Në Malishevë është përuruar nënkalimi dhe parkingu nëntokësor, në një ceremoni ku morën pjesë shumë qytetarë. I pranishëm ishte edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i cili gjatë fjalës së tij vlerësoi transformimet e qytetit, duke ia atribuar meritat kryetarit të komunës, Ekrem Kastratit. Limaj uroi qytetarët e Malishevës që tashmë do të përfitojnë nga këto projekte madhore. “Urime Malishevës për këto projekte gjigante që kanë transformuar përjetësisht jetën e qytetarëve. Ndihem i lumtur kur shoh fëmijët tanë që kanë një bulevard e një shesh ku mund të shëtisin në qytetin e tyre. Kënaqem kur fëmijët e mërgimtarëve vijnë këtu dhe nuk kanë nevojë të dalin jashtë qytetit, por i shijojnë bukuritë e tij. Ndihem i lumtur kur shoh nënat tona, gratë dhe vajzat që shëtisin lirshëm në bulevardin e dëshmorit të kombit, Ibrahim Mazreku. Malisheva është shndërruar në një qytet urban, dhe për këtë merita i takon kryetarit Ekrem Kastrati,” u shpreh Limaj.
