Filloi asfaltimi i rreth dy kilometrave rrugë në Bardh të Malishevës

Në kuadër të realizimit të projekteve kapitale dhe ndërtimit e rregullimit të infrastrukturës rrugore në fshatrat dhe vendbanimet e Komunës së Malishevës, pas hapjes dhe përgatitjes së katër rrugëve në fshatin Bardh, ka filluar edhe asfaltimi i këtyre rrugëve, duke e përmbyllur kështu rregullimin e pjesës më të madhe të rrugëve në këtë fshat të thellë të Komunës së Malishevës. Në fillimin e asfaltimit të këtyre rrugëve, ishin të pranishëm edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe nënkryetari Hajdin Berisha, të cilët janë pritur nga anëtari i asamblesë komunale nga ky fshat, Valon Krasniqi, kryetari i Bardhit, Selman Krasniqi dhe qytetarë të shumtë. Me këtë rast, kryetari Begaj, i ka uruar banorët e Bardhit, përkatësisht të lagjeve në të cilat filloi edhe asfaltimi i rrugëve, pasi ndërtimi i rrugëve ka qenë jetike për banorët dhe kjo ju lehtëson jetesën. “Ndërtimi i këtyre rrugëve ka rëndësi jetike për ju të gjithë, pasi për shkak të relievit dhe thellësisë së fshatit, jetesa ka qenë më e vështirë në këto kohë moderne. E di që rregullimi i rrugëve, jo vetëm qe lehtëson jetesën tuaj, por parandalon edhe shpërnguljen nga fshati, si rezultat i rrugës, dhe prej sot, të gjitha lagjet e fshatit lidhen me rrugët kryesore dhe ne gjithashtu ndihemi mirë, pasi kemi arritur që ta përmbushim këtë nevojë për banorët e Bardhit”, tha mes tjerash kryetari Begaj, pasi i uroi të gjithë banorët për rrugët e reja. Nga ana tjetër, edhe banorët e kanë falënderuar komunën për ndërtimin e këtyre rrugëve, pasi rregullimi i tyre ka rëndësi jetike për të vazhduar jetesën në këto lagje të thella. Ndërtimi i rrugëve, është mundësuar nga buxheti i Komunës së Malishevës, ndërsa këto katër rrugë kanë një gjatësi prej 1870 metrave.

Kontrolloni gjithashtu

Njoftim për ndëprerje të qarkullimit rrugor në rrugën “Ilaz Kodra”

Me qëllim të realizimit të projektit për ndërtimin e urës së re mbi Lumin “Klina” …