Frank Shkreli: Vepra, “Skënderbeu” e autorit, Xhevat Kallajxhiu

Frank Shkreli: Vepra, “Skënderbeu” e autorit, Xhevat Kallajxhiu

 Para disa ditësh isha duke hapur një kuti me libra të vjetra dhe gjeta një dorëshkrim me një dedikim të posaçëm nga autori — mbi Gjergj Kastriotin-Skenderbe, me rastin e 500-vjetorit të Heroit Kombëtar, shkruar nga i ndjeri, Xhevat Kallajxhiu, një ish-koleg me të cilin kam punuar në Zërin e Amerikës për disa vjet gjatë ’70-ave dhe ish-Kryeredaktor i gazetës Dielli, organ i Federatës Pan-Shqiptare Vatra.  Dorëshkrimi i titulluar thjeshtë “SKENDERBEU”, është një vepër e thjeshtë siç e cilëson edhe vet autori, “bazuar në fakte historike dhe në legjenda”,e shkruar nga fundi i verës së vitit 1967 dhe botuar në atë kohë, pjesë-pjesë, në gazetën Dielli.  Xhevati e kishte shkruar këtë broshurë prej mbi 50-faqesh, sipas tij, si “Një kontribut të vogël në përpjekjen e madhe që bënë  shqiptarët kudo për të përkujtuar 500-vjetorin e vdekjes së Skenderbeut.”

Në parathënien e broshurës autori i referohet vitit 1968, si viti i Gjergj Kastriotit-Skenderbe dhe përmendë një numër të madh veprimtarish nga shqiptarët në mërgim, “Në kujtim të Fatosit të paharruar të Kombit”, shkruan Xhevat Kallajxhiu.  Ai shënon se gjatë vitit 1968 janë botuar një numër studimesh, librash dhe dokumentash, në shqip dhe gjuhë të huaja, mbi jetën dhe veprimtarinë e Gjergj Kastriotit-Skendërbe.  Në Amerikë dhe në botën perëndimore kudo që kishte shqiptarë, sipas autorit, u mbajtën mbledhje të posaçme, në të cilat u paraqitën kumtesa shkencore-historike.  Revistat dhe gazetat e shqiptarëve të mërguar në botën e lirë, kishin botuar edicione të posaçme mbi Krye-Heroin e tyre, duke e përkujtuar në mënyrë madhështore vdekjen e Skenderbeut, ashtu siç e meriton Heroi i Pavdekur i Kombit Shqiptar, ka theksuar ai.  Veçanërisht, autori Xhevat Kallajxhi, thekson manifestimet e shumta në Vatikan dhe në Romë me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit, ku morën pjesë arbëreshë të Italisë dhe shqiptarë të mërguar në botën e lirë, përfshirë një numër i madh shqiptaro-amerikanësh, të cilët me atë rast, gjatë qëndrimit të tyre në Romë, ishin pritur në audiencë edhe nga Papa Pali i VI. Autori sjellë përshëndetjen e Papës drejtuar shqiptarëve, me fjalët: “Bij fort të dashtun Shqiptarë! Po ju sjellim juve një mirëseardhje të veçantë, mbasi jemi mbledhur për të kujtuar 500-vjetorin e Gjergj Kastriotit Skënderbet, Fatosit të Kombit tuaj e të Krishtërimit, pranë kësaj Selije Apostolike, të cilën mund ta quani si shtëpinë tuaj. Na po ju shohim me kënaqësi, sepse e dijmë se shpirti me të cilin ju e kujtoni këtë rast është shpirti i hershëm i fisit tuaj, i cili gjithnjë, për mbi çdo interes, ka venë vlerat e trashëguara të Besës, të Nderit dhe të Burrerisë”.  Këto tri fjalë, Papa Pali i VI i ka thënë në gjuhën shqipe, shënon autori Xhevat Kallajxhiu në dorëshkrimin e tij.

Në këtë përkujtim të madh të shqiptarëve 50-vjet më parë, hynë edhe kjo vepër e vogël dhe e thjeshtë, në të cilën, përveç vdekjes së Skenderbeut, përshkruhen shkurtimisht edhe disa ngjarje kryesore që u zhvilluan nga 17 Janari 1468 – dita në të cilën Fatosi i Kombit dha frymën e fundit në Lezhë – e deri më 28 Nëndor 1912 kur populli shqiptar shpalli përsëri Pavarësinë Kombëtare në Vlorë.

Autori e fillon tregimin historik me sëmundjen që shkaktoi vdekjen e Gjergj Kastriotit në Janar të vitit 1468 dhe me pikëllimet që pasuan, si përfundim i zhdukjes së Kryetrimit të shqiptarëve, në radhët e bashkpuntorëve më të ngushtë të Skendërbeut dhe në popullësinë e thjeshtë.

Luani i Kombit vuan tmerësisht, por nuk mposhtet përpara hijes së vdekjes në çastet e fundit të jetës së tij. Megjithkëtë,  shkruan Kallajxhiu në tregimin e tij historik, Gjergj Kastrioti Skenderbe e merr veten dhe me frymën e fundit u drejtohet  princëve dhe kapedanëve me këto fjalë:

“Ej trima, mos e humbni burrërinë, se vdekjen borxh e kemi. Mbani lartë zemrat si kurdoherë dhe prëballojeni të keqen me guxim dhe gjakftohësi. Ju lë porosi të jeni të bashkuar — dhe amanet Shqipërinë. Luftoni për të si gjithmonë dhe mbrojeni nga sulmet e armikut deri në pikën e fundit të gjakut tuaj…Mos t’ju dhimbet jeta për Atdhe dhe për liri, se s’ka vdekje më të ëmbël se vdekja për to. Mua nuk më frikëson vdekja, por më vjen keq që e mabroj jetën në këtë shtrat dhe jo në fushën e betejës me shpatë në dorë. Ju priftë e mbara dhe Zoti qoftë gjithmonë me ju”, ishte porosia e Gjergjit drejtuar princëve dhe popllit që e kishin rrethuar.

Autori përshkruan atmosferën, pas vdekjes së Skendërbeut, në çdo qytet, fshat  shtëpi dhe kasolle të Shqipërisë së asaj kohe, ku nuk dëgjohej gjë tjetër veç vaj, dhe sjellë një vajtim tradicional të grave të Labërisë kushtuar Gjergj Kastriotit -Skenderbe:

                                          “Ç’u nxi jeta u bë sterrë

                                          Vaj për Shqipërinë e mjerë.

                                          Jetim na mbeti Atdheu

                                          Tash që na la Skënderbeu,

                                          Mynxirë e madhe na gjeti,

                                          Mjer Arbëria, mjer mileti….”

Këtë hidhërim mbarë kombëtar për vdekjen e Gjergj Kastriotit-Skendërbe, në vepren e tij, “Skenderbeu”, Xhevat Kallajxhiu e pasqyron edhe me fjalimin që mbajti Lekë Dukagjini, në varrimin e Heroit Kombëtar, në emër të princërve dhe kapedanëve të Arbrit: “Shpirti im është aq i tronditur sa është edhe shpirti juaj dhe i gjithë shqiptarëve. Nuk gjejë fjalë të përshtatëshme për të shprehur hidhërimin e thellë për këtë tragjedi që ka mbuluar kombin tonë. Sot kemi fatin e zi të varrosim burrin më të madh që lindi raca arbënore, pas shumë shekujsh…Tani kemi një barrë të rëndë dhe nuk di nëse do ia dalim mbanë, por ajo që varet nga dora jonë është që të veprojmë sipas porosive të Prijësit tonë të paharruar: të qëndrojmë të bashkuar dhe të vazhdojmë të mbrojmë Atdheun dhe lirinë.  Ky është nderimi më i madh që mund t’i bëjmë kujtimit të Skendërbeut, fryma e të cilit duhet të na udhëheq edhe tani që është i vdekur. Ky është edhe misioni më i lartë që mund të kryejmë përkundrejt Atdheut dhe popullit tonë. Zoti na ndihmoftë”, ishin fjalët e Lekë Dukagjinit në varrimin e Skenderbeut, sipas autorit.

Ai shkruan se pas vdekjes së Skenderbeut, Shqipëria hyri në një periudhë të errët, ndoshta më të errët në historinë e saj. Duke cituar Fan Nolin, i cili ka shkruar: “Në kohën kur Evropa dilte nga Koha e Mesme dhe hynte në Rilindjen e Qytetërisë, Shqipëria shuhej nga lista e shteteve të lira dhe hynte në zgjedhën e urryer të një fuqie barbare, nën të cilën vuajti  më tepër se katër shekuj. Vendi i shkretua fare. Tregëtia u venit. Qytetëria u shua. Çdo lidhje me Evroppn u pre…”.

Megjithë këtë periudhë të errët, siç e cilëson Fan Noli, Xhevat Kallajxhiu shkruan se përpjekjet e Shqiptarëve për liri, si në veri ashtu edhe në jug, filluan më në fund të jepnin fruta për realizimin e endërrës së shqiptarëve për një shtet të pavarur. “Pas 500-vjetë robërie, Flamuri i Skendërbeut filloi të valojë përsëri i lirë në qiellin e Shqipërisë. Simbol i Gjergj Kastriotit, që kishte mbetur i fshehur për pesë shekuj në zemrat e popullit shqiptar, u ngrit në Vlorë nga Ismail Qemali më 28 Nëndor, 1912, që koincidoi me datën fatlume të ngritjes së tij në Krujë nga Skenderbeu më 28 Nëndor, 1443”, shkruan autori në fund të dorëshkrimit të tij.  Në përfundimin e dorëshkrimit të tij modest me titull, “Skenderbeu”, shkruar 50-vjetë më parë, e kushtuar 500-vjetorit të të vdekjes së Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastriotit-Skenderbe, autori Xhevat Kallajxhi është shprehur se, jeta, veprat dhe heroizmat e Skenderbeut janë pavdekësuar jo vetëm në botimet e shumta të shkrimtarëve të huaj, por edhe në botime të zgjedhura të autorëve shqiptarë. “Shqipëria dhe Skendërbeu janë bërë për popullin shqiptar një binom, dy emra të bashkuar në mënyrë të pashqitur me njëri tjetrin”, prandaj, përmbyllur ai dorëshkrimin e tij, ashtu siç e ka vjershëruar edhe patrioti martir i paharruar, Kol Tromara,

                                      “Sa të rrojë gjithësija

                                      Sa të rrojë gjithë dheu

                                      Do të rrojë Shqipërija

                                      Edhe emri Skendërbeu”.

Përgatiti

Frank Shkreli

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …