Familja emblemë e kombit tonë, familja e ngushtë e Shaban Jasharit të Prekazit të Ulët, luftës për çlirimin e Kosovës i dha 20 pjesëtarë e pjesëtare moshash të ndryshme. Në mesin e tyre edhe komandantin legjendar të UÇK:së, Adem Jashari, krye-familjarin Shaban Jashari, vëllain e komandantit, Hamëz Jashari, si dhe 17 anëtarë të tjerë të familjes.
Nga familja e ngushtë e Hamzës, në këtë epope, në altarin e lirisë përveç tij dhe bashkëshortes, Feride Mecini – Jashari, kanë rënë edhe shtatë fëmijë të tyre: Selvetja 21vjeçare, Afetja 18 vjeçare, Besimi 17 vjeçar, Liria 15 vjeçare, Blerimi 13 vjeçar, Fatimja 9 vjeçare dhe Blerina 7 vjeçare. Në këtë betejë kanë shpëtuar e bija Besarta dhe i biri Bekimi.
Ferideja, lindi më 16 mars të vitit 1955, në Klinë të Epërme. Babai i saj, Ramadani, ishte burrë i njohur për trimëri, por i dalluar edhe për urtësi e mençuri në kuvende burrash. Ai dhe bashkëshortja e tij, Sala, lindën dhe rritën bijtë: Feriden, Fetijen, Zahiden, Bajramin, Driten, Shehrijen, Bahrijen, Remzijen dhe Muratin.
Shkollën tetëvjeçare, Ferideja e kreu në fshatin e lindjes në Kline të Epërme. Rreth moshës 19 vjeçare martohet me Hamëz Shaban Jasharin e Prekazit.
Feride Ramadan Jashari- Mecini, e edukuar në frymë patriarkale, ajo ishte një bashkëshorte e përkushtuar për burrin, e zgjuar dhe e vëmendshme për vjehërrit nënë e dashur, por edhe e sertë për bijtë e bijat, si dhe grua e sjellshme dhe me temperament për familjen e gjerë. Kishte natyrë të çiltër, ishte e hareshme, dinamike dhe kurdoherë e gatshme për të kryer punët me përkushtim të veçantë. Ferideja, ishte në dijeni të aktivitetit luftarak të bashkëshortit, Hamzës, të kunetërve Ademit e Rifatit, të vjehrrit Shaban Jasharit, si dhe të bashkëluftëtarëve të tyre.
Ferideja, përveç përkujdesjes për fëmijët, kryente me zell edhe të gjitha punët shtëpiake. Si nënë e 9, fëmijëve dhe bashkëshorte e një luftëtari të paepur, sikur ishte Hamëz Jashari, ajo kishte edhe një pjesë të krenarisë së ligjshme familjare, por kishte thellë në zemër edhe shqetësimet e veta të natyrshme, shqetësimet e nënës, sidomos për bijtë e bijat.
Ishte e vetëdijshme se një ditë bashkëshorti do të përleshej me forcat okupatore serbe, mirëpo atë fat do ta kishte edhe vetë, sado që zemra e nënës, mbi të gjitha kishte brengë e shqetësim për bijtë e bijat.
E dinte se bashkëshorti, Hamëz Jashari, po jetonte ilegalisht dhe kohë pas kohe shkonte për misione të caktuara ushtarake edhe në Shqipëri. Qe mësuar me mungesën e tij, por me kohë qe vetëdijësuar se bashkëshorti i kishte hyrë një pune të madhe me shumë rendësi dhe nuk ishte nga ata burra që do të kthente nga rruga e filluar.
Ndodhej në kullë, së bashku me bashkëshortin dhe me anëtarët e tjerë të familjes, kur më 30 dhjetor të vitit 1991, forcat policore serbe rrethojnë kullën qendestare të Shaban Jasharit. Me bashkëshortin e saj ndodheshin në kullë edhe kunetët: Rifati dhe Ademi, vjehrri Shabani si dhe bashkëluftëtarët e bashkëshortit: Sahit Jashari, Fadil Kodra e të tjerë.
Në jetën e harmonishme bashkëshortore me Hamëz Jasharin, Ferideja lindi dhe rriti tre bijtë: Bekimin, Besimin, Blerimin dhe bijat: Selveten, Afeten, Lirinë, Fatimen, Blerinën, dhe Besartën.
Ishte e shëndetshme fizikisht dhe kishte përballuar me sukses të gjitha kërkesat si nënë e përkushtuar për fëmijët dhe tërë familjen e bashkëshortit.
Me kohë ishte mësuar të bashkëjetonte në familjen e madhe të burrit, ku hynin e dilnin sa e sa miq e bashkëluftëtarë, kurdoherë të armatosur. Ajo, ashtu sikurse edhe kunatat e saj dhe vjehrra, Zahideja, ishte çdoherë e gatshme për të kthyer darkë për trimat, madje edhe në orët e vona të natës, apo duke përgatitur bukën për orët e hershme të mëngjesit, për bashkëshortin, Hamzën, kunatin, Ademin dhe bashkëluftëtarët e tyre.
Sa e sa net kishte kalur pa gjumë, duke pritur bashkëshortin. Kurdo ku dëgjonte krisma, ajo nuk kishte si të mos shqetësohej, edhe pse mundohej të përmbahej, sepse me kohë kishte kuptuar se ishte bashkëshorte e një prijësi, fjalën e të cilit ia dëgjonin të gjithë.
Më 22 janar të vitit 1998, sapo kishte ngrënë syfyr me vjehrren, Zahiden dhe të tjerë, papritmas breshëria e armëve të forcave serbe kishte goditur kullën. Në ditët më vendimtare të historisë sonë më të re, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, Ferideja, së bashku me anëtarët e tjerë të familjes ndodhet në Kullën e Qendresës. Përveç burrave, të cilët kishin zënë pozicione dhe luftonin, ajo, së bashku me anëtarët e tjerë të familjes, me vjehrren dhe anëtarët e tjerë të familjes, ndodhej në bodrumin e fortifikuar. Forcat serbe kishin marrë në shenjë me topa të kalibrit të madh. Predha kishte goditur pikërisht vend qëndrimin e familjarëve. Me atë rast ranë: Feride Ramadan Mecini-Jashari, Adile Bahtir Rama-Jashari, Zahide Shaban Jashari, Zarife Bahtir Jashari, Hydajete Rifat Jashari, Valdete Rifat Jashari, Igballe Rifat Jashari, Igball Rifat Jashari, Selvete Hamëz Jashari, Afete Hamëz Jashari, Lirie Hamëz Jashari, Blerim Hamëz Jashari, Fatime Hamëz Jashari, Blerinë Hamëz Jashari, Kushtrim Adem Jashari.
Duke luftuar ballë për ballë forcave serbe, ranë: Shaban Murat Jashari, Adem Shaban Jashari, Hamëz Shaban Jashari, Osman Geci nga Llausha, daja i Komandantit Legjendar, Besim Hamëz Jashari dhe Fitim Adem Jashari. Në oborrin tonë ka dhënë jetën edhe Faik Tahir Jashari. (Bekim Hamëz Jashari)
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
