Fjala e kryetarit Latifi në akademinë përkujtimore kushtuar vëllezërve heronj, Muharrem Dina – Mixha dhe Rifat Dina – Xha Jaho

Në Rahovec u mbajt akademinë përkujtimore kushtuar vëllezërve heronj, Muharrem Dina – Mixha dhe Rifat Dina – Xha Jaho. Në këtë akademi përkujtimore ishte i pranishëm edhe kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, i cili u paraqit me një fjalë rasti, ku ndër të tjera tha: Të respektuar familjarë të dëshmorëve, të nderuar familjarë të heronjve Rifat e Muharrem Dina, të nderuar invalidë e veteranë të luftës të UÇK-së, të respektuar miq e bashkëluftëtarë, duke ecur shtigjeve të historisë, jemi sot këtu për të përkujtuar dy njerëz të shquar të popullit tonë. Qëndroj fort në bindjen se, nderimi për njerëzit e sakrificës kombëtare është nder dhe obligim. Rifat Dina, i njohur si xha Jaho dhe Muharrem Dina ose Mixha, siç e thërritnim ne, na mblodhën sot këtu, mbase për t’na përkujtuar se atdheun e kemi të përbashkët dhe çdo flijim për të është i përligjur. Xha Jaho dhe Mixha nuk ishin vetëm vëllezër, por ata ishin edhe bashkëluftëtarë dhe veprimtarë të çështjes kombëtare. Xha Jaho, humanist, pajtimtar, atdhetar e luftëtar i lirisë, ngado që shkonte vetëm farën e bashkimit përhapte. Qëndresa e tij në periudha të vështira për popullin shqiptar në ish Jugosllavi, është shembull i veçantë. Ndonëse nuk kishte shkollim të lartë, dashurinë për atdheun, lirinë dhe bashkimin kombëtar e kishte të rrënjosur në shpirt. Familja dhe bashkëveprimtarët e mbajnë në mend Xha Jahon me “Asconën” e tij të pandalshme u pati rënë kryq e tërthor trojeve etnike si gjatë Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve dhe të Ngatërresave, ashtu edhe gjatë organizimit të “Marshit të Ukshin Hotit” kur në Lugun e Brestocit, patën rënë dëshmorët Nesimi Elshani, Halim Hoti e Hilmi Krasniqi dhe Agron Fetahu i Celinës, njëri ndër fqinjët e parë të “Xha Jahos. Në këtë rrugëtim ai nuk ishte vetëm. Pranë i qëndronte i vëllai i tij Muharremi, i njohur gjatë luftës si Mixha, dhe të dy bashkë përbënin kurorën e lavdisë familjare. Nuk e di në mund të ketë krenari e nder më të madh se kaq. Xha Jaho hyri në përjetësi në fundmarsin e vitit 99, ndërsa dhjetë vjet më parë nga ne u nda edhe Mixha. Ata jetuan me dinjitet e krenari dhe të vlerësuar nga bashkëpunëtorët e miqtë. Figura të tilla janë pasuri kombëtare dhe ne të gjithë duhet të ndjejmë krenari, që kishim fatin e nderin të jetojmë në kohën e tyre dhe të jemi krah për krah me ta. Të nderuar të pranishëm, Përkujtimi dhe nderimi për të rënët është nder dhe detyrim, prandaj nuk ka rëndësi në çfarë pozite shoqërore jemi, sepse ata që luftuan e ranë në fushëbeteja janë ndërgjegje kombëtare. Personalisht ndjehem borxhli ndaj kësaj shëmbëlltyre, siç është e këtyre dy vëllezërve heronj.  Përmbushja e këtij detyrimi të gjithëve na bën më të pasur shpirtërisht, më të përgjegjshëm dhe më të përkushtuar në detyrat tona qytetare e zyrtare. Prandaj, nga ne kërkohet të punojmë e angazhohemi shumë për të përmbushur sa më mirë misionin e tyre. E misioni i tyre ishte liria, zhvillimi dhe avancimi i proceseve shtetndërtuese të Republikës së Kosovës. Rifat dhe Muharrem Dina nuk qenë njerëz me shkollim të lartë, por nuk duhet shkollë e as pozitë shoqërore për ta dashur atdheun dhe për të luftuar për të. Derisa  Mixha kryente detyrën e ndërlidhësit në kuadër të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës ndërmjet veprimtarëve në mërgatë dhe atyre brenda vendit, Xha Jaho kujdesej që porositë të shkonin në vendin e duhur. Sipas dëshmive të shumta, por edhe atyre që na pati treguar Mixha, materialet propaganduese e vetëdijesuese, si dhe pajisjet për luftë, i sillte vetë ai, ndërsa Xha Jaho bënte shpërndarjen e tyre në tërë territorin e Kosovë, respektivisht aty ku ishte planifikuar të barteshin. Kështu, këta dy burra e përmbushnin obligimin e tyre atdhetar. Mbase lufta çlirimtare dikënd mund ta ketë zënë të papërgatitur moralisht, por këta dy burra kishin punuar shumë që ajo ditë të vinte sa më parë. Të vetëdijshëm se vetëm me luftë e sakrifica madhore mund të arrihej liria, ata mobilizuan edhe njerëz të tjerë dhe kështu nuk qenë vetëm dy vëllezër që synonin ta mposhtnin një armik gjakatar e shumë të motivuar kundër shqiptarëve, por u bë një armatë e tërë luftëtarësh. Xha Jaho dhe Mixha nuk kishin menduar e as synuar që të marrin pozita e privilegje pas përfundimit të luftës, mirëpo lirinë e dëshironin për nipat e mbesat, për brezat që do të lindnin e do të rriteshin në Kosovën e lirë. Dhe ky përkushtim i tyre u jetësua, por u deshën shumë përpjekje, mund e sakrifica të mëdha. Xha Jaho ra në fushë të nderit me 27 mars të vitit 1999, në mbrojtje të nderit e të dinjitetit të popullit të tij, ndërsa Mixha nuk pyeti për vitet. U vu në rresht me djemtë e vajzat e UÇK-së dhe luftën nuk pranoi ta shihte nga televizori. Qëndroi në malet e vendlindjes me armë në duar dhe vdiq siç vdesin ushtarët e përhershëm të atdheut. Shërbimi i tij në radhët e TMK-së nuk ka qenë i pavlerësuar, sepse përvoja e tij jetësore dhe përkushtimi atdhetar kanë ndikuar në formësimin e ushtrisë së ardhme të Kosovës. Bazuar në tërë këtë aktvitet të denduar atdhetar, them se Rifat e Muharrem Dinës ua kemi borxh një falënderim të madh për gjithçka që bënë e dhanë për liri e bashkim. Ata ishin njerëz të zakonshëm, por dashurinë e përkushtimin për kombin e kishin të jashtëzakonshëm. Familjarëve të heronjve Rifat e Muharrem Dina, ju kërkojmë që të jenë ballëhapur dhe krenar me këta burra, ndërsa juve të tjerëve, ju kërkojmë ta nderoni e respektoni jetën dhe veprën e tyre. Kjo na bën më njerëzor dhe më të gatshëm për përballje me të sotmen, të nesërmen dhe të ardhmen më të mirë të fëmijëve tanë dhe të fëmijëve të fëmijëve tanë. I paharruar kujtimi për Rifat e Muharrem Dinën, e përjetshme qoftë vepra dhe lavdia e tyre! Tha në fjalën e tij kryetari Latifi.

Mund të jetë një imazh i 3 persona

Kontrolloni gjithashtu

NË FERIZAJ U SHËNUA DITA BOTËRORE E INFERMIERISË

Dita Ndërkombëtare e Infermierisë u shënua një takim solemn që u mbajt në Galerinë e …