Gaço Karakashi: Libri: "Njeriu njëdimensional" i filozofit, Herbert Marcuse

Gaço Karakashi: Libri: “Njeriu njëdimensional” i filozofit, Herbert Marcuse

Filozofi gjerman, Herbert Marcuse u lind më 18 Korrik 1898 në Berlin si djali i një fabrikanti çifut nga Pomerania dhe shërbeu në ushtrinë gjermane gjatë Luftës së Parë Botërore.

Në revolucionin e vitit 1918 Marcuse u zgjodh anëtar i sovjetit të ushtarëve në BerlinReinickendorf. Në vitet 1919-1922 vazhdoi studimet universitare për filozofi në Berlin dhe më pas në Freiburg, ku më 1922 mori dhe titullin doktor në letërsi me një punim mbi romanin artistik gjerman. Pas një veprimtarie të shkurtër si librashitës në Berlin, rikthehet më 1928 në Freiburg, për t´u kualifikuar më tej në filozofi pranë Edmund Husserlit dhe sidomos pranë Martin Heideggerit, i cili ishte një nga mendimtarët me ndikim më të madh në Gjermani. Artikulli i parë i botuar nga Marcuse më 1928 përpiqej që të bënte një sintezë të perspektivave filozofike të fenomenologjisë, ekzistencializmit dhe marksizmit, një sintezë që dekada më vonë do të kryhej sërishmi nga Jean-Paul Sartre, Maurice Merleau-Ponty, si edhe nga studentët dhe intelektualët amerikanë të së Majtës së Re. Marcuse argumentoi se shumë nga mendimet e Marksit kishin degjeneruar në një ortodoksi të ngurtë dhe nevojitej kështu një eksperiencë konkrete e jetuar dhe “fenomenologjike” për ta rigjallëruar teorinë, dhe në të njëjtën kohë Marcuse besonte se marksizmi e nënvleftësonte problemin e individit dhe gjatë tërë jetës së tij u mor me çlirimin e individit dhe mirëqenien e tij krahas transformimit shoqëror dhe mundësive për një kalim nga kapitalizmi në socializëm. Marcuse mbrojti gjatë tërë jetës së tij mendimin se Heideggeri ishte mësuesi dhe mendimtari më i madh, që ai kishte takuar ndonjëherë. Në arkivin e Marcuses ruhen plot shënime nga leksionet e Heideggerit, që nga fundi i viteve 20 deri në vitin 1933, kur u largua nga Freiburgu, të cilat dokumentojnë intensitetin e interesit të tij për filozofinë e Heideggerit dhe përkushtimin ndaj leksioneve të tij. Megjithatë Marcuse u trondit jashtëzakonisht kur Heideggeri e pranoi nacional-socializmin, dhe pasi përfundoi “disertacionin e habilitimit” me temë “Ontologjia e Hegelit dhe Teoria e Vërtetësisë Historike”, vendosi që të largohej nga Freiburgu më 1933, për t´u bashkuar me Institutin për Kërkime Shoqërore, i vendosur në Frankfurt am Main, por që së shpejti me ardhjen e nazistëve në pushtet do të hapte degët e tij në Gjenevë dhe më pas në Universitetin Columbia në Amerikë, ku Marcuse do të ishte pjesë e tyre. Studimi i tij mbi “Ontologjinë e Hegelit dhe Teorinë e të Vërtetës Historike” (1932) kontribuoi në rilindjen e Hegelit, gjë që po ndodhte në Europë duke theksuar rëndësinë e ontologjisë së Hegelit për jetën dhe historinë, si edhe teorinë e tij idealiste për shpirtin dhe dialektikën e tij. Markuse publikoi në 1933 recensionin e parë më të rëndësishëm lidhur me veprën që sapo ishte botuar të Marksit “Dorëshkrimet ekonomike dhe filozofike të 1844”. Recensioni i parapriu tendencës për t´i rishikuar interpretimet marksiste nga këndvështrimi i veprave të hershme të Marksit. Këto punime e nxorën Markusen në dritë si një studiues mendjemprehtë të filozofisë gjermane dhe ai po shfaqej si një nga teoricienët më premtues të brezit të tij.

Si anëtar i Institutit për Kërkime Shoqërore, Markuse mori gjerësisht pjesë në projektet ndërdisiplinore të institutit, të cilat përfshinin përpunimin e një modeli për teorinë 4 kritike shoqërore, duke zhvilluar një teori për një stad të ri të kapitalizmit shtetëror dhe monopolist, duke artikuluar marrëdhëniet midis filozofisë, teorisë shoqërore, kritikës kulturore dhe duke garantuar një analizë sistematike dhe kritikë të nazizmit gjerman. Marcuse e identifikoi veten thellë me “Teorinë Kritike” të institutit dhe gjatë tërë jetës së vet ishte mjaft i afërt me Max Horkheimerin, T. W. Adornon dhe anëtarë të tjerë të institutit. Në vitin 1934 Marcuse – një gjerman hebre dhe radikal – u arratis nga Gjermania dhe u shpëtoi ndjekjeve të nazizmit duke emigruar në Amerikë, ku jetoi dhe gjithë pjesën tjetër të jetës. Institutit për Kërkime Shoqërore iu dhanë zyra dhe u pranua si filial akademik i universitetit Columbia, ku Marcuse punoi gjatë viteve 1930 deri në 1941.

Vepra e tij e parë e madhe në anglisht “Arsyeja dhe Revolucioni” (1941) ndoqi zanafillën e ideve të Hegelit, Marksit dhe të teorisë moderne shoqërore. Ajo provonte ngjashmëritë midis Hegelit dhe Marksit dhe u prezantoi lexuesve anglishtfolës traditën hegeliane-marksiste në mendimin dialektik dhe analizën shoqërore. Libri vazhdon që të jetë një nga paraqitjet më të mira të Hegelit dhe Marksit dhe një nga analizat më të mira të kategorive dhe të metodave të mendimit dialektik. Në vitin 1941 Marcuse bashkohet me OSS (Office of Secret Services) dhe më pas punoi në State Department duke u bërë shefi i zyrës për Europën Qendrore nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Pasi shërbeu për qeverinë amerikane deri në fillim të viteve 50, të cilës i deklaronte se ishte i motivuar nga dëshira për të luftuar kundër fashizmit, ai i rikthehet punës intelektuale dhe në vitet 1951-1954 është bashkëpunëtor shkencor dhe pedagog në Russian Institute të Columbia University në New York gjithashtu dhe në Russian Research Center të Harvard University. Në 1955 publikon “Erosi dhe Qytetërimi”, e cila orvatej për një sintezë të guximshme të Marksit dhe Frojdit dhe skiconte tiparet e përgjithshme të një shoqërie pa shtypje. Në vitet 1954-1965 Marcuse ishte profesor për shkencat politike në Brandeis University në Waltham/Massachussetts dhe u bë një nga anëtarët më popullorë dhe më me ndikim në fakultetin e tij. Gjatë periodës së punës për qeverinë amerikane ai ishte bërë një specialist në problemet e fashizmit dhe të komunizmit dhe në vitin 1958 botoi një studim kritik për Bashkimin Sovjetik (Marksizmi Sovjetik), që prishi tabunë e mosshkruajtjes në mënyrë kritike ndaj Bashkimit Sovjetik dhe Komunizmit Sovjetik. Ndërsa përpiqej që të zhvillonte një analizë të shumanshme të Bashkimit Sovjetik, Marcuse e përqendroi kritikën e tij në burokracinë sovjetike, kulturën, vlerat dhe diferencat midis teorisë marksiste dhe versionit sovjetik të marksizmit.

Duke e distancuar veten nga ata që e interpretonin komunizmin sovjetik si një sistem burokratik, të pazotin për reforma dhe demokratizim, Marcuse tregoi “prirjet liberalizuese” potenciale, të cilat kundërshtonin burokracinë staliniste, gjë që u materializua vërtet në vitet 1980 në kohën e Gorbaçovit. Më vonë Marcuse publikoi një kritikë në shkallë të gjerë për të dyja shoqëritë e përparuara : atë kapitaliste dhe komuniste në veprën e tij “Njeriu njëdimensional” (1964). Ky libër teorizon perëndimin e potencialit revolucionar në shoqëritë kapitaliste dhe zhvillimin e formave të reja të kontrollit shoqëror. Marcuse argumenton se “shoqëria e përparuar industriale” krijon nevoja false, të cilat i integrojnë individët në 5 sistemin ekzistues të prodhimit dhe të konsumit. Masmedia dhe kultura, reklamat, menaxhimi industrial, mënyrat bashkëkohore të të menduarit, që të gjitha e riprodhojnë sistemin ekzistues dhe përpiqen që të eliminojnë mohimin, kritikën dhe opozitën e këtij sistemi. Rezultati është një univers “njëdimensional” i të menduarit dhe i sjelljes, në të cilin pikërisht zotësia dhe aftësia për mendim kritik dhe sjellje kundërshtuese është duke u venitur. Marcuse e quan shoqërinë e përparuar industriale dhe njeriun që jeton në të si “njëdimensional”, sepse ai shikon një lidhje të plotë me manipulimin dhe me konformizmin, lidhje që stabilizon sistemin kapitalist, i cili është në vetvete kontradiktor dhe që i korrupton njerëzit nëpërmjet konsumit e përthith çdo kritikë.

Kapitalizmi jo vetëm e ka integruar klasën punëtore, burimin e opozitës potenciale revolucionare, por ai ka zhvilluar teknika të reja të stabilizimit nëpërmjet politikave shtetërore dhe zhvillimit të formave të reja të kontrollit shoqëror. Kështu Marcuse vuri në dyshim dy nga postulatet themelore të marksizmit ortodoks : proletariatin revolucionar dhe pashmangshmërinë e krizës kapitaliste. Në kontrast me kërkesat më ekstravagante të marksizmit ortodoks, Marcuse mori në mbrojtje forcat e paintegruara të minoriteteve, njerëzit e flakur nga shoqëria dhe inteligjencien radikale dhe u përpoq që ta ushqente mendimin dhe sjelljen kundërshtuese duke nxitur mendimin dhe opozitën radikale. “Njeriu njëdimensional” u kritikua ashpër nga marksistët ortodoksë dhe teoricienët e angazhimeve të ndryshme politike dhe teorike.

Le të citojmë p.sh. Enver Hoxhën se çfarë shkroi ai për Marcusen : “Të gjithë revizionistët shkojnë në rrugën e Marcuses, i cili kur flet për proletariatin amerikan, përpiqet `të vërtetojë´ se në `shoqërinë e lartë industriale´ amerikane nuk ekziston një proletariat i kuptuar sipas Marksit, se ky proletariat sipas tij, paska kaluar tash në histori. Kjo për Marcusen e të tjerët do të thotë se `shoqëria e konsumit´, `shoqëria industriale e zhvilluar´ jo vetëm ka ndryshuar formën e shoqërisë së vjetër kapitaliste, por ka niveluar edhe klasat”1. Megjithë pesimizmin e tij, Marcuse pati ndikim në shumë njerëz në të Majtën e Re, meqë ai artikulonte pakënaqësinë e tyre në rritje si me shoqëritë kapitaliste ashtu edhe me shoqëritë komuniste sovjetike. Për më tepër vetë Marcuse vazhdoi të mbronte kërkesat për shndërrim revolucionar dhe mbrojti forcat e reja në lindje në opozitën radikale duke fituar kështu urrejtjen e forcave institucionale dhe respektin e radikalëve të rinj. Prandaj vepra e tij “Njeriu njëdimensional” u bë vepra standarde për lëvizjen e fuqishme studentore të fundit të viteve 1960 në SHBA dhe në RFGJ.  “Njeriu njëdimensional” u shoqërua nga një seri librash dhe artikujsh, që artikulonin politikën e të Majtës së Re dhe kritikën e shoqërive kapitaliste si “Toleranca shtypëse” (1965), “Një ese për çlirimin” (1969) dhe “Kundërrevolucioni dhe revolta” (1972). Kjo ishte perioda e ndikimit të tij më të madh. Ai publikoi shumë artikuj dhe dha leksione dhe këshilla për studentët radikalë kudo në botë. Marcuse udhëtoi shumë dhe vepra e tij u diskutua shpesh në masmedia duke u bërë një nga intelektualët e paktë amerikanë që fituan një vëmendje të tillë. Duke mos i braktisur kurrë vizionin dhe angazhimet e tij revolucionare, Marcuse vazhdoi deri në vdekje (1979) që të mbronte teorinë marksiste 1 Enver Hoxha. Eurokomunizmi është antikomunizëm. Shtëpia botuese 8 Nëntori, botim i vitit 1980, f. 110. 6 dhe socializmin çlirimtar.

Studentët e këtij mësuesi karizmatik filluan të fitojnë pozicione akademike me ndikim dhe i përhapën idetë e tij duke e bërë atë një forcë kryesore në jetën intelektuale amerikane. Ndikimi i Marcuses erdhi në rënie pas vdekjes së tij (1979). Megjithatë kritika e tij e mprehtë ndaj shoqërisë moderne kapitaliste, ndaj “Shtetit të Mirëqenies Sociale dhe të Luftës” në veprën “Njeriu njëdimensional”, ushtroi një ndikim të thellë tek një gjeneratë e tërë dhe kjo është sot një vepër standarde. Është pikërisht vepra, që unë po e sjell në shqip për lexuesit e interesuar shqiptarë, për ata që ndjejnë kënaqësi kur e venë mendjen në punë dhe kur përsiaten për problemet e zhvillimit të shoqërisë njerëzore. Si filozof dhe sociolog i shkollës klasike gjermane, Marcuse përdor një gjuhë relativisht të vështirë për t´u kuptuar; në stilin e dialektikës. Prandaj i përgjegjshëm për rëndësinë e përkthimit të saktë të një vepre të tillë si dhe për vështirësinë e tij, e kam përkthyer edhe këtë vepër me shumë kujdes. Kjo shpjegon dhe fjalët në kllapa katrore, që i kam vendosur herë pas here si sinonime të mundshme për ta kuptuar më mirë tekstin. Për ta kuptuar më mirë mendimin e Marcuses, veprën e kam përkthyer duke mbajtur para vetes dhe duke u ballafaquar si me botimin origjinal në anglisht ashtu edhe me botimin e saj në gjuhën amtare të Marcuses, në gjermanisht; sepse në Amerikë Marcuse shkruan vërtet anglisht, por mendon sidoqoftë gjermanisht.

(Gaço Karakashi është përkthyes i librit: “Njeriu njëdimensional” i filozofit, Herbert Marcuse)

 

Kontrolloni gjithashtu

Adil Fetahu: Tri libra e fundit të profesor, Ahmet Qeriqit, që u botuan në tri vitet e fundit trajtojnë tri tema të ndryshme

Libri i parë- GURI I BETIMIT, është roman, është një kronikë historike-letrare për Luftën e …