën e vet? Apo luftuam në shtëpitë tona? A kërkuam territore? Apo kërkuam liri?”, tha Koci, duke marrë duartrokitje të fuqishme nga turma.
Ai kujtoi se shqiptarët e Kosovës nuk ishin kurrë pushtues, por një popull që mbrojti dinjitetin dhe të drejtën për të jetuar i lirë në trojet e veta.
“Ne po përballemi me një padrejtësi të pafalshme, që po shkatërron jetën e njerëzve që sakrifikuan gjithçka për ne,” përfundoi ai, duke bërë thirrje që liria dhe e vërteta të mos shtrembërohen.