Të nderuar pjesëmarrës!
Nëna e baballarë të dëshmorëve!
Vëllezër e motra të dëshmorëve!
Pasardhës të dëshmorëve dhe ju të afërm të tyre!
Bashkëluftëtarë të dëshmorëve,
Pjesëtarë të Shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së,
Pjesëtarë të TMK-së,
Qytetarë!
Ju përshëndes dhe ju falënderoj për pjesëmarrje në përurimin e vëllimit të shtatë të librit “Feniksët e lirisë”.
Redaksia Dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më ka ngarkuar me detyrën që këtu para jush, të mbaj këtë fjalë rasti, që për mua është një kënaqësi e veçantë.
Ka rastisur që përurimin e kësaj monografie për dëshmorët ta bëjmë në një datë të shënuar të historisë së re të Kosovës e të popullit të saj shqiptar, siç është 11 Marsi. Kjo datë, me demonstratat e para studentore, simbolizon fillin e një epoke të re për Kosovën, të një epoke lufte e përpjekjesh të pareshtura për liri, të cilën do ta kurorëzojë Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe heroizmi i lavdishëm i dëshmorëve të saj. Njëmbëdhjetë Marsi i vitit 1981 dhe zhvillimet që e pasuan atë, u bënë ideal i fuqishëm frymëzimi dhe edukimi për brezat që 17 vjet më vonë do të mbushin radhët e UÇK-së. Pjesëmarrës të këtyre zhvillimeve ishin edhe shumë prej dëshmorëve, emri i të cilëve sot zë vend në monografinë “Feniksët e lirisë”.
Përurimin e sotëm të “Feniksëve të lirisë”, e bën të veçantë edhe një moment tjetër i rëndësishëm. Ai po mbahet nën frymën e atmosferës së krijuar nga Ditët e Epopesë së lavdishme të UÇK-së, që përshkon çdo fillim Marsi. Siç dihet, përvjetori i tetë i betejës në Prekaz dhe i heroizmit të Komandantit Legjendar Adem Jashari, u shënua me manifestime të shumta e të ndryshme. Në vazhdën e këtyre manifestimeve, publikimi dhe promovimi i librit “Feniksët e lirisë”, numër 7, shënon edhe një kontribut modest në funksion të rikujtimit të Madhështisë së Komandantit Legjendar Adem Jashari e të sakrificës sublime të Familjes së tij, si dhe të Epopesë dhe të Ditëve të Lavdisë së UÇK-së.
Të nderuar pjesëmarrës!
Me daljen nga shtypi të librit “Feniksët e lirisë – 7”, Redaksia Dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës arrin t’u ofrojë atyre që janë të etshëm për të njohur dhe ditur më shumë për jetën, veprimtarinë ushtarake dhe heroizmin e dëshmorëve të UÇK-së: lexuesve, familjeve të dëshmorëve, bashkëluftëtarëve të dëshmorëve, institucioneve arsimore, kulturore, hulumtuese e shkencore, bibliotekave dhe arkivave tona, si dhe opinionit të jashtëm lexues e shkencor, vëllimin e radhës të Monografisë Feniksët e lirisë. Libri që po promovojmë, rrumbullakon jetëshkrimin e 41 dëshmorëve të UÇK-së, të lindur e të rritur në vende të ndryshme të trojeve etnike shqiptare, por të edukuar me idealin e përbashkët të lirisë dhe të përjetësuar në altarin e përbashkët të lavdisë.
Në këtë vëllim të “Feniksëve të lirisë”, lexuesi do të takojë emra të ndryshëm dëshmorësh, me jetë të ndërprerë në moshën e rinisë dhe me pleqëri të pajetuar deri në fund; Do të takojë emra vëllezërish dëshmorë, siç do të takojë edhe emër dëshmori të dëshirit të familjes; Do të takojë emrin e vajzës së madhe të prindërve, por do të takojë edhe emrin e sugarit të familjes.
Nga biografitë e dëshmorëve: Qani Luma i Kaçanikut, 23 vjeç, Beqir Meha i Prekazit të Drenicës, 63 vjeç, vëllai i Tahir Mehës së betejës së vitit 1981, Mehmet, Hetem e Ajet Rexhaj, tre vëllezër dhe tri krisma të ndërprera lirie, Skerdilajd Llagami, bir i vetëm i derës Llagami të Tiranës, marathonomaku i tri luftërave çlirimtare dhe pjesëtari i tri ushtrive çlirimtare në trojet e pushtuara shqiptare; Luljetë Shala, dadoja e 10 vëllezërve e motrave më të reja, Lulëzim Jashari i trevës së Llapit, biri më i ri i familjes, – lexuesi do të njohë biografinë në miniaturë të popullit shqiptar dhe përpjekjet e tij kundër robërisë serbe.
Edhe kësaj radhe, për hartimin e librit Feniksët e lirisë – 7, Redaksia, ka marrë parasysh kriteret e përcaktuara e të zbatuara në vëllimet paraprake të monografisë. Përmbajtja e shkrimeve biografike mbështetet në elementet jetëshkrimore të Pyetësorit, të mbledhura gjatë takimeve me familjarët dhe të afërmit e dëshmorëve, me bashkëveprimtarët dhe bashkëluftëtarët e tyre, si dhe të vjela nga botimet dhe publikimet e ndryshme kushtuar atyre. Po ashtu, edhe në pikëpamje të organizimit struktural, libri ruan njësitë unike të organizimit të librave paraprakë të monografisë. Pra, edhe në këtë libër, shkrimeve biografike të dëshmorëve u paraprijnë fotografitë e tyre, kurse në vijim pasojnë kapitujt: Monumente përjetësie; Recensione; Dokumente; Përmirësim gabimesh dhe Bibliografia.
Sa i përket stilit shkrimor, figuracionit dhe ndërthurjes së elementeve letrare e historike, shkrimet e librit Feniksët e lirisë – 7, në kuadrin e një mase tashmë të standardizuar të shkrimeve të kësaj natyre, ruajnë vulën e autorësisë së tyre. Kjo autorësi është shënuar në fund të secilit shkrim, me inicialet e emrave dhe mbiemrave të anëtarëve të Këshillit Redaktues e të bashkëpunëtorëve të Redaksisë.
Pjesëmarrës të nderuar,
Duke bërë publik botimin e këtij numri të ri të monografisë shumëvëllimëshe “Feniksët e lirisë”, sot jo vetëm nderojmë dhe përkujtojmë dëshmorët e kombit dhe idealet e tyre për liri, por edhe përjetësojmë kujtimin për ta. Konsiderojmë se fuqia e shkronjës, pra e fjalës së shkruar, është fuqia e dokumentimit të fakteve historike, pa të cilat edhe lufta, edhe sakrifica, edhe heroizmi, edhe ëndrra dhe aspiratat e dëshmorëve të kombit tonë do të merrnin formën e gojëdhënës, si për ngjarjet, të cilave nuk u dihet as koha e hapësira dhe as protagonisti. Shpresojmë se libri “Feniksët e lirisë” do të jetë pjesë e bazamentit të fortë të monumentit shkrimor për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe duke qenë për dëshmorët, ajo do të jetë e tillë edhe për vetë UÇK-në.
Të gjithë e dimë se dëshmorët e kombit tonë, që simbolizojnë feniksët e lirisë, ideal të tyre kishin ëndrrën për lirinë e Kosovës. Me këtë ideal në zemër e me këtë ëndërr në bebëzat e syve të tyre, ata dëshmuan gatishmërinë që edhe njëmijë herë po të ngriheshin, për lirinë prapë do të binin. Prandaj, të jemi të sigurt se edhe dëshmorët që pushojnë në faqet e librit “Feniksët e lirisë – 7”, sikur para 7, 8 e më shumë vjetësh, do të ishin edhe sot të gatshëm të binin për lirinë e Kosovës. A nuk flet për këtë fakt, betimi i dëshmorit Daut Zagragja, dhënë nënës së vet, se “edhe shtatë vjet të tjera po të mos çlirohej Kosova, të mos e priste t’i kthehej nga fushëbeteja në shtëpi”? I detyruar të largohej në Perëndim, kishte mbi shtatë vjet që ai nuk e kishte shkelur pragun e shtëpisë ku kishte lindur.
Duke pasur parasysh këtë fuqi shpirti të dëshmorëve, nuk mund të mos shtrojmë pyetjen: A thua, po të ishin dëshmorët sot në mesin tonë, ku do të ishin ata, ku do ta kishin vendin dhe çka do të bënin? Pa dyshim, mund të paramendojmë se ata do të gjendeshin këtu, në këtë objekt të Gardës së Kosovës, në përpjekje për ta bërë këtë gardë pjesë të një ushtrie të mirëfilltë të Kosovës; Mund të paramendojmë se ata do të gjendeshin këtu në mesin tonë, kurdo që të flitej për luftën çlirimtare dhe heroizmin e UÇK-së; Mund të paramendojmë se ata do të gjendeshin aty ku do ta lypte nevoja për të mbrojtur frytet e luftës e të gjakut të derdhur; Dhe mund të paramendojmë se ata do të gjendeshin aty ku do të rënkonte liria e Kosovës.
Të nderuar pjesëmarrës,
Meqenëse dëshmorët e kombit tonë ranë për një qëllim konkret, e ai është qëllimi i lirisë së Kosovës, nuk është politikë të shtrohet pyetja ku gjendet sot Kosova dhe nga po shkon ajo. Përkundrazi, secili prej nesh është i obliguar t’i përgjigjet kësaj pyetjeje dhe në çdo moment të japë llogari para hirit të dëshmorëve tanë. Sepse, këtë llogari e kërkojnë pamjet e dëshmorëve që po i shohim lart; e kërkojnë emrat e mbyllur brenda kopertinave të Feniksëve të lirisë; e kërkojnë bustet, pllakat përkujtimore, lapidarët dhe monumentet e ngritura në çdo pëllëmbë të Kosovës e të trojeve të tjera etnike shqiptare: buzë rrugësh, në sheshe qytetesh, maje kodrash, në mes malesh, përskaj arash, në mjedis oborresh, e kudo para syve tanë.
Por, çka të themi sot? Të themi se Kosovën e dëshmorëve që ranë për të, e kemi katandisur deri në atë pozitë, sa fatin e lirisë së saj ta qesim në tavolinën e bisedimeve me Serbinë?! Kjo katandisje flet vetvetiu për përgjegjësinë që kemi para amanetit të dëshmorëve. Kjo ndodhi, sepse fati i Kosovës u la në duart e atyre që harruan se këtu u bë një luftë e u dha një betim. Por, në qoftë se Kosova do të shpëtojë nga kjo gjendje kërcënuese, do të jetë rezultat i gjakut të derdhur të dëshmorëve dhe i faktit të njohur se gjaku nuk bëhet ujë.
Në përfundim, iu shpreh admirim e respekt, për qëndresën dhe krenarinë, nënave e baballarëve të dëshmorëve, vëllezërve e motrave, fëmijëve të dëshmorëve dhe nënave të tyre, kurse dëshmorëve lavdi të përjetshme.
Kontrolloni gjithashtu
Shqipëria fillon restaurimin e trashëgimisë kinematografike
Procesi i restaurimit të trashëgimisë kinematografike në Shqipëri ka një rëndësi të madhe për ruajtjen …