Uroj që te qytetarët e Republikës së Kosovës të mbizotërojë arsyeja dhe ndërgjegjja, duke qenë të motivuar para së gjithash nga përkushtimi ndaj vlerave themelore prej nga buron liria dhe vetë shteti i Kosovës.
Për ta realizuar këtë, qytetarët duhet të ngrihen mbi partitë e tyre politike, mbi Presidencën, mbi Qeverinë – dhe të veprojnë si njerëz të lirë, që e ndjejnë përgjegjësinë morale dhe kombëtare në mbrojtje të vlerave çlirimtare.
Qytetarët duhet të kundërshtojnë me vendosmëri orkestrimin politik të ndjekjes së bartësve të luftës për çlirim – një proces që është udhëhequr sistematikisht nga udhëheqja e LDK-së që nga paslufta, në përpjekje për ta delegjitimuar sakrificën më të madhe të kombit.
Po ashtu, qytetarët duhet të qëndrojnë kritikë ndaj drejtuesve të Vetëvendosjes, të cilët në mënyrë të hapur dhe të qëndrueshme janë angazhuar për të relativizuar luftën për çlirim dhe për ta zhveshur atë nga kuptimi historik dhe moral që e ka.
Qytetarët nuk duhet të identifikohen me qëndrimet e Presidentes, e cila në sjelljen e saj publike ka manifestuar qartazi qëndrime përçmuese ndaj figurës së çlirimtarëve dhe ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Po ashtu, qytetarët duhet ta dënojnë qartë qëndrimin e Kryeministrit të vendit, i cili si në mendësi ashtu edhe në praktikë është vënë në shërbim të një narrative që synon shpërbërjen e rolit historik të UÇK-së dhe, për pasojë, të vetë shtetësisë së Kosovës.
Por, qytetarët duhet të mbajnë distancë edhe nga partitë e dalë nga lufta – PDK-ja, AAK-ja dhe Nisma – të cilat, duke e braktisur misionin e tyre historik, janë shndërruar në grupe mbrojtëse të interesave të ngushta partiake, duke harruar rolin e tyre burimor si organizata të një angazhimi kombëtar.
Prandaj, qytetarët e Kosovës duhet të protestojnë nesër të udhëhequr vetëm nga ndërgjegjja e tyre – duke u çliruar nga subjektivizmat partiakë, nga lojalitetet e verbëra dhe nga kalkulimet politike.
Vetëm kështu mund të përmbushim me dinjitet obligimin tonë njerëzor dhe kombëtar.
Përndryshe, ÇLIRIMTARËT do të triumfojnë pavarësisht nga ndjekjet e padrejta dhe shpërfillja jonë. Sepse ndërmarrja jonë çlirimtare ishte dhe mbetet një projekt i përbashkët me Amerikën dhe me NATO-n.
Sepse Hashim Thaçin nuk e arrestuan kur ishte në ilegalitet, por pikërisht kur ishte “në dorën” e Presidentit Amerikan – si simbol i bashkëpunimit strategjik dhe i kauzës sonë të përbashkët me Perëndimin.
Ndërmarrja e përbashkët e UÇK-së me NATO-n nuk mund të kriminalizohet, sepse ishte një ndërhyrje në mbrojtje të njerëzores, për të ndalur një gjenocid.
Çlirimtarët tanë do të mbeten të lirë në ndërgjegjen historike të kombit dhe të nderuar përjetësisht, bashkë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe me lavdinë e Dëshmorëve të Kombit!