Kancelari gjerman, Friedrich Merz, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të intensifikojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, duke theksuar se ka mungesë progresi gjatë këtij viti. “Është koha që dy vendet të zbatojnë plotësisht përkushtimet e bëra”, deklaroi Merz në samitin e Procesit të Berlinit në Londër. Ai shtoi se është i vetëdijshëm për stagnimin e procesit dhe shprehu gatishmërinë e Qeverisë Federale gjermane për t’u përfshirë aktivisht në përpjekjet për pajtim. “Do të doja që Qeveria Federale të përfshihej në këtë proces. E kam thënë edhe për veten time personalisht”, tha kancelari gjerman, duke nënvizuar nevojën për veprime konkrete nga të dyja palët. Merz u shpreh i kënaqur që të gjitha palët kishin miratuar një deklaratë të përbashkët mbi marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, por paralajmëroi se deklaratat pa veprim nuk janë të mjaftueshme. Shqetësimi kryesor i tij është se Kosova dhe Serbia deri tani nuk kanë demonstruar përkushtim të plotë për të përmbushur marrëveshjet e mëparshme, duke e lënë procesin në stagnim. Kancelari gjerman nënvizoi se dialogu duhet të jetë i vazhdueshëm dhe i përditshëm, për të shmangur tensionet rajonale dhe për të siguruar stabilitetin në Ballkan. Ekspertët vlerësojnë se mungesa e veprimeve konkrete nga Prishtina dhe Beogradi kërcënon besueshmërinë e partnerëve ndërkombëtarë dhe pengon afrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian.
