FESTOHET ME MADHËSHTI 82 – VJETORI I FORMIMIT TË BATALIONIT PARTIZAN TË DUMRESË

Cërriku ecën i pa ndalur në nderim të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Të dielën më 25 maj 2025, u përkujtua me madhështinë e përhershme që populli i këtij qyteti dhe banorë të shumtë të Qarkut Elbasan, përkujtojnë me nderim të thellë formimin e Batalionit të Dumresë.
Me organizim të përsosur nga Bashkia Cërrik, drejtuar nga z. Andis Salla dhe stafi i përkushtuar i kësaj bashkie, dita e diel shkëlqente nën hiret kuq e zi, ndërsa sheshi kryesor i Cërrikut, i gjallëruar si çdo herë në këtë festë, ishte i mbushur në sfond me këngë partizane.
Në prani të pasardhësve të veteranëve, ish partizanë të Batalionit Partizan të Dumresë, në prani të pjesëtarëve të Familjeve të Dëshmorëve të këtij batalioni dhe të trevës në përgjithësi, në ceremoninë zyrtare merrnin pjesë Kryetari i Bashkisë Cërrik, z. Andis Salla nënkryetarët me stafin organizator, Kryetari i Këshillit Bashkiak Elbasan, z. Lytfi Lala, dhe përfaqësues të tjerë të administratës publike.
OVP Elbasan, kishte të pranishëm kryetarin e saj, Asim Elezi, nënkryetarin Qamil Bica, sekretarin Gani Hida, njëherësh dhe anëtar i Kryesisë së OKDA Bashkia Elbasan, me anëtarë të kryesisë dhe të organizatës. Nga Kryesia e Përgjithshme e KKVP të LANÇ “Nderi i Kombit”, ishte i pranishëm Sekretari i Përgjithshëm
OKDA Bashkia Elbasan përfaqësohej nga kryetarja Xhuljeta Graceni, nënkryetari Mehmet Pisha, sekretarja Rolanda Suli, anëtaret e kryesisë dhe anëtare të organizatës si Kaliro Guxho, Burbuqe Vërçani, Lume Sulovari, Muhamet Peshku, Arben Beka dhe të afërm të familjeve të Dëshmorëve të këtij batalioni, si dhe Liljana Hakani Bushi, e afërme e Komandantit të Batalionit të Dumresë, Gjeneral Petrit Hakani.
Në nisje të ceremonisë zyrtare, pranë memorialit që përkujton këtë ngjarje historike, për nder të Dëshmorëve të këtij batalioni, u vendosën kurora me lule, nga të cilat e para u vendos nga Kryetari i Bashkisë Cërrik, z. Andis Salla me Kryetaren e OKDA Bashkia Elbasan Xhuljeta Graceni.
Fjalën e rastit e mbajti Kryetari i Bashkisë Cërrik, z. Andis Salla, i cili vlerësoi LANÇ, rëndësinë e saj dhe vlerat atdhetare të Batalionit Partizan të Dumresë.
Për ngjarjet historike të asaj kohe, për krijimin e Batalionit Partizan të Dumresë dhe luftimet që ka kryer ky batalion, foli Sheqere Isaraj Kryetare e OVP Bashkia Cërrik.
Në emër të KKVP të LANÇ “Nderi i Kombit” përshëndeti Sekretari i Përgjithshëm Veli Myftari. Në emër të OKDA Bashkia Elbasan, përshëndeti kryetarja Xhuljeta Graceni, e cila falënderoi dhe vlerësoi rëndësinë që i jep Bashkia Cërrik ngjarjeve të LANÇ dhe traditës së kahershme të përkujtimit të formimit të Batalionit të Dumresë, duke i dhënë historisë vlerën që i takon.
Veprimtaria u zhvillua nën moderimin e organizatores dinjitoze, Sekretares së Përgjithshme të Bashkisë Cërrik, zj. Mesida Xhelili.
Pas ceremonisë zyrtare, edhe këtë herë, Bashkia Cërrik, në ruajtje dhe vazhdimësinë e traditës mikpritëse shqiptare, shtroi një drekë për të gjithë të pranishmit, pjesëmarrës në ceremoninë përkujtimore të kësaj date të rëndësishme historike për trevën e Cërrikut, si pjesë e pa ndarë e historisë kombëtare, siç është lavdia e LANÇ.
Lavdi Dëshmorëve të Batalionit Partizan të Dumresë!
Lavdi të gjithë Dëshmorëve të LANÇ!
Lavdi të gjithë Dëshmorëve të Atdheut!

Kontrolloni gjithashtu

Qytetarët kërkojnë reagim institucional urgjent ndaj kaosit urban në Çair: Shteti nuk mund të heshtë përballë këtij krimi ndërtimor

Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësim të thellë për situatën alarmante që po ndodh në …