Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila hodhi poshtë kërkesën për masë të përkohshme lidhur me procesin e liberalizimit të tregut të energjisë. Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, deklaroi se kërkesa e tyre kishte për qëllim shtyrjen e zbatimit të këtij procesi deri në përgatitjen e kushteve të nevojshme dhe informimin e bizneseve. Sipas tij, tashmë është vërtetuar se procesi i liberalizimit nuk ka qenë i përgatitur si duhet. Megjithatë, ai theksoi se PDK do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke nënvizuar se vendimet e saj duhet të zbatohen gjithmonë. Shala kritikoi ashpër palën tjetër, duke thënë se Zyra e Rregullatorit për Energji është e kënaqur me vendimin pasi, sipas tij, ai legjitimon politika që dëmtojnë bizneset dhe mungesën e transparencës në këtë proces. Zyra e Rregullatorit për Energji, ka bërë të ditur se Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës e ka shpallur të papranueshme kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës për masë të përkohshme në procesin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike. Sipas ZRRE-së, ky vendim konfirmon ligjshmërinë e veprimeve të saj dhe rrugën drejt krijimit të një tregu konkurrues, transparent dhe efikas në interes të konsumatorëve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
