Gjykata Speciale në Hagë kanë njoftuar se procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk do të vazhdojë më 27 tetor, siç ishte paraparë. Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Fatmir Sopi, ka reaguar ndaj shtyrjes, duke e quajtur këtë një vazhdimësi të zvarritjeve të qëllimshme që, sipas tij, po e dëmtojnë drejtësinë dhe po e thellojnë perceptimin për njëanshmëri. “Kjo tregon apriori se kjo gjykatë ka marrë anë. Gjithmonë prokuroria ka qenë më e përkëdhelur nga trupi gjykues, ndërsa dëshmitë e mbrojtjes për krimet serbe refuzohen si të parëndësishme. Është turp të thuhet se për gjykatën nuk janë relevante krimet e pushtuesit serb, kur dihet se janë vrarë, masakruar e zhdukur mijëra civilë,” tha Sopi. Burime pranë mbrojtjes bëjnë të ditur se në nëntor do të dëshmojë i pesti dëshmitar i mbrojtjes së Thaçit. Ndërkohë, në shenjë proteste ndaj mënyrës së zhvillimit të procesit, është paralajmëruar një protestë e re në një kryeqytet evropian, pas atyre që janë mbajtur në Prishtinë, Hagë dhe Tiranë.