Qendra Ndërkombëtare Trajnuese për Kërkim-Shpëtim e Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka organizuar një trajnim të avancuar në fushën e kërkim-shpëtimit malor, me pjesëmarrjen e pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, dhe të FSK-së. Trajnimi u zhvillua në disa nga terrenet më të përshtatshme për operacione shpëtimi, duke përfshirë Kullën e Repelimit në QNTKSH, Gurin e Plakës, Shtëpinë Malore në Prizren, Via Ferrata “Panorama” dhe Liqenin e Jazhinicës. “Pjesëmarrësit u trajnuan në teknikat e lidhjes dhe përdorimit të litarëve, ngjitje dhe repelim në terrene alpine, navigim në zona malore, ndihmë të parë dhe menaxhim të traumave në kushte të vështira, si dhe evakuimin e të lënduarve nga terrene të thepisura”, njofton FSK. Ky trajnim shënon një hap të rëndësishëm drejt rritjes së kapaciteteve të reagimit në situata emergjente malore dhe forcon bashkëpunimin dhe ndërveprimin operacional mes FSK-së dhe FARSH.
