Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: PRURJE E RE NË HISTORINË USHTARAKE TË KOSOVËS

Fazli Maloku: Doli nga shtypi libri : LUFTA E KOSHARËS ( Analiza, ballafaqime, krahasime dhe replika) autor Dilaver Goxhaj

Këto ditë doli nga shtypi libri : Lufta e Kosharës (Analiza, ballafaqime, krahasime dhe replika) nga autori kolonel, Dilaver Goxhaj – Shpetim Golemi. Libri është ndarë në dy pjesë, pjesa e parë përfundon me kreun e njëmbëdhjetë, dhe pjesa e dytë – shtesë me gjithsej 293 faqe. Autori i librit z. Golemi, ishte edhe vetë pjesëmarrës i luftës së UÇK-së në detyrën zv. shefi i Shtabi i Përgjithshëm të UÇK-së, s’bashku me djalin e tij të vetëm, Dritan Dilaver Goxhaj. Edhe para se të angazhohej drejtpërdrejt në luftën e Ushtrisë Çlirimtare z. Dilaver, e përcolli luftën nga distanca ose më mirë të themi jetoi me UÇK-ën, duke bërë shkrime, analiza, sugjerime, por edhe kritika me qëllim të shmangjes së gabimeve. Në librin që kemi përpara Lufta e Kosharës, kolonel Dilaveri, duke qenë njohës i mirë i artit luftarak, me një fjalë specialist i kësaj fushe, na shpjegon deri në detaje si u zhvillua lufta në Kosharë, cilat ishin sukseset, por edhe gabimet në këto luftime mbi 60 ditëshe. Përshtypja ime është se në këtë libër pasqyrohet e vërteta e dëshmuar dhe e argumentuar bollshëm për zhvillimet e këtyre luftimeve në Kosharë, pa stërmadhime, pa glorifikime, pa vetëladime e teprime, me fjalë tjera të shkruhet historia e vërtetë e asaj që ndodhi në Kosharë por edhe çdokund tjetër në luftën dy-trivjeçare të UÇK-së.
    Në këto luftime në Kosharë, autori shkruan për trimërinë, heroizmin e pashoq të ushtarëve të UÇK-së, por moralin e lartë si dhe për disiplinën ushtarake që i brumoste ushtarët, citoj: ” Ata luftuan. Luftuan me heroizëm. Nuk u turpëruan. Dhe kjo është më se e vërtetë. Trimëria e forcave të njësisë taktike GO-3 (Br. 138 Agim Ramadani), në këtë luftë dymujore, është admiruar edhe prej vetë kundërshtarëve…Gjenerali i pensionuar serb, Vladimir Lazareviç, shprehet:”Sulmi ishte i tmerrshëm, dhe armiku ishte i armatosur shumë mirë, me mbështjetje të mirë ajrore dhe instruktorët më të mirë të NATO-s…Ishte një Vietnam në miniaturë…Unë madje kam qarë”: (libri në fjaë, fq-25). Dhe nuk se mos të ndjehet krenar çdo shqiptar te një gjaku me këta djem e vajza që bënë Luftën e Kosharës.
    Nga të gjithë pranohet se ideatori i këtij sulmi në Kosharë ishte Shefi i Shtabit të GO-3, Brig. Agim Ramadani tani Hero i Kombit, i cili për fatin e keq u vra në dy ditët e para të luftimit (9 prill ’99)  në vijën e parë të zjarrit në këtë luftim. Vrasja e kom. Agim Ramadanit ishte humbje e pakompenzueshme jo vetëm për GO-3, por për gjithë UÇK-në. Vrasja e tij, ndërroi gjithë kahjen e mëtutjeshme të kësaj lufte në Kosharë . Tani në librin e tij, kolonel Dilaveri kërkon sqarime nga drejtuesit e kësaj lufte zotërinjt komandantë në këtë luftë : Rrustem Berisha, Anton Çuni, Hysen Berisha…etj. përse u ndërpre sulmi aq i suksesshëm në dy ditët e para?! Përse u kalua nga sulmi në brojtje?! Përse në 65 ditët e tjera nuk u tentua qoftë edhe një herë të sulmoheshin pozicionet serba?! Ndërrimi i kursit të luftës në Kosharë shkaktoi dhëmbje e pasuar me humbje jo të vogla. Z. Dilaver shkruan: “Këta zotërinj e kanë më se të qartë se gjatë dy muajve luftë, duke luftuar vetëm në mbrojtje, ranë 114 dëshmorë dhe u gjymtuan 350 të tjerë…(po aty fq-30). Edhe pse bëri shumë përpjekje për të zbuluar se kush dhe pse u dha urdhëri të ndërpritet sulmi i filluar për mrekulli dhe të kalohet në mbrojtje për gjithë kohën e mëpastajme?! Këte kolonel, Dilaveri, nuk arriti të na e zbuloj dhe kjo do të mbetet enigmë për shumë kohë! Qëllimi i luftës në Koshare i përpiluar deri në hollësi nga ideatori dhe drejtuesi kom. Agim Ramadani ishte: “Zbatimi i urdhërit për hapjen e korridorit të furnizimit me armatim e municion si dhe me ushqim e veshmbathje në drejtimin Padesh-Drini i Bardhë për UÇK-ën e cila e bënte luftën në gjithë territorin e Kosovës” dhe kjo nuk u realizua! Koloneli, Dilaver Goxhaj me plot arsye qorton komandantët e Betejes së Koshares: “…Në vend që të përfitoni nga forcat morale, që buroi nga marrja e atyre territoreve ( Rrasa e Koshares, Kosharja, Rrasa e Zogut…dhe të vazhdonit të përparonit, ju u ndalët, duke i dhënë kohë kundërshtarit të afronte forca nga thellësia e të qëndronte i vendosur dhe i patundur. Derisa ju ishit në sulm duhej të mbanit nismën. Ndalimi i mësymjes nga ana juaj ishte në dobi të palës tjetër”. ( po aty fq-51-52). Tani me të drejtë shtrohet pyetja sikur mos të vritej ditën e dytë të sulmit kom. Agim Ramadani, a do të ndërpritej sulmi i filluar me aq sukses? Këtë pyetje e shtroj duke pasur parasysh atë që tregojnë ushtarët pjesëmarrës në këtë betejë se kom. Agim Ramadani na thoshte:”Për dhjetë ditë luftime do të jemi në Malishevë”. Edhe pse nuk u realizua synimi i Luftës së Kosharës ajo pati edhe suksese. ” E themi me plot gojën, se e vetmja vlerë pozitive e luftimeve të kryera nga GO-3 (Br.138), që duhet theksuar medeomos, është tërheqja në ato luftime e rreth 2000 forcave nga më specialet të Ushtrisë Serbe, duke ua lehtësuar disi detyrat formacioneve luftarake të Zonës së III-të Operative të Dukagjinit dhe asaj të II-të të Pashtrikut”.( po aty fq-91). Thyrjen e kufirit Shqiptaro-Jugosllav, shkulja e gurit me mbishkrimin RSFJ, nga çizma e ushtarit të UÇK-së (9 prill ’99) në Kosharë, ne Zllash të Prishtinës (Br. 153, e ZOLL-it) e kemi përjetuar me lot gëzimi, duke u përqafuar me njëritjetrin. Shpresonim se tani e tutje nuk do të kemi probleme furnizimi me armë e municion, por edhe me veshmbathje e ushqim. Por e gjithë kjo mbeti vetëm shpresë.
   E një rëndësie të veçantë është edhe Pjesa e Dytë e librit në fjalë ku kemi deklarata të pjesëmarrësve në këto luftime, përballje, replika etj…Besoj se për lexuesit paraqet një matrial mjaftë interesant e me vlerë.
   Përgjithësisht libri i kolonel, Dilaver Goxhaj, mendoj unë ka një vlerë shumë domëthënëse, për historianët ushtarakë apo civilë, por edhe për të gjithë ata që do të shkruajnë për luftën e Ushtrisë Çlirimtare, e në veçanti e një rëndësie të veçantë libri në fjalë ka për brezat, nga të cilat shkrime e histori do të mësojnë se çfarë lufte u zhvillua në këto troje në një periudhë të caktuar. Përmes këtij libri kolonel, Dilaveri, porositë të gjithë ata që do të shkruajnë për luftën e UÇK-së, ti përmbahen realitetit dhe të vërtetës për aq sa është e mundshme, dhe të mos i pllakosë lavdia e tepruar, ti shmangen lokalizmave e krahinarizmave me moton “se aty ku luftove unë u bë lavdia”. Po ashtu në këtë libër që po e diskutojmë, z. Dilaver,  nga modestia shkruan fare pak për ndihmën dhe kontributin që e dha Shqipëria në gjithë kohën sa zgjati lufta për çlirimin e Kosovës, jo vetëm për ata qindra oficerë e ushtarë të Ushtrisë Shqiptare nga të cilët dhjetëra syresh janë heronj e dëshmorë të kombit, por të shkruhet edhe të vlerësohet drejt ndihma e popullatës civile në brezin kufitar të Shqipërisë, ato nëna e motra shqiptare, të cilat në mënyra të ndryshme ndihmuan ushtarët e UÇK-së.
    Në këtë libër të kolonel Dilaverit, për herë të parë dhe si asnjëherë deri tash vlerësohet drejt ndihma e popullatës civile shqiptare e mbetur në Kosovë e cila ishte bazamenti i mundësisë që UÇK-ja të bënte luftën, ose të qëndroi e pathyeshme ndaj armikut shekullor. Pra, UÇK-ja lindi nga ky popull i cili jo vetëm që e mbështeti me të gjitha mundësitë, por u lidhen si mishi me kocin dhe s’bashku mbijetuan dhe fituan luftën çlirimtare për çlirimin e Kosovës. Kjo e dhënë e vërtetë e dëshmoi katërcipërisht konstatimin se “një ushtri çlirimtare të cilën e mbështetë populli i saj, ngadhnjen gjithmonë pavarësisht se me çfarë force sulmon pushtuesi.
    Kolonel Dilaverit, i dëshirojë shëndet e lumturi! E përgëzoj për këtë libër me shumë vlera, duke ururar e dëshiruar që të na shkruaj edhe libra të tjerë të kësaj natyre.
    Fazli Maloku, 5 shtator 2020, Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

DR. SKËNDER DEMALIAJ PROMOVOI 20 LIBRA NGA FUSHA TË NDRYSHME

DR. SKËNDER DEMALIAJ PROMOVOI 20 LIBRA NGA FUSHA TË NDRYSHME

Para pak ditësh në një veprimtari në Tirana International Hotel, në formë ekspozeje Dr. Skёnder …