Ekonomia e Kosovës po hyn në një fazë më të ndjeshme zhvillimi, me rritje në ngadalësim dhe presione të vazhdueshme inflacioniste, vlerëson International Monetary Fund në raportin e fundit për vendin. Sipas raportit për vitin 2026, rritja ekonomike ka rënë nga 4.6% në vitin 2024 në 3.6% në 2025 dhe pritet të zbresë në 3.3% gjatë këtij viti, kryesisht për shkak të dobësimit të eksporteve dhe kërkesës private. Ndërkohë, inflacioni ka arritur rreth 5.75% dhe pritet të mbetet i lartë gjatë vitit, i nxitur kryesisht nga rritja e çmimeve të ushqimeve. Raporti thekson edhe përkeqësimin e bilancit të jashtëm, me deficitin që ka arritur në 9.2% të BPV-së, si pasojë e importeve të larta të energjisë dhe ushqimeve. Në tregun e punës, rritja e pagave është ngadalësuar në 9.5%, ndërsa punësimi formal ka shënuar rritje modeste. FMN paralajmëron se rreziqet mbeten të larta, si nga zhvillimet globale ashtu edhe nga pasiguritë politike brenda vendit, përfshirë çështjen e presidentit. Megjithatë, zbatimi i Planit të Rritjes së BE-së shihet si mundësi për të nxitur ekonominë. Institucioni rekomandon kujdes në politikat fiskale, përshpejtim të reformave strukturore dhe investime në sektorin e energjisë, në mënyrë që të ruhet stabiliteti ekonomik dhe të sigurohet rritje më e qëndrueshme në vitet në vijim.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
