Në ditën e fundit të afatit të dhënë nga Zyra e Rregullatorit për Energji për bizneset që të lidhin kontratë me furnizues të licencuar të energjisë elektrike, ka reaguar deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala. Ai e ka quajtur këtë vendim “goditjen më të rëndë që i bëhet sektorit privat” nga qeveria e Albin Kurtit. Sipas tij, implementimi i këtij vendimi në formën aktuale rrezikon seriozisht stabilitetin ekonomik dhe konkurrencën në treg. “Definitivisht, vendimi për shkyçjen e bizneseve nga furnizimi është goditja më e rëndë që u bëhet bizneseve të sektorit privat, nga shteti – qeveria Kurti,” tha Shala. Deputeti opozitar paralajmëron pasoja të mëdha, përfshirë humbjen e vendeve të punës, moszhvillimin e ekonomisë dhe uljen e prodhimit vendor. “Reflektimi do të jetë i rëndë e me pasoja të mëdha dhe do të reflektojë në moszhvillim, në humbje të vendeve të punës, do të krijojë pabarazi në treg. Po ashtu, rrezikojmë shumë që të ulim prodhimin vendor dhe të rriten importet,” deklaroi Shala, duke shtuar se kalimi i bizneseve në tregun e lirë të energjisë “po bëhet në kushte të papërgatitura, jomeritore dhe joligjore.
