Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se skena politike e Kosovës ka hapësirë reale për një alternativë të fortë që mund t’i bëjë ballë kryeministrit Albin Kurti dhe madje ta mposhtë atë në zgjedhjet e ardhshme. Sipas Limajt, çelësi qëndron te bashkimi dhe komponimi i duhur i forcave opozitare. “Besoj që një kandidaturë serioze, me një infrastrukturë serioze të dy kampeve të mëdha, seriozisht mund të futet në garë për vendin e parë. Jam i bindur që ai kandidat do të jetë kryeministër i Kosovës, nëse kemi garë të vërtetë, alternativë të vërtetë dhe ekip të komponuar mirë,” tha Limaj. Ai kritikoi garat formale të së kaluarës, ku subjektet opozitare shpesh kanë luftuar vetëm për vendin e dytë ose të tretë, duke mos u paraqitur si alternativa reale për qytetarët. Opozita duhet të dalë nga fragmentimi dhe të ndërtojë shtylla të forta që rrisin peshën elektorale: “Duhet me u bë dy-tri pole, minimum tri grupime të fuqishme që e maksimalizojnë votën opozitare,” u shpreh ai. Limaj theksoi se vetëm përmes një projekti të tillë serioz, me vizion dhe ekip të gjerë, opozita mund të paraqesë sfidën e parë reale ndaj Kurtit dhe të ofrojë alternativë të besueshme për qeverisje.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
