Gjykata Speciale në Hagë ka marrë një vendim të ri ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, duke i ndaluar atij takimet me 11 persona të caktuar. Rreth këtij zhvillimi dhe izolimeve të fundit, anëtari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Faton Klinaku. ka ngritur akuza të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Sipas tij, një prej akuzave ndaj Thaçit ka ardhur pikërisht nga Kurti, i cili, siç u shpreh Klinaku, ka thënë se deputetë të PDK-së që vizitojnë Thaçin në Hagë po marrin direktiva për zhvillimet politike në vend. “Akuzë është kjo. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se ata që shkojnë atje po marrin udhëzime nga Thaçi për proceset politike në Kosovë,” tha Klinaku. Ai shtoi më tej se Kurti mbështet Gjykatën Speciale dhe përmendi deklaratën e tij të mëhershme ku pranoi se ishte takuar me prokurorin Smith.
