Faton Mehmetaj: Me nderime të larta u shënua 20-vjetori i rënies së luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Faton Mehmetaj: Me nderime të larta u shënua 20-vjetori i rënies së luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Me nderime të larta u shënua 20-vjetori i rënies së luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjeneral Shkëlzen Haradinaj, komandant për Operacione Luftarake të Zonës Operative të Dukagjinit, dhe eprorëve të lartë të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, Hasim Halilaj, Fatmir Nimanaj dhe Luan Nimanaj, të rënë në betejën e Maznikut, në përballje për ta penguar depërtimin e forcave serbe, që pretendonin të arrinin deri tek popullata civile që ishte e strehuar në Grykën e Duboçakës.

Kujtimi për këta kolos te UÇK-së, do të mbetet i përjetshëm. Gjaku i tyre u bë dritë në Altarin e Atëdheut. Rënja e tyre gurëthemel, në themelet e lirisë. U bëtë të pavdekshëm, e fituat përjetësinë. Ju që e shkruat historinë, ju që i dhatë kuptim ardhmërisë e jetës së lirë, mbetët të përjetshëm në mëndjet e zemrat tona. Lavdi!

Shkëlzen Haradinaj, Hasim Halilaj, Fatmir Nimanaj, Luan Nimanaj e qindra luftëtarë trima si këta, e bënë Glloganin fshat legjendar, vend tempull të shqiptarisë. Gllogjani i hises së madhe të familjës së Haradinajve, u bë fortesë e pathyeshme në historinë e re të popullit shqiptarë. E gjithë kjo histori ndërlidhet me të Zotin e kësaj shtëpie, Hilmi Haradinajn, i cili së bashku me djemtë: Ramushin, Luanin, Shkelzenin, Dautin dhe Enverin, u bënë nismëtar dhe themeltar të UÇK-së, u bënë fitimtarë të të gjitha betejave që u zhvilluan në Dukagjin e në mbarë Kosovë. Kjo familje luftës për liri ia dha katër gjeneralë dhe tre dëshmorë të kombit: Luanin, Shkëlzenin dhe Enverin. Burra të mëdhënj të kombit shqiptar, ishin simbol i trimërisë dhe idol i ç’do luftëtari.

Sot më rastin e 20-vjetorit të rënies së luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u kujtuan: Gjeneral Shkëlzen Haradinaj, i lindur më 25 mars 1970 në Gllogjan, komandant për Operacione Luftarake të Zonës Operative të Dukagjinit, njëri ndër luftëtarët më të hershëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe njëherësh njëra ndër figurat qendrore të kësaj lufte si gjatë veprimtarisë ilegale ashtu edhe pas shpërthimit të luftës frontale. I shquar për të gjitha vyrtytet që e karakterizojnë kombin shqiptarë, për trimëri, urtësi e burrëri luftarake, drejtësi të pashembullt, krenari raciale e qëndresë titanike, Shkelzeni ishte dhe mbeti njëri ndër komandantët më të shquar luftarakë të UÇK-së. Në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës angazhohet që nga viti 1993 krahas të vëllait Luanit, i cili ishte njëra ndër shtyllat kulminante të UÇK-së në Kosovë. Shkelzeni bashk më Luanin, Ramushin e vëllëzërit tjerë, ishte ndër ilegalët më meritorë për organizimin e radhëve të UÇKsë. “ Shkelzeni bashk me Luanin ishin mbushja dhe zbrazja e UÇK-së”. Shkëlzeni gjatë veprimtarisë ilegale në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka vepruar me emrat e luftës “Skifteri” dhe “Xeni”. Radhitej ndër përsonalitetet më të larta të UÇK-së. Shtëpia e vëllëzërve Haradinaj ishte ndër bazat më të fuqishme të UÇK-së, prej ku luftëtarët e lirisë niseshin në aksione e përgaditnin sulme të vazhdueshme kundër njësiteve të policisë e të ushtrisë serbe, pjesëmarrës në shumicën e aksioneve guerile kundër forcave pushtuese serbe. Me rastin e sulmit serb mbi Prekazin, kundër komandantit Adem Jashari, më 5 mars të vitit 1998, njësitet e UÇK-së, ku bënte pjesë edhe dëshmori Shkëlzen Haradinaj, vetëm brenda një nate, në zonën e Dukagjinit ndërmorën 22 sulme të armatosura kundër forcave serbe. Edhe pas fillimit të luftës frontale në zonën e Dukagjinit, më 24 mars të vitit 1998, e deri në rënie, Shkëlzeni u dëshmua luftëtar i pakompromis kundër pushtuesit serb, duke marrë pjesë në betejat e njëpasnjëshme, në Lug të Baranit, në Rekë të Keqe e në Lug të Drinit. Arma e Skifterit, apo e Xenit, siç quhej ai me emrat e luftës, shkrepi në Gllogjan, Lumbardh, Shqiponjë, Smolicë, Junik, Gërgoc, Kralan, Pozhar, Maznik, Baballoq, Gramaqel, Ratishë, Dashinofc, Kotradiq, Osdrim e ku jo, në fshatrat e Rrafshit të Dukagjinit. Në betejën e Gllogjanit, më 24 mars të vitit 1998, e cila shënoi fillimin e luftës kundër militarëve serbë në zonën e Dukagjinit, dëshmori Shkëlzen Haradinaj u shqua me aftësi të rralla organizative e ushtarake. Shkëlzeni u emërua nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, ndihmëskomandant i Mbrojtjes Territoriale të Zonës Operative të Dukagjinit. Për merita të dëshmuara, në zhvillimet e mëtejme, në nëntor të vitit 1998, ky shtab e ngarkoi atë me detyrën e ndihmëskomandantit për operacione luftarake në ZOD. Në fillim të prillit të vitit 1999, kur në trevën e komunës së Deçanit e të Gjakovës u zhvilluan luftime të ashpra, Shkëlzeni organizoi tërheqjen e ushtarëve të plagosur në drejtim të Burimit (ish-Istogut), ku vepronte brigada 133 “Adrian Krasniqi”. Shkelzeni ishte ora e luftës në Dukagjin, ishte shtylla vërtebrale dhe idol i ç’do luftëtari. Rënia e Shkëlzenit më 16 prill të vitit 1999, pas një përvoje të gjatë në luftëra, ishte një humbje e madhe për UÇK-në, familjen dhe mbarë popullin shqiptar. Në këtë betejë bashk me Shkelzen Haradinajn bijnë edhe Luan Nimanaj, Fatmir Nimanaj dhe Hasim Halilaj, që të tre nga fshati Gllogjan. Trupat e këtyre dëshmorëve të kombit u varrosën në vendin e rënies, në malet e Maznikut. Katër muaj më vonë, më 24 gusht të vitit 1999, ata u rivarrosën në Varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan.

Hasim Halilaj, u lind më 2 shkurt të vitit 1973, në një familje me tradita liridashëse, në Gllogjan të Deçanit. Tërë jetën qëndruan vertikalisht në shërbim të Atëdheut. Pjesëmarrës në të gjitha demonstratat e protestat gjithëpopullore të viteve 1988-1990. Hasimi iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 24 mars 1998, në Betejën e njohur në Gllogjan. Prej kësaj date e deri në rënien heroike për atdhe, luftoi e qëndroi me armë në dorë në frontin e luftës.

Hasimi, disa herë shoqëroi dhe përcolli grupet e luftetareve të rinj që nga Shqipëria hynin në Kosovë për t’u bashkuar në luftë. Luftoi në shumë fronte të luftës, si në Shaptej, Gramaçel, Baballoç, Rastavicë, Prejlep, Gerdaja, Carrabreg etj. Hasimi u plagos disa herë. Në kuadër të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” të UÇK-së, Hasimi ishte pjesëmarrës në disa aksione të kryera në prapavijë të armikut dhe në shumë beteja frontale. Ishte epror i Batalionit të Policisë Ushtarake të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”. Hasimi bije dëshmor më 16.4.1999 në Grykën e Duboçakës, në përballje për të penguar depërtimin e forcave serbe që pretendonin të arrinin deri tek popullata civile që ishte e strehuar nëGrykën e Duboçakës. Në këtë betejë pas disa orë luftimesh, do të bien heroikisht edhe kryetrimi Shkëlzen Haradinaj, Komandant për Operacione Luftarake të Zonës Operative të Dukagjinit e Fatmir Nimanaj, epror i Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, ndërsa Luan Nimanaj, po ashtu epror i Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, vetëm një ditë më vonë ndërroi jetë nga plagët e rënda gjatë rrugëtimit për në Shqipëri. Familja e dëshmorit Hasim Halilaj është nderuar me mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Qeveria e Përkohshme e Kosovës, Zona Operative e Dukagjinit, shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së etj.

Luan Nimanaj, u lind më 2 dhjetor 1978, në familjen e njohur Nimanaj të Gllogjanit të Deçanit, e cila vazhdimisht mori pjesë aktive në ngjarjet e rëndësishme që u zhvilluan që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878) e deri në betejat për lirinë dhe çlirimin e trojeve të robëruara shqiptare.

Nga kjo derë trimash e atdhetarësh lindën edhe dëshmorët e kombit, Luan Nimanaj, Naim Nimanaj dhe Fatmir Nimanaj. Luan Nimanaj e Naim Nimanaj ranë Dëshmorë në të njëjtën betejë. Luan Nimanaj ishte njëri ndër luftëtarët dhe eprorët më të dalluar të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili që nga dita e parë e angazhimit në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 5 mars 1998, deri në rënien heroike, në prill të vitit 1999, luftoi e veproi me përkushtim, pa u hamendur asnjëherë në rrugën e lirisë.

Që në vitin 1992, Luani ishte ndër anëtarët më të dalluar të grupit muzikor të SHKA “Jusuf Gërvalla” në Deçan, ku bashkë me djalin e axhës Fatmirin, me të cilin nuk u nda as në jetë, as në përjetësi, me vite të tëra u këndoi trimave, heroizmit popullor dhe lirisë, derisa u kthye edhe vetë në këngë.

Veç tjerësh, Luani ishte i pandarë edhe nga djali i dajës së tij, Agim Selmanaj, nga Gllogjani, njëri ndër luftëtarët më të dalluar të UÇK-së. Në korrik të vitit 1998, Luan Nimanaj bashkë me Driton Mustafajn, po nga Gllogjani, me urdhër të komandantit të Shtabit të Zonës Operative të Dukagjinit, RamushHaradinaj, dërgohet në fshatin Ruhot të Pejës, për t’i stërvitur ushtarët e rinj të kësaj ane. Luani ishte plagosur disa herë në vijat e frontit. Ai do të përjetojë edhe marshin dhjetëditor për transferimin e luftëtarëve të plagosur deri në Kaliçan të Burimit, por asnjëherë nuk diti ç’është lodhja a demoralizimi. Më 16 prill 1999, në betejën e zhvilluar për mbrojtjen e popullatës civile, te zhvilluar në afërsi të maleve mes Zhebelit e Maznikut, pas rënies së bashkëluftëtarit Hasim Halilaj, Luani do të jetë përkrah komandantit Shkëlzen Haradinaj e Fatmir Nimanajt në flakën më të madhe të luftës. Pas luftimeve disaorëshe, Shkëlzeni e Fatmiri, bien dëshmorë duke i mbrojtur e shpëtuar nga masakra e gjakatarëve serbë popullatën e strehuar në grykat e maleve të Maznikut, e sidomos në Grykën e Duboçakës. Në këtë përballje Luan Nimanaj sërish merr plagë të rënda. Ate e nisin për ta dërguar në Shqipëri për shërim, në rrethana tepër të vështira lufte. Gjatë gjithë rrugës, nëpër shi e erë të fortë, të nesërmen, më 17 prill, 1999 në Bjeshkë të Strellcit, te Tëbanat e Gllogjanit, pushoi së rrahuri zemra e Luan Nimanajt. Ate e varrosin te Tëbanat.

Pas çlirimit të vendit, më 24 gusht 1999, Luani u kthye nga bjeshka bashkë me bashkëluftëtarët e rënë në fronte të ndryshme të luftës, në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Gllogjan. Familja Nimanaj është nderuar me mirënjohje të shumta për djalin e rënë dëshmor, si nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit, Brigada 131 “Jusuf Gërvalla”, komuna e Deçanit, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së etj. Heroizmi i dëshmorit Luan Nimanaj dhe i dëshmorëve të tjerë të familjes Nimanaj, është përjetësuar edhe në një dokumentar për dëshmorët Nimanaj të Gllogjanit. Dëshmori Luan Nimanaj, së bashku me bashkëluftëtarët dëshmorë Shkëlzen Haradinaj, Fatmir Nimanaj, Hasim Halilaj e Agim Selmanaj, janë përjetësuar në një përmendore të përbashkët, afër vendit të rënies në Malet e Maznikut.

Fatmir Nimanaj, bënë pjesë në plejadën e luftëtarëve më të dalluar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit. Lindi më 1.4.1973 në fshatin Gllogjan. Gjenin e qëndresës dhe dashurinë për atdhe e trashëgoi nga familja, e cila kishte traditë në luftë kundër pushtuesve të ndryshëm. Gjatë vitit 1981, familja e Fatmirit ishte njëra ndër bazat e ilegales që vepronte në Deçan e rrethinë. Gjatë betejës së 24 marsit 1998, babai i Fatmirit, Smajli, arrestohet nga forcat serbe në shtëpinë e tij dhe bashkë me njëmbëdhjetë bashkëfshatarë të tjerë mbahet peng për dy ditë radhazi. Fatmir Nimanaj ishte anëtar i SHKA “Jusuf Gërvalla” të Deçanit, që prej themelimit të saj, në vitin 1991, ku këndoi bashkë me të vëllanë, Xhavitin dhe djalin e axhës Luanin. Kishte prirje për folklor dhe ishte pjesëmarrës edhe në disa festivale të muzikës folklorike burimore dhe disa herë u shpërblye me çmime festivalesh.

Fatmiri mori pjesë edhe në betejën e 24 marsit 1998, në Gllogjan. Që nga kjo betejë e deri në ditën e rënjës, Luani ishte pjesëmarrës pothuajse në të gjitha vijat e frontit. Në kuadër të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” të UÇK-së tregon një aktivitet të jashtëzakonshëm në luftë për liri. Caktohet komandant i njësisë “Komando” për veprime në prapavijë të armikut. Mori pjesë pothuajse në të gjitha luftërat dhe betejat që u zhvilluan në Dukagjin. Fatmiri bënte pjesë në njësitin pararojë, të drejtuar nga komandanti Shkëlzen Haradinaj, për transferimin e 42 luftëtarëve të plagosur nga Zhebeli deri në Vrellë të Burimit (ish-Istog). Këtë aksion e kryen me sukses të plotë. Fatmiri me bashkëluftëtarët tjerë, më 15 prill 1999, kthehet nga rrugëtimi i gjatë njëjavor dhe vendoset në mes fshatrave Buqan e Maznikë, për të vazhduar zgjerimin e pozicioneve. Të nesërmen, pas rënies së Hasim Halilajt në përleshje me forcat policore serbe në malet mes Zhebelit e Maznikut, Fatmir Nimanaj e Shkëlzen Haradinaj bien në Altarin e Atdheut, në njërën ndër betejat më të përgjakshme kundër pushtuesve serbë.

Malet e Maznikut i ruajtën në thellësi trupat e këtyre trimave, deri në ditët e lirisë. Trupi i dëshmorit Fatmir Nimanaj, është rivarrosur në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan, më 24 gusht 1999 së bashku me 35 dëshmorë të tjerë të kombit. Familja Nimanaj është nderuar me mirënjohje të shumta për djalin e tyre dëshmor.

I përjetshëm dhe i pa harruar qoftë kujtimi për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Shkëlzen Haradinaj, komandant për Operacione Luftarake të Zonës Operative të Dukagjinit, dhe eprorëve të lartë të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, Hasim Halilaj, Fatmir Nimanaj dhe Luan Nimanaj, të rënë në betejën e Maznikut.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. Zholi

Albert Z. ZHOLI:  Dita Botërore e  librit dhe e kriza e së drejtës së autorit në Shqipëri

 Dita Botërore e  librit dhe e kriza e së drejtës së autorit në Shqipëri Shqipëria …