Brickos

Flasin: Mevlan Shanaj, Bashkim Kozeli, Barjam Dosti, Luftar Paja, Margarita Xhepa, për filmin shqiptar të kohës së socializmit

 Filmat shqiptarë të socializmit i përkasin një periudhe të historisë, historia nuk shuhet me dëshira

Para disa ditësh, gjysma zyrtare e Partisë Demokratike nën drejtimin e Enkelejd Alibeajt ka depozituar në Kuvend një projektligj të posaçëm, i cili parashikon fshirjen e gjithçkaje që është prodhuar në regjimin komunist, me përjashtim të njerëzve që kanë lindur në atë kohë. Nisma për dekomunistizimin e Shqipërisë titullohet “për ndërgjegjësimin, kujtesën kolektive, ekspozimin dhe ndëshkimin publik të regjimit totalitar komunist”. Nisma ligjore parashikon ndalimin e simboleve të regjimit totalitar komunist, i veprave intelektuale për propagandë, i materialeve audio-vizuale për propagandë dhe i propagandës në veprimtaritë politike. Disa herë në media është hedhur ndonjë “shashkë” që të gjithë filmat e prodhuara në sistemin komunist të mos shfaqen në ekranet e televizioneve. Para disa vitesh këtë ide e ka hedhur edhe ndonjë poet apo shkrimtar ide që ngjalli shumë debat në shtyp dhe rrjetet sociale. Por më tej ky debat përfshiu jo vetëm regjisorët, aktorët, skenaristët, kompozitorët, por edhe politikën dhe gjithë shoqërinë shqiptare. Po si mendojnë artistët, regjisorët, aktorët, skenaristët për këto filma? Për të qenë korrekt me lexuesin, “Telegraf” zhvilloi një bisedë të gjerë me aktorë, regjisorë, skenaristë që kanë punuar në atë sistem. Ja cili është mendimi i tyre…  (Albert Z. ZHOLI)

Mevlan Shanaj –Mjeshtër i Madh

Është folur dhe disa vite më parë…Më thanë që Alibeaj paska propozuar në Kuvend ndalimin e filmave të para 90! Nëse është kështu, (siç edhe po më kërkon media të prononcohem)…. si themelues i PD, ndiej trishtim të konstatoj kētë kërkesë absurde nga PD. Ju them këtyre PD- istëve, se këtë ide, mes shqiptarëve nuk e përkrahin as 3 % e popullatës….Duket që po me këtë përqindje do ndahen zgjedhjet e ardhshme nëse hidhni teza të tilla. Korrigjoni shënjestrën nëse seriozisht mendoni se duhet ndryshuar Shqipëria! Kjo mendësi është pa asnjë vlerë ndryshimi! Do të ndodhë të shtohet shikueshmëria si për çdo gjë të ndaluar! Shoqëri e çuditshme, kaq shumë të dashuruar këta politikanë me çensurën në Art! Koha e ka bërë shkëlqyeshëm përzgjedhjen dhe seleksionimin. Merruni me ndonjë aventurë tjetër! Populli di vetë çfarë zgjedhë, nuk mund t’i imponohet asnjë instrument politik.

 

-Bashkim Kozeli- skenarist, dramaturg

Kur e kam dëgjuar këtë ide apo nismë jam befasuar. Kam shtangur. Mund të fshihet historia me dëshira?! Mund të fshihet historia me një të rënë të lapsit?! Po ju tregoj një njgarje…Në vitin 1994 kur punoja në Ministrinë e Mbrojtjes, shkuan për vizitë në Gjermani. Dy gjermanitë ishin Bashkuar dhe pamë një shtet të fortë dhe të konsoliduar. Për të na kënaqur ne si delegacion shqiptar, na ofruan të vizitonim Akademinë Ushtrake të Artilerisë Gjermane. Ishim shumë kureshtarë. Në sallën qëndrore ishin vendosur në korniza standarte të gjithë komandantët e Akademisë që nga krijimi e deri në kohën tonë. Duke vizituar dhe parë foto befas pashë një foto me uniformë naziste. Shtanga! Ndala! U befasova. U habita së tepërmi. Shoqëruesi u habit më shumë me habinë time. Ai më shikonte se mos kisha diçka shëndetësore. Në fytyrën time habija shfaqej hapur. Shoqëruesi më pyeti sërish zotëri çfarë keni?! Unë ende me atë shprehje fytyre i thashë: Po ky komandant me unifornë naziste çfarë kërkon këtu?! Shoqëruesi me qetësinë më të madhe më tha: Ai ka qenë komandant i Akademisë në vitet 1939 -1940. Pra afësisht dy vjet. Në foto janë të gjithë komandatët që kanë drejtuar Akademinë. Pa përjashtim. Pra ne nuk mund ta lëmë bosh atë vend. Ai është pjesë e historisë së Akademisë. Me të mirat apo të këqijat historia nuk duhet lënë bosh. E shikoja dhe nuk e besoja. Thashë me vete po në Shqipërinë time çfarë ndodh?! Po shkatërrojmë çdo gjë për ta nisur nga e para. Duke parë foton e nazistit m’u kujtua një ngjarje që ma kishte treguar Petrit Dume gjatë një takimi. Me atë mënyrën e tij karakteristike Petriti tregonte se në vjeshtën e vitit 1944 u ndeshën me një batalion gjerman. Ishim afër një kodre dhe disa qindra metra më tutje ishte një pyll. Ne ishim një togë dhe përballë forcave të shumta gjermane do të vriteshim të gjithë. Atëhere i thashë mitralierit: Do na mbulosh derisa të largohemi në pyll. Mitralieri  e respektoi më rigorozitet detyrën dhe filloi të qëllojë ndaj gjermanëve. Pas më pak se gjysëm ore mitralozi i partizanit heshti. Trupat gjermane u sulën drejt kodrës. Në atë kohë ne ishim në pyll dhe po vrojtoja më dylbi se çfarë po bëhej. Pas pak trupat gjermane e rrethuan vendin ku ishte mitralieri. Në atë kohë mbërrin dhe komandanti. Ai pa trupin e partizanit të bërë shosh nga plumbat dhe pasi tundi kokën, nderoi sipas mënyrës së tyre partizanin e vrarë. Pra, oficeri gjerman e respektoi vetmohimin e tij, trimërinë e tij dhe pas pak ata e varrosën trupin e partizanit me nderime. Kur ma thoshte nuk më besohej ashtu si nuk më besohej që fotoja e nazistit ishte në atë Akademi. Pra historia mbetet histori. Ajo nuk mund të shuhet me dëshira, idera, me kartona. Ajo ka gjurmët e saj që nuk i shuan asnjë kohë.

Luftar Paja, “Artist  i Popullit”

 

-Të ndalohen filmat e atij sistemi? Pse? Kush e thotë? Cilët janë ata që e thonë? Përse e thonë? Nga vijnë dhe kush janë? Kam kohë që e kam dëgjuar dhe e dëgjoj këtë refren. Do të thosha një refren i pështirë antishqiptar. Me një tezë për “Regjimin zero” e filluam demokracinë. Nuk lamë gjë pa bërë. Të gjitha i shkulëm, i dogjëm, i shkatërruam, i vodhëm. Sot ata të gjithë që bënë këto dalin me një teori të re, atë të mos transmetimit të filmit shqiptar të viteve të sistemit socialist. Unë do ju drejtohem të gjithë atyre që e kanë nisur këtë debat pervers se: -A e dini që dhe shteti shqiptar ka një ditëlindje? A e dini se dhe Universiteti shqiptar ka një ditëlindje? A e dini se dhe Kinostudio “Shqipëria e re” ka një ditëlindje? Pra çdo art, çdo shkencë ka një ditëlindje. Edhe filmi shqiptar ka një ditëlindje. Atë se mohon askush dot! Në atë sistem janë luajtur aq filma sa sot do të duhen 100 vjet të realizohen. Me të metat, me dobësitë, me ideologjizmat ato kanë vlerat e tyre. Çdo film, çdo ngjarje duhet të vendoset në kohë. Një gjë di të them se skenat masive të atyre filmave sot nuk mund t’i realizojë asnjë vend në Ballkan. Ato filma sot ndiqen me interes të madh nga rinia pa diskutuar brezin e tretë. Pra është ai kontigjent artistësh, regjisorësh, kompozitorësh, skenaristësh, që kanë nxjerrë vepra madhore, që kujtohen me respekt dhe filmat ndiqen me shumë respekt. Personalisht kam luajtur shumë filma artistikë në atë sistem, dhe e them me bindje shumë, shumë pak filma kishin ideologjizma brenda. Shumica kishin karakter patriotik, atdhetar, historik, edukues. Dua të them se kjo vjen për arsye se ata që duan këtë luftë të re klasash, janë njerëzit më ziliqarë të arritjeve të filmit shqiptar në atë sistem dhe që sot nuk realizohen dot. Për më tej, ajo plejadë aktorësh në atë sistem, nuk mund të rritet dhe të realizojë filma të atij niveli artistik. Ideologjia mbetet ideologji, ndërsa arritjet artistike kanë vend tjetër. Edhe sot kur i shoh ato filma, madje dhe ato që nuk kam luajtur vetë qaj dhe gëzohem kur shoh realizime të nivelit të lartë, që sot nuk i shoh në asnjë film dhe në asnjë dramë. Këtë e them me bindje dhe jam në gjendje të përballem me këdo. Kur shkonim në sheshet e xhirimit, në kushte të vështira të motit, por edhe të shpërblimit, ne mendonim vetëm si të bënim art. Kurrë nuk kemi diskutuar se sa marrim dhe sa mund të marrim. Ishim njerëz idealistë, kur sot shohim se rreth nesh ka vetëm aktorë materialistë. Ne atëhere bënim art me sakrificë, sot bëhet art për të fituar shuma të majme. Ne shumë herë e gdhinim dhe me bukë me çaj, por për gjithë natës mendonim se si të realizonim më mirë rolin dhe jo se si të fitonim më shumë. Kjo ndoshta nuk njihet nga ata që duan të mbyllin 50- vjet histori, arritje, krenari. Turp!

Margarita Xhepa “Artiste e Popullit”, “Nderi i Kombit”

 

As e mendoj se si mund të diskutohet një gjë e tillë. Pastaj, ajo është jeta jonë dhe nuk mund të diskutohet nga të tjerë të hiqet apo jo. Ndoshta mund të ketë sekuenca, që mund të hiqen, po mirë, por jo të hiqet filmi. Thonë që mohohet lufta, mohohet filmi, por mirë pa histori do rrimë ne? Konkretisht do flas për filmat që flasin për luftën Nacionalçlirimtare ku kam disa role. Aty shumë herë nuk përmendet as partia as Enveri. Po pse duhet të hiqen këta filma xhanëm? Me çfarë kurajë? Di të them se ne kemi punuar me dashuri të jashtëzakonshme. Në sheshet e xhirimit nuk diskutonim për partinë apo për Enverin, por për rolin. S’na zinte gjumi se si të realizonim rolin sa më mirë.  Filmat e atij sistemi ngrenë probleme sociale, pasqyrojnë ngjarje të Luftës Nacionalçlirimtare, problemet edukative të sinqeritetit, të dhembshurisë, etj… Çfarë mund të thuash ti për filmin “Dimri i fundit”?! Ato nëna të thjeshta, por me një dhembshuri të madhe me një varfëri të madhe, por me një fisnikëri të jashtëzakonshme  ndihmojnë partizanin e plagosur, u treguan të mençura, duke prerë dru, me një veprim njerëzor që t’i shmangeshin ndjekjes së gjermanëve: u futën në përrua për të mos lënë gjurmë. Pra, ato kryen një mision fisnik, një mision njerëzor, që ndihmuan luftën me një triko, me një palë çorape, me një veprim të tillë këto nëna të mrekullueshme shqiptare kanë treguar cilësitë dhe virtytet e tyre më të mira. Ne e dimë se si është tradita e gruas shqiptare, që harron veten për fëmijët, për atdheun, me një durim, me një fisnikëri, me një qetësi, të jashtëzakonshme, që është pasqyruar në këtë film. A mund të hiqet ky film?! Le të marrim dhe filmin “Pylli i lirisë” apo disa filma të tillë ku unë kam luajtur. Psh filmi “Toka e përgjakur” kur vritet një burrë pa të drejtë kur dihet që është toka e tija. Padrejtësisht i heq bukën e gojës, i vret të ardhmen, i vret jetën. Filma të tillë me karakter socialo-edukues janë me dhjetëra. Por le të marrim filmin “Dora e ngrohtë”. Një film shumë i bukur, shumë edukues. Vërtet ai i dënuari mbaroi burgun, por ama ai nuk duhet të rrijë me atë damkën e burgimit. Jo! Dorën atij nuk ia jep partia, por në radhë të parë ia jep shoqëria, miqtë, shokët. Si këta filma ka plot të tjerë. Di të them se në atë sistem të varfër, ne punonim me dashuri të jashtëzakonshme të sillnim pranë popullit art. Artin ne nuk e mendonim si anëtarë partie, por si aktorë, si artistë. Kishim një përkushtim idealist, që nuk mund të mendohet, dhe as e çonim në mend anën materiale, se ashtu ishin sistemuar gjërat: të varfër, por me shpirt artisti. Kishim një dashuri të madhe për njeri-tjetrin, punonim me një seriozitet të madh dhe me një rrogë të vogël. Di të them se kemi bërë filma në shi, në borë, në diell, zbathur dhe kurrë nuk kemi thënë u lodhëm. Këto filma janë pasuri e artistëve, e skenaristëve, e regjisorëve, e montazhierëve, etj. Çfarë mund të thuash për skenarët e Kiço Blushit që ka shkruar për figura të mëdha si Tefta Tashko Koço, që studiuan jashtë shtetit dhe erdhën të japin koncerte në kushte të vështira në vendin e vet?! Jam pa fjalë, nuk e besoj. Nga nisen këta njerëz që hedhin baltë mbi historinë? Këto ditë shkova në një promovim dhe recitova. Një koleg dhe të gjithë më thanë: ‘si ke ardhur me këtë këmbë të sakatuar në aktivitet?’ Jo i thashë, e munda dhimbjen të vij këtu mes njerëzve për të dhënë shpirtin tim. Ky është brezi im, brezi i sakrificave! Arti mbetet i përjetshëm pjesë e historisë më të bukur të një kombi. Temat  që kemi trajtuar dhe luajtur në atë sistem, nuk kanë të bëjnë me ideologjizma, por me shpirtin e çdo artisti, skenaristi, regjisori, kompozitori, për të sjellë para popullit të vet art të vërtetë. Nqs ka diku një fotografi të dikujt, ajo është pjesë e historisë. Ne nuk mund ta sjellim filmin sikur është realizuar sot! Ajo foto e diktatorit i përket asaj periudhe historike. Ne s’mund ta tjetërsojmë kohën, vendin dhe historinë. Kush nuk e pëlqen le ta heqë atë pjesë. Thelbi është se ata filma kanë trajtuar probleme sociale, por mbi të gjitha kanë mesazhe të mrekullueshme. Kush flet për filmat e atij sistemi le të hedhë më mirë sytë në punën dhe në veprën e tij.

 

Barjam Dosti- regjisor, aktor

 

Kur e kam dëgjuar përherë të parë para disa vitesh m’u duk një çmenduri e çastit, por kur po e dëgjoj sërish më duket një marrëzi e pa fre. Kush janë ata që duan të shuajnë historinë?! Kush janë ata që duan  të shuajnë mundin, djersën, lojën, artin e një periudhe 50-vjeçare?! Kush janë ata që duan të mohojnë çdo gjë të një sistemi madje dhe luftën?! Është qesharake dhe nuk ja vlen të merresh, por do të thosha njerëz inkopetentë për kinemanë dhe zhvillimet e saj në kohë, diskutojnë plot profanitet. Filmi konsiderohet një vepër artistike e mbyllur, ashtu si një roman. Lëreni historinë të rrjedhë. Lëreni artin të flasë me gjuhën e vet në çdo kohë. E të shohim problemet sot …Filmi ka shtëpinë e tij që është kinemaja, e cila pothuajse në të gjithë territorin e vendit mungon. Nëse krijuesit aktorët e asaj kohe u bënë të dashur dhe të njohur për publikun e kohës ishte ekrani i madh ai që u jepte vlerë, ndaj krijuesit dhe aktorët sot nuk njihen shumë nga spektatori, sa kohë që ekrani i vogël do të luajë premierat e filmit shqiptar të formatit në kinema, të cilat shuhen menjëherë pas një premiere në kinematë e Tiranës duke mos e parë dritën e projeksionit në Shqipëri. Ndaj ky debat mbetet shterp dhe nuk mund të gjejë arsyetim. Historia do i dënojë të gjithë ata që duan të shuajnë historinë e një kombi. Historia flet vetë me fakte, shifra, me vepra dhe jo me fjalë boshe. Mos luani më historinë e një vendi që kudo ka mundur të mbijetojë mes vështirësish, hallesh, tradhëtish dhe pabesish.

Kontrolloni gjithashtu

James O’Brien: Plani i Zgjerimit i Bashkimit Evropian është një plan që nuk është parë më herët

Intervista e Ndihmës-Sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, për “Zërin e Amerikës”, në gjuhën shqipe

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien thotë se Shtetet e Bashkuara janë shumë të …