Frank Shkreli: Një mbështetje historike ndërkombëtare ndaj lirisë së fjalës

Frank Shkreli: Shqipëria me tri lobe në Uashington

 Në të vërtetë nuk është Shqipëria që ka tre lobingje në Washington, por, sipas të dhënave në mediet  shqiptare, janë tre partitë politike kryesore të Shqipërisë, PS-ja PD-ja dhe LSI-ja, që tani kanë nënshkruar marrëveshje me organizata të lobit amerikan, për të shërbyer si agjentë ose përfaqësues të këtyre partive në Washington. Me fjalë të tjera, paguhen qindra mijëra dollarë për të punuar në interes të partive në fjalë, por jo doemosdoshmërisht në interes të Shqipërisë.

Tani, nuk dua që të keqkuptohem.  Unë besoj se Shqipëria dhe Kosova si shtete duhet të kenë – përveç ambasadave të tyre në Washington – edhe një organizatë lobingu për të shërbyer si përfaqsuese e interesave shqiptare në Washington, sidomos në lidhjet me Kongresin amerikan. Një gjë e tillë mund të justifikohet, pasi kjo është një praktikë që ushtrohet edhe nga shumë vende të botës.   Natyrisht se ambasada e Shqipërisë dhe ajo e Republikës së Kosovës në Washington luajnë rolin e tyre si përfaqësi zyrtare diplomatike në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara.  Por nuk besoj se për nga natyra e tyre, marrëveshjet e partive politike shqiptare, të nënshkruara me organizata amerikane të lobingut, u shërbejnë drejtë për drejtë, interesave të Shqipërisë ose të shqiptarëve. Këto marrveshje u shërbejnë kryekëput vetëm interesave politike afat shkurta të partive në fjalë, ose udhëheqësve të tyre, të cilët gjatë vizitave në Washington “blejnë” në rend të parë marrjen e fotografive me anëtarë të Kongresit ose me zyrtarë të lartë të administratës.  Duket se fotot janë diplomacia e preferuar e politikanëve shqiptarë gjatë vizitave të tyre në Shtetet e Bashkuara.  Deri më sot, këto lobingje nuk kanë prodhuar asgjë më shumë se ndonjë foto të udhëheqsve shqiptarë me ndonjë zyrtarë të lartë amerikan ose kongresmenë.  I famëshëm tani është rasti i fotos 80-mijë dollarëshe e Kryministrit shqiptar Edi Rama me ish-presidentin Barak Obama dhe shtërngimi i duarve midis tyre prej një minute!

Përsonalisht, nuk jam dakort me këtë praktikë të partive politike shqiptare për të pasur grupe të tyre lobingu në Washington — për arsyen se, në mendimin tim, ato marrveshje nuk i shërbejnë interesave dhe kauzave shqiptare që duhen mbrojtur në Washington.  Por u takon votuesve dhe medias shqiptare që të vlerësojnë përfitimet ose jo që mund të vijnë nga përfaqsi të tilla me pagesë në Washington, të sponsorizuara nga partitë e tyre politike. Janë taksa-paguesit shqiptarë ata që duhet të vendosin nëse praktika të tilla janë në interes të shqiptarëve apo vetëm të partive politike, ose përfaqsuesve të tyre?

Unë në të vërtetë — si pjesëtar i komunitetit shqiptaro-amerikan– kam një shqetësim tjetër, që sipas meje është më i rëndësishëm dhe më i dëmshëm, për të mos thënë edhe më i rrezikshëm, që ky fenomen mund të ketë në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane dhe mbi rolin që diaspora shqiptare në Amerikë ka luajtur historikisht nëkëto marëdhënie, duke filluar nga Fan Noli e Faik Konica e deri më sot.   Pra, ka të bëjë me faktin se këto aktivitete lobiste të partive shqiptare në Washington, sidomos vitet e fundit, duket se po afektojnë komunitetin shqiptaro-amerikan dhe rolin e tij prej pothuaj një shekulli në mbrojtje të interesave shqiptare në Washington, gjatë një periudhe kur as Shqipëria dhe as Kosova nuk kishin ambasada e as lidhje diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Në fakt ishte komuniteti shqiptaro-amerikan, si individë dhe si grupe të organizuara, që ushtronte rolin e ambasadave dhe të lobit shqiptaro-amerikan. Dihet se lobi shqiptaro-amerikan, sidomos gjatë luftës në Kosovë, konsiderohej si ndër më të fuqishmit në Washington, gjë që u provua me mbështetjen e pakursyeshme të këtij vendi për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Gjatë periudhës komuniste, ky komunitet ka promovuar lirinë dhe demokracinë në Shqipëri dhe rivendosjen e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.

Gjatë viteve të fundit – me përjashtim të Presidentit të Republikës — është venë re një mos interesim i gjithanshëm zyrtar për një pjesë të madhe të komunitetit shqiptaro-amerikan, madje disa vërejtës thonë se shihen përpjekje për ta përçarë komunitetin, bazuar në mbështetje ose jo të partive politike në trojet shqiptare. Fatkeqsisht, duket se fryma e ndasive dhe e përçarjeve politike në trojet shqiptare ka përfshirë edhe komunitetin këtu. Jo vetëm për t’a përçarë, por edhe për t’a injoruar dhe për ta anashkaluar si të pa rëndësishëm.   Në të vërtetë, marrëveshjet e partive politike shqiptare me lobingjet amerikane në Washington, përforcojnë këto ndjenja. Duke komentuar mbi marrëveshjet e partive shqiptare me grupe lobiste në Washington, dukebiseduar me një koleg timin, ai komentoi se me këtë veprim partitë politike shqiptare sikurë duan t’i thonë diasporës shqiptare në Amerikë: s’kemi nevojë më për ju. E kaluam lumin, e u…kalin.  Kemi ambasadat tona e kemi dollarë për lobingje personale…

Ndoshta zyrtarët e sotëm shqiptarë nuk i japin rëndësi diasporës shqiptare dhe rolit të saj historik në Shtetet e Bashkuara, por Washingtoni zyrtar i ka njohur gjithmonë meritat e tij në promovimin e marrëdhënieve të Amerikës me Shqipërinë dhe me Kosovën, ashtu siç kanë bërë edhe disa udhëheqës shqiptarë në të kaluarën.  Është kjo një traditë dhe një doemosdoshmëri që nuk duhet të harrohet as të zhduket sepse nuk dihet se kurë do të ndodhë kriza e ardhëshme për shqiptarët në trojet e tyre, dhe si rrjedhim do të ndjehet nevoja për mbështetjen e komunitetit shqiptaro-amerikan.  Është ky një rol që duhet vlerësuar, jo vetëm për arrrijtjet në të kaluarën, por me qëllim edhe për të mbajtur të interesuar dhe të angazhuar edhe brezat e ardhëshëm të komunitetit shqiptaro-amerikan në mbrojtjen e interesave shqiptare në Washington.

Por, pa marrë parasyshë marrëveshjet e nënshkruara nga partitë politike shqiptare me lobingjet amerikane dhe megjithë anash-kalimin dhe mos interesimin seleksionues zyrtar që vihet re sot, sidomos ndaj diasporës së vjetër në Amerikë, komuniteti shqiptaro-amerikan – besoj unë – do të vazhdojë të shërbejë me dinjitet dhe atdhedashuri, si ambasadori më i mirë që mund të ketë Shqipëria dhe Kosova në Washington. Shqipëria dhe Kosova duhet të angazhojnë më shumë dhe në mënyrë më të organizuar diasporën pa dallim, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara por kudo gjetkë, si një vlerë dhe pasuri të pazevendësueshme për forcimin e marrëdhënieve të shqiptarëve me botën.

Shqiptarët e Amerikës, si gjithmonë më parë, qysh prej kohës së Fan Nolit e Faik Konicës – dhe pa marrë para syshë interesat personale politike dhe frymat e kohës aktuale matanë oqeanit – qoftë si individë qoftë si grupe të organizuara, kur të paraqitet nevoja, do të vazhdojnë të japin për Nënën, për Shqipërinë e për Kosovën dhe për shqiptarët kudo në trojet shqiptare, me ose pa ndihmën e lobingjeve të sponsorizuara nga partitë politike shqiptare.

FAN NOLI: JEPNI PËR NËNËN

Ç’thot’ ajo e ve e gjorë,

-Mbretëreshë pa kurorë-

Faqe-çjerrur, lesh-lëshuar,

Shpirt e zëmër përvëluar;

Gjysm’ e vdekur: “O Shqiptarë,

Nënës mos ia bëni varrë!”

Mbahu, Nëno, mos kij frikë

Se ke djemtë n’Amerikë.

Qan e lutet Nën’ e mjerë,

Kërkon vatrën edhe nderë,

Do lirinë dhe atdhenë,

Si ç’e pat me Skënderbenë,

Bijt’ e besës thërret pranë.

Kur i thirri dhe s’i vanë?

Mbahu, Nëno, mos kij frikë,

Se ke djemtë n’Amerikë.

Cilët jan’ ata tiranë

Që të pren’ e që të vranë

Që të therrë bij e bija,

Dhe t’u-nxi, t’u-mbyll shtëpija?

Derthni plumba, o Shqiptarë,

Gjakn’ e Nënës për të marrë,

Mbahu, Nëno, mos kij frikë,

Se ke djemtë n’Amerikë.

Cilët bij të trathëtuan

Dhe të doqnë dhe të shuan

Dhe të lan’, o Shkab’ e ngratë

Pa fole, pa zog, pa shpatë?

Këta qena, o shok’ i mbytni,

Mbushni gjyle që t’i shtypni.

Mbahu, Nëno, mos kij frikë,

Se ke djemtë n’Amerikë.

Sa kërkon e sa të duhen?

Burrat nga detyra s’ndruhen!

Trim i mirë do të japë,

S’kursen jetën as paratë;

Hithni, hithni tok dollarë,

Të mos mbetemi të sharë.

Mbahu, Nëno, mos kij frikë.

Se ke djemtë n’Amerikë.

Do të ndihim pa kursyer

Për ty, Nëna jon’ e vyer,

Që me drit’ e nder të thuresh

Dhe me bijt’ e tu të mburesh.

Cila Nënë lyp paranë?

Cilët bij me shpirt s’i dhanë?

Mbahu, Nëno, mos kij frikë,

Se ke djemtë n’Amerikë.

Armë dhe fishekë mblithni,

Qesen edhe shpirtin hithni:

Për lirin’ e vëndit t’onë,

Sot – se nesër është vonë-

Jepni, Nënën të shpëtoni,

Komb e vatra të nderoni.

Mbahu, Nëno, mos kij frikë

Se ke djemtë n’Amerikë.

1917

Frank Shkreli: Kur do të bëhet Shqipëria?

 Kanë kaluar më shumë se 25 vjet nga shembja e komunizmit në Evropë.  Kisha menduar dhe besoja se shqiptari më në fund — i lirë nga zgjedha dhe ideologjia e huaj komuniste sllavo-aziatike e imponuar mbi botën shqiptare – do të merrte në dorë fatet e veta, do të bëhej përfundimisht zotnues në hapësirat e tija politike, shoqërore, ekonomike dhe ushtarake. Kjo ndjenjë, në të vërtetë, u forcua disi nga shpresat e guximshme edhe me shpalljen historike të pavarësisë së Kosovës.  Me optimizmin tim të natyrshëm, shihja thelbin e diçkaje më të madhe, më fatbardhë për shqiptarët në trojet e veta, një çlirim nga historia mizore e shekullit të kaluar dhe më heret.   Shpresoja për një ringjallje, për një ripërtëritje të vërtetë të vlerave historike të kombëtare të shqiptarëve.  Shpresoja gjithashtu, në mos për zhdukjen, atëherë për pakësimin e urrejtjeve zhburrënore dhe paragjykimeve ideologjike të shqiptarit kundër shqiptarit, të cilat kanë karakterizuar jetën politike të vendit për një kohë kaq të gjatë.   Brenda realitetit politik, shpresoja për një ndjesi vëllazërimi, mirësie dhe pajtimi midis shqiptarëve, për një marrëveshje dhe bashkërendim midis palëve politike, të interesave të përbashkëta jetike kombëtare. Shpresoja për agime të reja orëmira për të gjithë shqiptarët në trojet e veta. Shpresoja — duket gabimisht – ashtu siç ka shkruar me një rast Ernest Koliqi, “Në idenë e nji Shqipnie, e cila për secilin prej nesh të ketë fytyrën e zemrën e nënave tona dhe të jetë ngushllimtare, dashunore dhe e adhurueshme, por sidomos e drejtë kundrejtë të gjithë Bijëve të saj”, mbrojtëse e të gjithëve dhe e pranueshme nga të gjithë.

 Sot, në vend të këtyre shpresave, fatkeqësisht kemi një Shqipëri krejt ndryshe, ku energjitë politike i vihen në dispozicion grindjeve e mosmarrveshjeve të pafund e të pa zgjidhje. Është një klasë politike, jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë e anë mbanë trojeve shqiptare, pa unitet moral e kombëtar, pa harmoni idesh e pa përputhje mendimesh mbi interesat madhore të vendit dhe në mbështetje të të mirës së përbashkët kombëtare.   Një klasë politike të cilës i mungon atdhetarizmi i mirëfilltë, një klasë politike, personalitetet e të cilës kanë humbur zërin e arsyes.  Si rezultat i ngërçit të tanishëm politik midis forcave kryesore politike në Tiranë, jemi fatkeqësisht dëshmitarë të një përçarjeje të kobshme në radhët e klasës politike shqiptare, e cila si rrjedhim pasqyron, fatkeqsisht, jo vetëm marrëdhëniet e acaruara midis forcave politike, por edhe në radhët e shqiptarëve në përgjithësi.

Përçarje jo vetëm midis të gjallëve, por përçarje madje edhe midis të gjallëve e të vdekurve. Mos pajtim edhe me të vdekurit!  Një përçarje politike që detyron zbritjen e udhëheqësve më të lartë diplomatikë evropianë në tokat shqiptare për të ndërmjetësuar midis palëve të politikës së përçarë shqiptare, sikur vendi është në një luftë civile ose në një konflikt ndërkombëtar.  Ky fenomen, fatkeqësisht, nuk është i ri, është përsëritur shumë herë gjatë çerek shekullit të kaluar, duke i garantuar kështu Shqipërisë dhe shqiptarëve një imazh tepër primitiv në fushën politike në radhët e organizmave euro-atlantike, të cilave pretendojnë se dëshirojnë tu bashkohen. Kjo ndodhë vetëm në Shqipëri.  Ndërkombëtarët nuk mund dhe nuk duhet të ndërmjetësojnë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe të grindjeve politike midis shqiptarëve.  Këto janë punët e shtëpisë që ata duhet t’i zgjidhin vetë, vëllazërisht, në interesin kombëtar dhe për të mirën e përbashkët.  Udhëheqsit politikë Shqiptarë të të gjitha ngjyrave duhet të bindin veten dhe njëri tjetrin, por edhe t’i tregojnë botës se janë të aftë ta bëjnë Shqipërinë të bashkuar dhe të fortë politikisht, ushtarakisht dhe ekonomikisht, nëqoftse dëshirojnë të pranohen nga Evropa. Fatkeqësisht, sot për sot, siç ka thënë kohët e fundit, edhe njëri prej politikanëve shqiptarë, Shqipëria është bërë turpi i Evropës. Kryeministri vendit Edi Rama, në një intervistë të martën me portalin amerikan “politico.eu” kërcënoi se, “Evropa do të përballet me një “makth” nëse Ballkani “çmendet” për shkak se antarësimi në BE është jashtë rëndit të ditës.”  Evropa ka shumë mëkate ndaj shqiptarëve, por gjëndja aktuale politike në Tiranë, nuk besoj se është krijesë e saj.

Dikush mund të më thotë, e ke shumë gabim, Shqipëria ka bërë përparim këto 25 vitet e fundit. E vërtetë se ka bërë përparim, në ndërtime, në rrugë dhe të tjera arritje në fusha të ndryshme.  Madje një përqindje e vogël e shqiptarëve edhe janë pasuruar, duke konkuruar me më të pasurit e Evropës, nëqoftse ky mund të quhet përparim. Shiko Tiranën, mund të thotë dikush, është bërë qytet evropian.  Por a është ky përparim?  Them se jo, duke qenë dakort me At Anton Harapin i cili ka deklaruar se,  “Fuqia dhe madhështia e Atdheut nuk maten me barometrin e pasurisë, as me kompasin e dobisë, por me numrin e njerëzve krijues në art e dituri, të plotësuar edhe me karakterin moral në jetën private dhe publike, sepse duhet ta dini zotërinj se nuk është sendi, as Atdheu që e bëjnë njeriun por janë njerëzit që bëjnë Atdheun, janë ata që ruajnë dhe i shtojnë thesaret kombëtare.”

Jo se Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë pasur ose nuk kanë njerëz të zotët për të udhëhequr dhe për tu bërë ballë sfidave me të cilat përballet kombi sot.  E kundërta, Shqipëria ka pasur dhe ka njerëz të dalluar dhe të zotët, nëqoftse këta do të punonin me të vërtetë në interes të Shqipërisë dhe të Shqiptarëve.   Sami Frashëri ka pohuar në, “Shqipëria, ç’ka qenë , ç’është dhe ç’do të jetë”, se “Shqiptarët kanë treguar gjithë jetën që janë të zotët edhe me kordhë edhe me pendë, edhe me trimëri edhe me mentë e me dituri, e Shqipëria ka nxjerrë shumë njërës të çquar e me nam të math, por nonjë nga ta s’ka punuar për Shqipërinë….kurrë një shqiptar s’është ndodhur t’i bënjë Shqipërisë një të mirë të këtillë…Vetëm një Skënderbe ka punuarë në kohërat e shkuara për Shqipërinë, e vetëm ay është me të vërtetë mburrje për Shqipërinë.”

 Të shumta kanë qenë e janë vështirsit e brendshme dhe të jashtme nepër të cilat ka kaluar dhe po kalon Shqipëria dhe shqiptarët.   Intrigat dhe rreziqet që e kanë ndjekur kanë qenë të mëdha përherë, përfshirë edhe gjëndjen aktuale politike dhe ekonomike anë e mbanë trojeve shqiptare. Tepër gjak është derdhur në ato troje dhe jo vetëm prej plumbit e prej shpatës. Shumë të zeza kanë rënë mbi atë popull si rrjedhim jo vetëm i urrejtjes vëllai-me-vëlla, por edhe nga mërgimi dhe nga vuajtjet dhe padrejsitë shekullore.  Armiqtë e shumtë të saj i kanë qitë gjithmonë pengesa zhvillimit dhe përparimit të shqiptarëve dhe vazhdojnë edhe sot të peshkojnë në ujërat e turbullta shqiptare.  Ka ardhur koha, sa nuk është vonë, që këto rreziqe të mbrendshme dhe të jashtme që i kanosen shqiptarëve të konsiderohen seriozisht dhe të zgjidhen urgjentisht, si dikur në logun e kuvendit, vëllai me vëlla, nga ata që në të vërtetë e kanë shkaktuar këtë ngërç aktual politik në rend të parë. Populli dhe kombi shqiptar presin nga përfaqsuesit e tij – megjith dallimet e tyre — që tu tregojnë miqëve dhe armiqve, të afërm dhe të largët, se shqiptarët do ta bëjnë dhe do ta ruajnë Shqipërinë e fortë dhe të bashkuar, në pajtim e respekt midis tyre, ashtu siç ka “punuar në kohërat e shkuara Skënderbeu” i cili atëherë dhe sot, sipas Sami Frashërit, mbetet “me të vërtetë mburrje për Shqipërinë.”  Nëqoftse dëshironi që Shqipëria dhe shqiptarët të mburren me ju dhe nëqoftse e doni Shqipërinë si e gjithë Evropa, koha është tani. Demokracia nuk pret!

 

Kontrolloni gjithashtu

Studimi i së ashtuquajturës ‘Akademi e Studimeve Shqiptare’ në 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë, masakron historinë e LANC-it

Historianë dhe studiues gjysmakë,  me prejardhje balliste e profashiste,  në 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë …