Arbanë Qeriqi-Gashi: Rektor Zejnullahu, biografisë Tuaj i keni vënë një njollë të pashlyeshme

Komentet e shkruara, fjalët të thëna e të cituara për protestën e 4 dhjetorit 2014 të mbajtur  para Rektoratit të UP-së, nxorën në pah opinionet e të gjithëve atyre, që kurrë nuk e kanë frenuar urrejtjen e tyre për pjesën  më meritore të kombit tonë.  


Po  çfarë  do të  bëhet nëse regjistrohen 1050 studentë me automatizëm?


Kaq ka mundësi të bëhet për këtë kategori të studentëve. Ata nuk po kërkojnë t’iu falni notat t’ iu  bëni mastër, apo të doktorojnë me lidhje?  Jo, në asnjë mënyrë, sepse kjo kategori nuk pranon me asnjë çmim të marrë atë që nuk i takon, sepse shumica syresh  janë rritur dhe edukuar në frymën e pastër kombëtare, janë rritur e edukuar që të mos marrin asgjë, që nuk u takon, por të japin gjithçka për të mirën e kombit e të atdheut të tyre. Rektor  Zejnullahu,  çfarë do të humbiste  Universitei i Prishtinës, nëse do t’i regjistroni këta studentë, apo çka ka humbur  ky Universitet në këto vite sa ka ekzistuar Memorandumi i bashkëpunimit më shoqatat e dala nga lufta dhe me Ministrinë e Arsimit?


Tregoni pra,  në këto vite të pas luftës,  a keni marrë ndonjë mund që një fëmijë dëshmori, invalidi apo veterani, që ka pasur notën mesatare mbi 9-të, t’i keni ofruar mundësinë e shkollimit jashtë vendit më ndonjë benifit financiar, jo me paratë personale se është punë që nuk e bëni dot ju e as të tjerët si ju, por me paranë publike, ngase kur të doni gjeni mënyra të ndryshme dhe  t’i shpenzoni, paraprakisht i bëni ligjet dhe nuk ndaleni së reshturi për të mirat personale.


Edhe ish-eprori i UÇK-së,  Naim  Maloku, u prononcua  lidhur me këtë çështje. Edhe ai u shpreh kundër regjistrimit të 1050 studentëve nga radhët e familjeve të invalidëve,  dëshmorëve e veteranëve. Duam ta pyesim z. Maloku. Po nëse nuk kanë të drejtë fëmijët e dëshmorëve të thirren  në emër të familjarëve, atëherë kush paska të drejtë, të thirret në emër të tyre? E sa i përket sloganit tuaj boll ma, provimet kalohen me dije, a thua gjatë karrierës Tuaj z. Maloku nuk ke ndërmjetësuar që dikush të regjistrohet  me porosi apo ç’ është edhe më e keqja të kryhen provime me lidhje, apo intervenime quaj si të duash.


Kemi një pyetje edhe për zotri, Zafir Berishën, i cili në përkujtim të Betejës së Gorozhupit, më 31 maj 2009 i pat thënë vajzës së një  dëshmori që përkujtohej atë ditë, se nuk duhet të revoltohesh për të drejtat tua,  se po të ishte babai yt gjallë ti nuk do të flisje kundër pushtetit. Dhe ajo ia pat kthyer. Mirë e ke, sepse po të ishte babai im gjallë do të kisha kushtet pak më të mira, sepse ai do të punonte dhe do të më mbante, sikur ju i mbani fëmijët Tuaj. E tani zotri, Berisha, prej nga na del kjo dashuri kaq e madhe për Rektorin, apo më mirë të themi për vendimin e  famshëm të tij? Duket se në raste si këto janë në pyetje vetëm inatet Tuaja të shumta politike dhe jo kush dhe sa dëmtohet.


Sa u përket disa të vetëquajturve intelektualë të tipit: Arbana Xharra, Ilir Deda, Berat Buzhala, Armend Zemaj etj, lidhur me shkrimet e tyre kundër vlerave të luftës së UÇK-së dhe trashëgimtarëve të dëshmorëve nuk ia vlen të merremi me ta. Përbuzja e tyre kundër fëmijëve të dëshmorëve, invalidëve e veteranëve, i barazon me përbuzjen që ka Serbia kundër UÇK-së dhe kundër pavarësisë së Kosovës.


Rektor, Zejnullahu në tërë këtë skenar nuk përfitove  asgjë prej gjeje. E ndërkaq shumë e dëmtove e  përçave popullin, maltretove njerëzit që të dalin në protestë të humbin një ditë dhe të shpenzohen. E  para se gjithash po mbillni në rininë tonë ndjenjën negative për shtresën më meritore. Me këto veprime po  bëni të mendojnë me të vërtetë pse ata që luftuan, ata që derdhën gjak, ata të cilët edhe sot 16 vite pas lufte janë me plagë në trup të pyesin vetën se pse luftuan, apo është dashur që edhe ata të rrinë duarkryq, e doli ku doli. Por prapë se prapë klasa juaj “intelektuale” , nuk do të dëmtohej ngase jeni mësuar me bashkim vëllazërimin tuaj të famshëm, e përsëri do të maltretoheshin, do të burgoseshin, do të syrgjynoseshin familjet,  të cilat brez pas brezi  kanë dhënë  jetën si me le.


Rektori, Ramadan Zejnullahu me siguri se e di që janë pikërisht   këta trashëgimtarë, gjaku i  prindërve të të cilëve ju mundësoi të jeni në pozita udhëheqëse.  Pa gjakun dhe luftën e tyre nuk do të kishte kurrën e kurrës  Kosovë të lirë. Në biografinë tuaj krahas shkencës i keni vënë vetës një njollë të turpit, që nuk mund ta shlyeni më kurrë.


Çudi se në çfarë niveli ka rënë  kjo klasa politike dhe shoqëria civile, të cilët  mezi presin të shprehin mllefin dhe zemërimin e tyre kundër trashëgimtarëve të dëshmorëve, invalidëve e veteranëve. Ka edhe të atillë që po merakosen shumë se mos po jep dorëheqje Rektori, e që kjo do të ishte me e arsyeshmja, sepse ai nuk është i pazëvendësueshëm. Edhe ashtu me këtë veprim ka bërë që një  përqindje e popullsisë ta  urrejë deri në neveritje.  Dhe ju mos u merakosni shumë, meqë e dini se pas disa viteve nuk do të ketë më fëmijë të familjarëve të dëshmorëve. Gajret deri atëherë!

Kontrolloni gjithashtu

Besnik Bislimi

Besnik Bislimi nuk pajtohet me qëndrimin e Serbisë në dialogun për çështjen e përdorimit të dinarit serb në Kosovë

Pas takimit në Bruksel, për çështjen e dinarit, zëvendësi i Kurtit, Besnik Bislimi, ka shprehur …