leoni

FSK-ja “gabimisht” në veri të Mitrovicës, policia dhe ushtria sqarojnë incidentin

Disa automjete të Forcës së Sigurisë së Kosovës, u panë paraditen e 16 tetorit në rrugët e Mitrovicës së Veriut, duke shkaktuar reagime dhe raportime të shumta në media. Policia e Kosovës konfirmoi se pjesëtarët e FSK-së kanë hyrë “gabimisht” në zonën veriore për shkak të një keqorientimi nga sistemi i navigimit. “E humbën rrugën, navigacioni i GPS-së i çoi gabimisht në veri”, tha për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, duke shtuar se policia ka komunikuar me ushtarët dhe ata më pas janë larguar nga zona. Ngjarja ndodhi rreth orës 10:30 të mëngjesit dhe, sipas mediave serbe, automjetet e FSK-së qëndruan në veri për rreth 5 deri në 10 minuta. Në rrjete sociale u publikuan pamje të disa kamionëve të FSK-së duke kaluar nëpër Mitrovicën e Veriut – zonë e banuar me shumicë serbe – gjë që ngjalli reagime të menjëhershme. Pak orë më vonë, edhe vetë FSK-ja doli me një njoftim zyrtar, duke konfirmuar se konvoji i nisur nga Istogu drejt kazermës në Mitrovicë “e kishte ngatërruar drejtimin e lëvizjes”. “Forca e Sigurisë së Kosovës njofton publikun se sot, gjatë lëvizjes së konvojit nga Istogu për në kazermën e FSK-së në Mitrovicë, pjesëtarët e FSK-së me automjete e kanë ngatërruar drejtimin,” thuhet në reagimin e institucionit. Prania e FSK-së në veri të vendit kërkon pëlqimin paraprak të misionit të NATO-s, KFOR-it, në bazë të zotimeve të vitit 2013 të Qeverisë së Kosovës. Radio Evropa e Lirë ka bërë pyetje si Ministrisë së Mbrojtjes ashtu edhe KFOR-it lidhur me incidentin, por përgjigjet ende nuk janë dhënë. Ngjarja ka ndodhur në një periudhë të ndjeshme sigurie në veri, ndërsa procesi i transformimit të FSK-së në ushtri të plotë pritet të përfundojë në vitin 2028.

Kontrolloni gjithashtu

Taulant Balla shpërthen në Kuvend: “Sali Berisha është dhëndër i Serbisë”

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka ashpërsuar tonet ndaj ish-kryeministrit Sali …