“Frymëzimi më frymëzon të frymëzohem për Shqipërinë…”

( Duke lexuar disa poezi të poeteshes, Teuta Zymberi)

 

Teuta Zymberi, përveç veprimtare militante, e cila qysh në rininë e hershme iu kishte bashkuar radhëve të  trimëreshave e trimave të Rezistencës kombëtare, ajo është gazetare e njohur, por edhe poeteshë me një botë të pasur krijuese. Në poezinë e saj shquhet ndjenja dhe vrojtimi revolucionar, revolta e ligjshme kundër padrejtësive, qëndrimi kurdoherë vertikal si në jetë ashtu edhe  në pasqyrimin serioz të realitetit, mbi të gjitha besimi i patundur në fitore.

Frymëzimet e saj lirike janë të çiltra, sepse burojnë nga zemra, nga dashuria për lirinë, sepse “Frymëzimi më frymëzon të frymëzohem për Shqipërinë, jetën, për dashurinë, për atdheun, për popullin, për idealin tim njerëzor, për Frymëzimin tim, vetë Jeta ime quhet frymëzim”. ( Frymëzim)

Në poezinë e kësaj poeteshe të mirënjohur të gjeneratës së vitit 1981, kudo frymon vargu i lirë, vargu kuptimplotë i lirisë, vargu i dashurisë për kombin, Atdheun, për njeriun e mirë, cili do qoftë ai. Vargjet e saj janë plot jetë, dinamizëm, ritëm, janë vargje që burojnë nga frymëzimet më të mira, por edhe fjalë të skalitura e të radhitura në një strukturë moderne të komunikimit me lexuesin.

Gjuha me të cilën komunikon kjo poeteshë është e pasur me motivacion artistik, në formë e brendi, gjuhë e idealistes, e cila edhe godet kur duhet goditur, edhe trimëron kur duhet trimëruar, por nuk vajton, as atëherë kur të tjerët vajtojnë. Vajin, ia kanë vrarë me kohë vrastarët. “Frika zemrën nuk’ e mund… meqë diku një këngë kryeneçe përmbytë ankthin, liridashësit betohen kështjellave. ( Shikimi në mjegull)

Në rrugë për të krijuar “poemën e lirisë” ajo kishte thithur nektarin e fjalës së lirë, ashtu sikur kishin bërë poetët, shkrimtarët, idealistët, ata poetë e shkrimtarë që ne na duken shumë të mëdhenj, madje të paarritshëm.  Pa pretendime për t’ u krahasuar  me ta, ajo e kishte kuptuar me kohë se duhej  të shkruante “poezinë e luftës në pamflete, pavarësisht se zogjtë i vrasin me plumba, e dinte  se për të lëshuar britmën për lirinë, zogjtë vdesin duke kënduar”… (Vargje në robëri).

 

Në rrugëtimin e saj poetik, ashtu sikur në rrugën e saj drejt lirisë, Teuta Zymberi ka ecur krejt lirshëm, madje edhe shfrenueshëm, ashtu sikur kanë hapëruar dhe hapërojnë militantët, sepse ajo  ishte rruga që e kishte zgjedhur me vetë dëshirë, rrugë drejt lirisë, jo e shtruar me dafina e lule, por me sfida, thera e driza, pengesa e ndalesa, me rrethim e shtetrrethim,  një rrugë e gjatë shekullore, nëpër të cilën kishin ecur idealistët, dëshmorët, heronjtë, heroinat, rruga e vetme drejt lirisë.

E vetëdijshme se liria nuk falet, se nuk dhurohet, ajo nge zërin e protestës drejtuar  mujsharëve të kancelarive evropiane e botërore. Si bijë besnike e një populli të ndarë e të gjymtuar padrejtësisht, shpërthen revoltën e saj të ligjshme:

Unë, dosja Shqiptari nga Kosova dhe viseve etnike

Jap ultimatum për të drejtën time historike

Rezoluta e Krismës në Kongresin e Armëve.

Vetëvendosë Lirinë time Kombëtare… (Unë tragjiku i Evropës)

Vargjet e lira të kësaj poeteshe janë poezia vetë, ajo poezi që gjithnjë e ma rrallë po shkruhet, e ditë e më pak po lexohet, sepse  njeriu i sotëm i kohës globale me shpejtësi  po tjetërsohet, madje  edhe nga arti, ai  sikur ka rrëshqitur drejt ambisit, drejt reklamës lakuriqe, drejt ndragies. Dikur këtë format krijimtarie me të drejtë e  e quanim poezi e angazhuar sociale, meqë nga poezia dhe arti përgjithësisht kërkohej të ishte në shërbim të njeriut, të shoqërisë, humanizmit, pse jo edhe të revolucionit…

E sot kohët kanë ndërruar. Në të vërtetë njerëzit, pa kurrizorët kanë ndërruar duke ecur kah fryn era, pa e kuptuar se  Shëndetin ta grimcon kapitalizmi i poshtër.

Perëndimi është ëndërr banale duhesh ta dish

Kamp mesjetar kundër hartës shqiptare…

Dhe ti, Aulonë

Mos ik nga historia e emrit tënd

Mos harro datën e Ditëlindjes kur ke lindur

Këtë e duan Sadistët

Të harrosh kur ke lindur”.

 

 

Teuta Zymberi, poezi

 

Unë, tragjiku i Evropës

 

Unë, i huaji, i huaj për të huajin

Gjaku im analizë eksperimenti në laboratoret e Evropës

Unë, refugjati i tretur në perëndimin e egër

Me Ndërgjegjen e Vrarë jetoj mes dëshpërimit e shpresës

 

Unë, dosja ” Kosova Albaner”

Që, sytë m’i vret cinizmi i bukurisë kapitale

Unë, personazhi i njohur i tragjedisë

Pyes ATA, që, mbi gjakun që nuk falet krijojnë Komedi

Është Koha e Demokracisë apo Shpëtimit Kombëtar!

 

Unë i huaji, i huaj për të huajin

Unë, aneks i shkëputjeve në hartën e tokës

Unë, i përjashtuari në kongreset e Berlinit, Londrës, Dejtonit…

Më i talluri në Konferencat e Paqes

Shqiptari i shpallur qytetari i Evropës

Emri më i vjetër i Ballkanit!

 

Unë dosja Shqiptari nga Kosova dhe viseve etnike

Jap ultimatum për të drejtën time historike

Rezoluta e Krismës në Kongresin e Armëve

Vetëvendosë Lirinë time Kombëtare

 

 

Nuk shkove turist, por në front

 

( Kushtuar Dëshmorëve, që shkuan nga diaspora të luftojnë për lirinë e Kosovës)

 

Ti, Luftëtar i lirisë

Në shtratin e flakës së maleve

Nuk shkove për t’u shtrirë në pushime verore

mbi trupat e femrave të masakruara

nuk shkove të dehesh në aventura

Mbi kufomat e njoma të fëmijëve

nuk shkove të mbash konferenca pacifiste

Mbi varret e njëmijta të Kosovës

nuk shkove të tallesh me fjalën Pavarësi

Nuk shkove as t’u thuash bedeneve të Adem Jasharit

Dorëzo armët!

 

Ti, Luftëtar i lirisë

Nuk rroke armët në duar

Ta shesësh atdheun në tregjet ndërkombëtare dhe të Serbisë

As të bësh marrëveshje me xhelatin si t’i vrasësh kryengritësit në male

As nuk shkove të luash me Predikuesin e Paqes

Lojën e opcioneve në tavolinën e të Premteve!

 

Ti, Luftëtar i lirisë

Në Frontin e Luftës nuk shkove si turist

Ti, hyre në gjiun e tokës ushtar i popullit

Me shpirtin e fitores së madhe të UÇK

Me betimin e flamurit dhe të pushkës

E puthe tokën e dashur dhe të kallur të Kosovës

I shpalose letërnjoftimin e luftëtarit të vuajtur të burgjeve

Dhe i fole bjeshkës, gurit e plisit të bardhë:

I sati Dëshmor jam unë, që po flej në shtratin e maleve!

 

 

Shkruaj për mua Kosovë, kur unë udhëtoj te Dielli

 

Shkruaj, se unë, nuk jam i paidentifikuari i Kosovës

Unë kam emër, mbiemër, emblemën e lindjes

Kam varrin tek dera e shtëpisë në prehrin e nënës

 

Shkruani për mua ju troje të mia të gjitha bashkë:

Në atdhe u ktheva të luftoj kundër robërisë

Në Frontin e Luftës nuk erdha turist

Erdha si Skënderbeu tek populli

Kosovës t’a sjellë lirinë

 

Vdekjes Tënde nuk i besoj Dëshmor

Se Lufta për Çlirim

Legjitim njeh vetëm trimin

Vdekja për Atdhe nuk e njeh vdekjen

Vdekjes Tënde nuk i besoj…

 

 

Gjendje e jashtëzakonshme

 

Nuk përfundojnë netët e jashtëzakonshme tek unë

Nuk ndalet gjuha e keqe ta kafshojë popullin tim

Sadistët kërkojnë projekte të reja rreth trupit tim

Kërkojnë ditë e natë ta zhdukin emrin tim

Kur dua unë të jetoj shpallet Orë Policore

Kur dua unë lirinë më ndjekin penalisht

Kur dua unë të shkruaj vargje për Shqipërinë

Shpallin kulshedrat shtetrrethim

Sa herë që flas për lirinë më çojnë në Izolim

Sa herë që thërras për kryengritje

Makineria ushtarake vëhet në veprim

Shpallet Gjendje e Jashtëzakonshme, Kosova në shtetrrethim

 

Tango

 

Kush thotë se unë s’ di të vallëzoj Tango

Kush thotë se unë s’ kam gjene të artit të madh

Kush thotë se unë s’ di ta kuptoj

Kush thotë se unë s’ di ta luaj Aidën e Verdit

Unë jam lindur në djepin e këngës

Unë jam përkundur me ninulat e nënës

Unë jam rritur me Vallen e Shqipes

Unë jam shqiponjë dhe mbi Tango fluturoj

 

 

Vargje në robëri

 

Lexoja aq shumë lexoja

Për të krijuar poemën e lirisë

Përpiqesha t’ iu ngjaja poetëve të mëdhenj

Naimit, Pushkinit, Lorkës, Nerudës, Brehtit

Poete s’ bëhesha, por njësoj vuaja si ata

Shkruaja poezinë e luftës në pamflete

Unë e dija se për ta thirrë lirinë

Zogjtë i vrasin me plumba

Unë e dija se për të lëshuar britmën për lirinë

Zogjtë vdesin duke kënduar…

 

 

Shikimi në mjegull

 

Nata ka rënë në gjumë të shqetësuar

Dielli ende larg për ta përshëndetur

Era bartë zemërimin e Akilit rrugëve

Oxhaku përdredhon tymin mbi kullë

Sytë xhirojnë çdo ditë n’ këtë hapësirë

Tanket, kapuçhekurit, burgjet

Helmetat serbe fshehen nëpër mjegull

Mëngjeseve futen me tërbim nëpër dyer

Nata s’ ndjen Këngët e Ringjalljes

Lumturinë veç ëndërr e kam parë

Dritën e syve ma verbuan Ciklopët

Unë nuk e di çka do të thotë të jesh e lirë

Bota lëviz për çdo ditë për të mirë

Toka ime shkelet çdo ditë me rrota

Frika zemrën s’ e mund

Triumfi jeton në shpirtin e Faustit

Vjeshta në asfaltin gropa-gropa

Pikturon rojet e mjegullës

Diku një këngë kryeneçe përmbytë ankthin

Liridashësit betohen kështjellave

 

 

Frymëzimi im

 

Frymëzimi

Zakonisht në thellësi të natës më lind

Inspirohem jetën time ta rilind

Frymëzimi është një emër ideal

Një emër që ka lidhje me atdheun

Një emër që ushqen shpirtin tim

Frymëzim

Një emër që më mbushë përplot gjallërim

Që më jep zemër ta mbijetoj çdo rrezik

Unë lind bashkë me frymëzimin

Bashkë mundim terrin e zi

Bashkë mbajmë të fortë idealin për liri

(E shkruar në  gusht 1989)

 

T’ im bir, Frymëzimit

 

Frymëzimi më frymëzon të frymëzohem për Shqipërinë, jetën, për dashurinë, për atdheun, për popullin, për idealin tim njerëzor, për ,Frymëzimin tim

Jeta ime quhet FRYMËZIM

 

Fjala nënë qenka heroizëm

Ta ndjesh dhimbjen e gjallë qenka pavdekshmëri

Ta sjellësh fëmijën në dritë qenka një mrekulli

Të lindësh fëmijën do të thotë të rilindësh si nënë një madhështi

Dhjetë orë dhimbje një botë e tëra me dhembje

Me dhimbjet që herë iknin e herë vininMe dhimbjet e gjalla që të përbinin

Me orë të tëra prisja lindjen e Frymëzimit

Duke pritur një lindje të mirë

Kujtoja një Lindje e vështirë

S?kisha britur kurrë në jetë

S?brita edhe kësaj here edhe nëse do vdesë

Me orën që ecte nga mesnata

Matja orët e dhimbjeve me orët e gjata

Ora dy pasmesnate kisha minutat e fundit

Dhe fillova të thërrisja Frymëzim, Frymëzim

Si përherë të fundit

Ndjeva oh, aq ëmbël nëgjoksin tim, pëllumbin

Ndjeva oh, aq këndshëm yllin e vogël

E putha, e përqafova, e shtrëngova

O zemër eja tek zemra dhe në gji e mora

 

 

Letër nga Perëndimi i egër

( AULONËS )

 

Dielli a po nxen Aulonë

Rrezet e tij vapë sjellin mbi tokë

Nënën ma ke ngushëlluar për Ditë të Zisë

E nesërmja a sjellë ndonjë protestë të re…

Shi apo bie Aulonë

Qielli ka ndërruar ngjyrën në sytë tuaj artistik

Apo dallëndyshet i kanë internuar

Në klinikat sadiste për eksperimentim…

Lulet a kanë ujë të rriten

Me lot të nënave ato a ujiten

A lindi ndonjë Yllkë a Fatos i vogël

Apo ndonjë djalë i ri u kthye nga ushtria prapë i vdekur…

Netët në misirin tim janë terr e zi

Shëndetin ma grimcon kapitalizmi i poshtër

Perëndimi është ëndërr banale duhesh ta dish

Kamp mesjetar kundër hartës shqiptare…

Dhe ti, Aulonë

Mos ik nga historia e emrit tuaj

Mos harro datën e Ditëlindjes kur ke lindur

Këtë e duan Sadistët

Të harrosh kur ke lindur.

 

 

Poezia e Teuta Zymberit na kthen në kohën e  poezisë e njëmendtë, në vargjet  e frymëzimeve jo vetëm djaloshare e vajzërore, por në fjalën  e vërtetë artistike  që komunikon me të gjithë, që nxit, frymëzon dhe të mbush qenien me besim në njeriun, në të mirën, të drejtën dhe në të vërtetën…

Nëse kështu nuk u shkruaka poezia, a thua a ekziston më, ajo?  (Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

Tefta Çami: Vizita në Theth të Dukagjinit, më ka lënë shumë mbresa

Tefta Cami: Vizita në Theth të Dukagjinit, më ka lënë shumë mbresa

Me 26-27 tetor të këtij viti shkova e vizitova me vajzën time, Alma dhe me …