Deputeti i PDK-së dhe eksperti i çështjeve minerare, Ferat Shala, ka reaguar pas publikimit të raportit të Auditorit të Përgjithshëm për ndërmarrjen “Trepça”, duke thënë se gjetjet e këtij raporti konfirmojnë të gjitha pretendimet e tij të mëhershme për gjendjen kritike në këtë kompani shtetërore. Sipas Shalës, raporti demanton qartazi Qeverinë e Kosovës, Ministrinë e Ekonomisë dhe menaxhmentin aktual të “Trepçës” për politikat që, sipas tij, janë ndjekur në dëm të ndërmarrjes. “Gjendja në ‘Trepçë’ nuk ka qenë kurrë më e rëndë. Shifrat tregojnë qartë, de facto dhe de jure, se ‘Trepça’ është para kolapsit,” shkroi ai në një reagim publik. Ai ka ndarë pjesë nga raporti i auditimit, duke theksuar se dokumenti përforcon shqetësimet e vazhdueshme për keqmenaxhim, mungesë transparence dhe humbje të qëndrueshme financiare në një nga asetet më strategjike të vendit. Shala kërkon përgjegjësi politike dhe menaxheriale, duke theksuar se gjendja e tanishme është pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së vizionit dhe dështimit në qeverisjen ekonomike.