Frank Shkreli: Një mbështetje historike ndërkombëtare ndaj lirisë së fjalës

Frank Shkreli: Suzanna Shkreli fillon fushatën për në Kongresin Amerikan

Më në fund është zyrtare!  Ndihmës Prokurorja shqiptaro-amerikane në shtetin Miçigan (SHBA), 29-vjeçarja Suzanna Shkreli është kandidatja e re e Partisë Demokrate në rajonin elektoral ose në distriktin numër 8 të Kongresit amerikan. Ajo zevëndëson kandidaten e parë të Partisë Demokrate, Melissa Gilbert e cila njoftoi kohët e fundit se, për arsye shëndetësore, u tërhoq nga gara për në Kongresin amerikan. (Për arsye etike, më duhet të rrëfej që nga fillimi se Suzanna është vajza e një kushëririt tim, jo të largët, me të cilin jemi rritur në katundin Amull, afër Ulqinit).

Ndihmës prokurorja shqiptaro-amerikane dhe kandidatja e Partisë Demokrate, në garën e saj për të përfaqësuar votuesit në distriktin numër 8 do të përballet me kandidatin e Partisë Republikane, kongresistin Mike Bishop. Nuk do të jetë e lehtë gara politike për Suzana Shkrelin     sidomos kur të merret parasyshë fakti se kjo është fushata politike e parë e saj, për një detyrë të lartë, në një proces mjaft të ndërlikuar, ndërkohë që do të zhvillojë një garë ndaj një kundërshtari republikan me përvojë politike. Duke shpjeguar arsyen se pse ka vendosur t’i përgjigjej ftesës së Partisë Demokrate për të kandiduar për në Kongresin amerikan, Suzana Shkreli thotë në faqen zyrtare të fushatës së saj se: “Si prokurore, unë përballem çdo ditë me sfida serioze dhe në Gjykatë jam dëshmitare e dështimeve dhe mos aftësisë të Kongresit për tu marrë me nevojat bazë të familjeve amerikane, për çështje siç janë krijimi i punëve me paga të mira, shkollimi me kushte të volitshme financimi dhe sigurimi i pensioneve të sigurta për të moshuarit.  Ne përballemi me sfida të forta dhe serioze në shtetin Miçigan dhe si amerikane e brezit të parë me origjinë shqiptare”, theksoi zonjusha Shkreli, “jam përballur vet me shumë sfida e vështirsi në jetën time të përditshme. Si e tillë, nuk mund të rrijë duarkryq dhe nuk dëshiroj të lejojmë një Kongres të vazhdojë të mos funksionojë si duhet ndërkohë që vazhdon të mos përfilli dhe të mos jetë i interesuar për nevojat bazë të familjeve punëtore të shtetit Miçigan.  Kjo është arsyeja që po kandidoj për në Kongresin amerikan”, nënvijoi shqiptaro-amerikanja, Suzanna Shkreli.  Ajo vazhdoi duke thënë se si, “Prokurore në Sektorin e Mbrojtjes së Fëmijve, të zonës Macomb të shtetit Miçigan, unë çdo ditë përballem me sfida dhe marrje vendimesh për të mbrojtur fëmijtë nga abuzimet seksuale dhe nga dhuna”. Duke iu referuar kundërshtarit të saj republikan, kandidatja demokrate tha se, “Mike Bishop dhe Kongresi i tanishëm refuzojnë të përballen me këto sfida dhe nuk merren seriozisht me asnjë zgjidhje të problemeve”.

Në deklaratën e saj, duke njoftuar kandidaturën e saj për në Kongresin amerikan, Shkreli u shpreh se prindërit e saj, Zefi dhe Maria, “Janë imigrantë shqiptarë të cilët ç’prej ardhjes së tyre në Amerikë kanë punuar rëndë për të bërë të mundur shkollimin e lartë për mua, për vëllëzërit e mi dhe për motrën time”.  Suzanna vet ka lindur dhe është rritur e shkolluar në Miçigan. Ajo u jep kredi prindërve të saj për inkurajimin që i kanë dhënë për të siguruar një shkollim të lartë duke u thënë fëmijve të vet vazhdimisht se arsimi i përgjithshëm është jetik për zhvillimin e tyre personal dhe profesional.  Kjo është arsyeja, theksoi ajo, se pse kam vendosur t’ia kushtoj karierën time mbështetjes ndaj brezit të ardhëshëm, për të siguruar që edhe ata të kenë të njëjtat mundësi që kisha unë.”  Për sukseset e saja ajo shprehet se i është mirënjohëse familjes dhe thotë se përveç ndihmesës për familjen e saj, ajo shpreson që t’ia kushtojë gjithë karierën e saj mbështetjes së interesave të publikut.   Suzanna Shkreli është mbrojtëse e fortë e të drejtave të viktimave të krimeve në këtë vend, ndërsa edhe jashtë vendit ka përfqësuar Departmentin Amerikan të Drejtësisë në trajnimin e pjesëtarve të enteve ligjore dhe policore të vendeve të ndryshme për të mbrojtur viktimat e krimit. Kohët e fundit ajo ishte dërguar edhe në Shqipëri nga Ministria Amerikane e Drejtësisë me të njëjtin mision.

Një prej arritjeve të Suzana Shkrelit, jashtë punës së përditshme si prokurore për të cilën ajo ndihet krenare, është roli që ajo ka luajtur në themelimin e Shoqatës së Avoketënve Shqiptaro-Amerikanë të shtetit të Miçiganit (Albanian-American Bar Association of Michigan). Misioni i kësaj shoqate — e njohur zyrtarisht nga shteti — është që t’i shërbejë komunitetit shqiptar dhe që anëtarët e sajë të ushtrojnë avokatinë si një grup i bashkuar etnik, kulturor dhe profesional, duke u dhënë mundësi shqiptarëve që të punojnë së bashku për përmirësimin e jetesës së tyre dhe për të mirën e komunitetit në përgjithësi.

Duke njoftuar fillimin e fushatës për në Kongresin amerikan, Suzana Shkreli deklaroi se, “Jam gati” për fushatën, e ndërgjegjëshme për punën e rëndë që kërkon një fushatë e tillë politike, shpesh brutale këtu në Amerikë dhe njëkohsisht e vetdijshme për sfidat dhe problemet me të cilat do të përballet në fushatën që e pret, në javët dhe muajt e ardhëshëm.

Fitorja e Suzanna Shkrelit nuk do të jetë e lehtë. Nuk do të jetë kollaj për Suzanën të fitojë kundrejt një kundërshtari republikan me përvojë, por ky vit zgjedhjesh në Shtetet e Bashkuara është si asnjë tjetër më parë, me supriza si ato që shohim në nivelin e fushatës për president të Shteteve të Bashkuara.  Çdo gjë e është e mundur.

Fitorja e saj do varet kryesisht nga zhvillimi i një fushate intensive dhe të gjithëanshme nga ana e saj, nga programi që ajo do shpalosë si pjesë e fushatës së saj si dhe nga aftësitë e saja politike për të bindur votuesit e atij distrikti elektoral se ajo është personi më i mire dhe më i përgatitur që duhet t’i përfaqësojë ata dhe të mbrojë interesat e tyre në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.  Për realizimin e fitores, Shkreli ka nevojë mbi të gjitha, që pikësëpari të sigurojë mbështetjen e pa kursyeshme të Partisë Demokratike që ajo përfaqëson, por edhe të mund të llogarit ndihmën dhe përkrahjen e fortë të komunitetit shqiptaro-amerikan, në përgjithësi.

Më në fund, pasi të jenë bërë të gjitha përpjekjet për një fushatë të suksesshme dhe pasi tu jenë komunikuar zgjedhësve të gjitha programet dhe idetë politike të Suzana Shkrelit, për tu abzorbuar nga votuesit para zgjedhjeve të përgjithshme në nëntor, më në fund fati i kandidaturës së saj është në dorë të zgjedhësve. Votuesit janë sovrani, ata e kanë fjalën e fundit.  Por, cilido që të jetë rezultati përfundimtar, është pozitiv fakti që kandidatura e Suzanna Shkrelit për në Kongresin amerikan ka tërhequr vëmendjen e medias amerikane, të asaj shqiptaro-amerikane por edhe medias në trojet shqiptare. Si gjithmonë, është e rëndësishme për komunitetin e vogël shqiptaro-amerikan, në krahasim me grupe më të mëdha etnike në këtë vend, që brezi i ri i shqiptaro-amerikanëve që përfaqsohet nga persona të nivelit si Suzzana Shkreli, të tregojnë se janë të gatëshëm të sakrifikojnë duke kandiduar për poste të ndryshme politike, nga më të vogëlat në nivele vendore e shtetërore e deri në më të mëdhatë të nivelit federal, duke zhvilluar një fushatë bindëse dhe të ndershme.

Shpresoj që kandidatura e Suzana Shkrelit për tu bërë anëtare e Kongresit amerikan tregon pjekurinë dhe vendosmërinë e komunitetit tonë shqiptaro-amerikan, se ky komunitet është i denjë dhe i gatëshëm të marrë pjesë aktive në procesin politik amerikan, këmbë për këmbë me grupe të tjera.  Kandidatura e Suzanna Shkrelit përbën gjithashtu edhe një zhvillim historik të angazhimit serioz politik të komunitetit shqiptaro-amerikan, pasi mesa dihet, kjo duhet të jetë kandidatura e parë e një femëre shqiptaro-amerikane që synon një post në Kongresin amerikan.  Natyrisht, ne i urojmë sukses në fushatë dhe shpresojmë në fitoren përfundimtare të Suzannës, por cilido qoftë rezultati në nëntor, komuniteti shqiptaro-amerikan është krenar me historitë e deritanishme të suksesit të këtij brezi — përfaqsuese e të cilit është edhe Suzana Shkreli.

Frank Shkreli: Nderi dhe identiteti i kombit shqiptar në shitje

Kohëve të fundit, nderi, identiteti dhe interesi kombëtar janë venë tallje, mund të thuhet janë venë në shitje, në ankand, për këdo që paguan më shumë.  Kjo, në të vërtetë, nuk është diçka e re. Mbani mend deklaratën e Rexhep Taip Erdoganit se Turqia është Kosovë dhe Kosova është Turqi?  Por meriton të përmenden rastet e fundit të këtyre përpjekjeve anti-shqiptare të cilat denigrojnë historinë dhe identitetin e kombit shqiptar, ndërkohë që përbëjnë edhe një ndërhyrje flagrante në interpretimin e historisë së shqiptarëve. Për më tepër, përfaqësues të këtyre rrymave anti-shqiptare, kohët e fundit madje lëshuan edhe kërcënimet e rastit. Si gjithmonë, në krye të radhës për të bërë ofertat në ankand janë të njohur, ata që historikisht nuk ndalen së turruri trojeve shqiptare kurdo që shohin një hapje, në kohë lufte e në kohë paqeje: sllavët, turqit dhe grekët.

Kohët e fundit në Tiranë u mbajt kongresi i Partisë për Bashkimin për të Drejtat e Njeriut (PDIU) ku mori pjesë përfaqësuesi i qeverisë së Kryeministrit grek, një i quajtur Makropulos. Ai foli në kongresin e PDIU-s në prani, jo më pak se të Kryeministrit të Shqipërisë Rama dhe përfaqësuesve të opozitës shqiptare.  Se pse ftohet një njeri i tillë të marrë pjesë në një takim politik të kësaj natyre është e pakuptueshme, por sidoqoftë, përfaqësuesi i qeverisë greke, ballë për ballë me krerët e politikës së Tiranës foli për shqiptarët e Çamërisë si bashkpuntorë të nazistëve, temë e preferuar kjo e grekëve për të mbuluar gjenocidin kundër shqiptarëve të Çamërisë.  Ai citohet nga media vendase të ketë thënë  se “Ajo që mua më shkakton problem është vullneti dhe dëshira e qeverisë shqiptare për të bashkëpunuar me të gjitha forcat. Si është e mundur që pasardhësit e luftëtarëve kundër Gjermanisë të pranojnë dhe të tolerojnë pranë disa pasardhës të nazistëve.”

Atëherë, përfaqësuesi grek, sikur po u drejtohej me një leksion nxënësve të klasave fillore, u thotë pjesëmarrësve në kongresin e partisë PDIU se “Ju e dini se cilët janë njerëzit për të cilët unë po flas. Nuk është e mundur që unë të fyej Shqipërinë me ato thënie që ato kanë ngritur, por ata fyejnë Shqipërinë dhe jo Greqinë, historinë e rezistencës së Shqipërisë dhe ky është një problem”, iu drejtua Makropulos, përfaqësuesi i qeverisë greke, Ramës dhe përfaqësuesve të opozitës shqiptare.

Në minimum, sjellja e përfaqsuesit grek, të pakën në një shënjë simbolike duhej që kjo deklaratë të protestohej aty për aty, me ndonjë deklaratë përshtatëse ose me largimin nga salla. Ndonëse dikush mund të thotë se ne shqiptarët nuk e kemi zakon të sillemi ndaj mikut në këtë mënyrë. E vërtetë, por miku i mirë nuk të ofendon në shtëpinë tënde, në sofrën të tënde. Makropulos nuk u suall si mik i mirë, por si provokues dhe si kërcënues dhe si tillë shkeli mikpritjen shqiptare!

Rasti i dytë dhe i freskët këto ditët e fundit ishte edhe më shqetësues, pasi ishte një sulm i drejtë për drejtë kundër kryeheroit, kryetrimit të historisë dhe simbolit të identitetit dhe të bashkimit të kombit shqiptar, Gjergj Kastriotit – Skendërbe.  Pas vizitës në Turqi të Kryeministrit Rama, ku presidenti turk Erdogan shërbeu si shofer i tij, siç duket për të treguar respektin personal dhe miqësinë e ngushtë me kreun e qeverisë shqiptare — nga Lezha vjen lajmi se  një i ashtuquajtur historian turk me emërin Talha Uğurluel paska vizituar varrin e Skënderbeut. Para se të citoj këtë halldup otoman për ofendimet ndaj heroit kombëtar të shqiptarëve, ia vlen të theksohet se nuk është një koincidencë se ky na qenka një përfaqësues i shoqatës Tika, organizatë kjo që financohet nga Erdogani e misioni i të cilës është të “zbulojë” rrënjët otomane në Ballkan.  Por, ky farë historiani, i cili siç duket flet  me mbështetjen, me porosinë dhe në emër të autoriteteve të larta në Ankara, nuk e la me kaq. Pas ofendimeve që ndeshën në duartrokitje të pranishmëve, ai madje i kërcënon shqiptarët, aty në shtëpinë e tyre, në vatrën e kombit, në vendin më të shënjtë të historisë dhe të identitetit kombëtar të Arbërit, duke paralajmëruar me autoritetin e tij, se shqiptarët kanë një alternativë që ose të jetojnë “si Mehmet Akif Ersoy, shqiptar por besnik i Osmanëve, ose si Skënderbeu, tradhtar.”

Në minimum, siç thashë më lartë, sjellja e përfaqësuesit grek në një takim politik në Tiranë, të pakën në një shenjë simbolike, duhej që   deklarata e tij të protestohej aty për aty, me ndonjë deklaratë përshtatëse ose me largimin nga salla.  Ndërsa, përfaqsuesi i Erdoganit, Talha Uğurluel duhej të dëbohej aty për aty nga Shqipëria si ofendues i nderit, i historisë dhe i simbolit më të shënjtë të shqiptarëve. Dikush mund të thotë, më ngadalë se ne shqiptarët nuk e kemi zakon të sillemi ndaj mikut në këtë mënyrë. E vërtetë, por miku i mirë nuk të ofendon në shtëpinë tënde, në sofrën të tënde. Për më tepër, miku nuk të kërcënon në shtëpinë tënde, siç bënë këta dy halldupë. Gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri, Makropulosi grek dhe turku Uğurluel nuk u sollën si miq të mirë por si provokues, kërcënues dhe mohues të historisë dhe identitetit të shqiptarëve. Si të tillë, të dy këta e shkelën mikpritjen shqiptare! Si të tillë, ata ishin të pa besë dhe të pa dëshirueshëm në sofrën e shqiptarit. Këta dhunuan mikpritjen dhe bukën e shqiptarit, por për ata që dinë diçka dhe që duhet të gjykojnë më mirë, në radhë të parë përfaqësuesit e sotëm politikë të kombit shqiptar të cilët duhet të jenë të vetëdijshëm se me këtë rast u dhunua diçka më shumë se sa mikpritja shqiptare nga këta dy halldupë. U dhunua historia, identiteti dhe nderi i kombit.  Këto, në të vërtetë ishin ato që turku dhe greku, secili sipas interesave të veta, donin të arrinin. Donin që mbi të gjitha të njollosnin dhe të dëmtonin historinë dhe simbolet e kombit shqiptar, para vet shqiptarëve, aty në trojet e veta autoktone shekullore. Ata ia dolën qëllimeve të tyre!

Kombi shqiptar dhe historia e tij vazhdon të njollosët dhe njëkohësisht mbeten të dëmtuar dhe të dhunuar nga deklarata siç është kjo e përfaqësuesit të qeverisë greke në Tiranë dhe të përfaqësuesit të presidentit turk, Erdogan, aty pranë varrit të Skënderbeut në Lezhë. E gjithë kjo ndodhi kur në Prishtinë po celebrohej një meshë në Katedralën Nënë Tereza kushtuar viktimave të terrorit në Turqi dhe në të njëjtën kohë kur vet kryeministri shqiptar po pritej e gostitej nga Erdogani gjatë një vizite në Turqi, vizitë e dokumentuar krenarisht me fotografitë e rastit në facebook-un e kryeministrit shqiptar. “Something is wrong with this picture!”  Diçka nuk është në rregull me këtë situatë!

Fatkeqësisht, kjo nuk është hera e parë dhe nuk do të jetë e fundit, që jo vetëm përfaqësues të tillë turq e grek, por edhe zyrtarët më të lartë të këtyre dy vendeve kanë bërë, nga koha në kohë, deklarata fyese ndaj historisë së shqiptarëve, madje duke bërë thirrje për rishikimin dhe ri-shkrimin e saj, sipas epsheve të dobëta të armiqve historikë të shqiptarëve.

Nuk e di se ç’është me keq: deklaratat ofenduese anti-shqiptare të këtyre halldupëve, apo heshtja dhe indiferenca ndaj këtyre ofendimeve prej vetë përfaqësuesve të shqiptarëve kudo, nga qeveria e Shqipërisë, nga Kosova ose nga institucionet e tjera të shqiptarëve, sidomos ato akademike. Pyetja që duhet bërë është se kush i del sot zot historisë, nderit dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve, përballë këtyre halldupëve që mbështeten dhe financohen nga nivelet më të larta qeveritare dhe shtetërore e që përfaqësohen nga njerëz të tillë dhe në emër të cilëve ata flasin. Po kush flet sot në mbrojtje të interesave kombëtare dhe të historisë së shqiptarëve?

Mos reagimi zyrtar i përfaqsuesve politikë të kombit shqiptar sot ndaj këtyre ofendimeve që fatkeqsisht tashti janë bërë të zakonshme kundër historisë dhe sidomos kundër simbolit kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbe — nuk është asgjë më pak se një dëshmi që flet për një dobësi morale dhe për një mungesë atdhedashurie të këtij brezi. Mos Zot më keq!

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …